Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Anila Çela: Jam gjirokastrite; nuk shpenzoj shumë!

Enkeleda Kurcani: – Anila, tashmë “Vizioni i Pasdites” ka dy prezantues. Më mirë kështu?

Anila Çela: – “Vizioni i Pasdites” ka dy prezantues, mua dhe kolegun Arbër Kadia, ndërsa “Ora 5 pm” kishte një prezantues (që isha unë), pasi janë dy emisione të ndryshëm që nga skenografia, titulli, koha e transmetimit, stafi etj. Por, them se pasditja ka patur ndikim tjetër te publiku këtë sezon dhe një ndër arsyet ka qenë një riformatim që iu bë emisionit. Fakti që jemi dy, na siguron një lloj komoditeti, sigurie, mbështetjeje, më pak ngarkesë e lodhje, pasi është live çdo ditë.
– Veç prezantuesve, çfarë tjetër është sjellë ndryshe?
– Ndryshimi ka ardhur bashkë me stafin. Këtë sezon, pasditja nisi nën besimin e kryeredaktorit Eraldo Rexho dhe një stafi gazetarësh. Kjo mendoj se sjell edhe frymën e re, pasi mendoj se aty nis gjithçka, që nga idetë, këndvështrimet, mundësitë e të qenit produktiv. Nuk di se sa e ndjen shikuesi këtë, por aty punohet fort për të qenë ndyshe nga dita në ditë dhe, pa diskutim, ndryshe nga sezoni në sezon. Kjo, për të mos rënë në rutinë ne dhe që të mos rrezikojmë të lodhim shikuesin, edhe pse herë pas here duket sikur teprohet me të kërkuarit e ndryshimeve nga një format televiziv. Një emision që funksionon dhe kryen qëllimin e tij, mban pas vetes targetin për të cilin është menduar që po prodhohet; është OK dhe mund të zgjasë pafundësisht sezone me të njëjtin sukses.
– Tashmë, u bë kohë që je vajza e pasditeve. Më mirë e mëngjesit apo e pasditeve?
– Të dyja kanë emocione dhe kujtime pa fund për t’i veçuar. Të dyja janë eksperienca të cilat më kanë rritur. Nëse nuk do të ishin emisionet e gjata live për rreth 5 vjet, nuk do të më ishte besuar emisioni i pasdites. Unë aty u rrita profesionalisht dhe krijova figurën time. Falë emisionit të mëngjesit, sot e ndjej veten shumë më të sigurtë para kameras. Pasditja ndoshta ka një target më të gjerë që të ndjek dhe kjo është pozitive për karrierën time, por përsa i përket kënaqësisë që marr, ajo është e njëjtë, për sa kohë para meje ndodhet një kamera dhe, për sa kohë, i drejtohem një publiku.
– Përse u titullua emisioni “Vizioni i pasdites”. A nuk rrezikon që të ketë një pështjellim në mendjen e shikuesve mes “Pasdite në Top Channel” dhe “Takimi i pasdites” në TV Klan?
– “Vizioni i Pasdites” ishte ideja e Eraldos dhe ajo rezultoi si më e përshtatshmja për formatin e ri. Kur nis një emision, gjetja e emrit është një vështirësi më vete. Mendoj se ky është një titull që shikuesi e memorizon lehtë. Shpesh, audienca i identifikon programet me emrin e kanalit televiziv, pra, Pasditja e Vizionit, Pasditja e Klanit, Topit, ndaj ne qëndruam këtu, Pasditja e Vizionit-Vizioni i Pasdites. Por, nuk rrezikon të krijohet pështjellim mendoj, pasi vetë fjala Vizion flet shumë dhe bën një diferencë të madhe.
– I ndjek ti emisionet “rivale”? Cilën do të veçoje mes Rudina Magjistarit dhe Ulpiana Lamës?
– Nuk i ndjek dot pasi edhe pse do të doja, nuk kam mundësi. Është e rëndësishme të kuptosh edhe vete në çfarë niveli je në krahasim me konkurrentët. Unë pasditeve jam në punë. Deri në 18:10 jam live e më pas, në zyrë me stafin. Nuk mund të veçoj asnjë nga emisionet apo nga koleget moderatore.
– Si ia bëni ju për të qenë të veçantë ndaj “rivalëve”?
– Po ne jemi të veçantë për vetë faktin që në studio jemi dy moderatorë dhe kjo jep mundësi të krijohet më shumë atmosferë, të ketë më shumë komunikim, shkëmbim batutash. Nuk jam unë personi i duhur për t`u pyetur, në fakt. Ndoshta publiku që zgjedh kë të ndjekë, ka edhe një arsye pse e bën. Deri tani ne e kemi ndjerë praninë e audiencës dhe reagimet e tyre.
– Cili është komenti më i bukur që të ka ardhur deri tani?
– Reagime ka shumë dhe kjo është një ndër pjesët më të bukura të punës sonë. Ne bëhemi pjesë e shtëpisë së njerëzve, ata na njohin, na memorizojnë shprehjet, veshjet. Mua më ka ndodhur shpesh që njerëzit më flasin me buzëqeshje e më thonë: “Na duket sikur të njohim prej vitesh”, ose mbajnë mend emisione të caktuara, batuta, të ftuar e t`i kujtojnë. Reagimet pozitive ku publiku të tregon se na ndjek dhe qëndron me ne pasditeve, mua më kënaq pa fund.
– Çfarë ka ndryshuar brenda teje, pasi u bëre mami?
– Të bërit nënë qenka një proces i çuditshëm në vazhdimësi. Është një ndër ato gjëra që ti nuk do mundesh dot kurrë t`i parashikosh se si do të jenë. Edhe ndjesitë janë të tilla. Herë më duket sikur unë jam po unë, pa asnjë ndryshim, por kur në mënyrë të pavetëdijshme kuptoj te vetja që në mendimet e mia rrotullohet vetëm Enio dhe me mikeshat e mia flas vetëm për të, kuptoj që nuk jam më njësoj. Vitet e para nuk janë të lehta dhe çdo nënë sakrifikon shumë. Në këtë pikë, them se jam bërë më e fortë, por nëse më ndodh që nga telefoni të dëgjoj zërin e tim biri që mund të jetë duke qarë, nuk di se çfarë ngjyre mund të bëhem në fytyrë. Dhe, këtu kuptoj të kundërtën, nuk jam bërë e fortë, përkundrazi, tejet e dobët. Fëmija të mund, është dashuri e pakrahasueshme e cila të sfidon çdo ditë, por është nga ato dashuri të veshura me krenari dhe që do ta përsërisja për të një miliontën herë.

GARDEROBA E ANILËS
– E rifreskon shpesh garderobën tënde?
– Nuk jam tip i fiksuar pas rrobave apo shopingut. Unë blej kur më duhet, kur kam nevojë për diçka të re, kur ndryshohen stinët, kur del ndonjë tendence e re në modë që më pëlqen. Nuk kam një moment fiks që ua kushtoj blerjeve. Mund të dal për një kafe, shoh diçka që më pëlqen dhe e blej (nëse kam para me vete), ashtu sikurse mund të dal me mendje për të blerë diçka dhe përfundoj duke blerë fruta e perime.
– Cila stinë e vitit të stimulon më shumë për të veshur?
– Vera, pa diskutim. Aty jam e lirë të vishem siç më pëlqen: Lehtë, fresk, ngjyra. Vera është e bukur dhe rrobat të përkëdhelin bashkë me diellin (përjashtuar faktin që nuk ke shanse të mbulosh ndonjë kile më shumë në trup me anë të veshjeve, ndaj është momenti për të filluar dietën).
– Cila pjesë e ditës të stimulon më shumë?
– Mëngjesi është i preferuari im! Mëngjesi herët që nis me vrap në natyrë, një kafe të qetë dhe kam fituar energjinë e mjaftueshme për të përballuar edhe ditën më të ngarkuar. Në mëngjes, bëj gjithçka, deri te detyrat brenda shtëpisë, ndaj e quaj të rëndësishëm për ta nisur mbarë që të kem kohë dhe dëshirë t’i bëj në të njëjtën mënyrë edhe detyrimet e tjera që më presin në punë e në familje sërish.
– Sa e fiksuar është Anila pas veshjeve? Je më e fiksuar pas këpucëve, kapeleve, veshjeve?…
– Nuk jam e fiksuar aspak. Për mua, veshja është në funksionin tonë. Këpucët bëjnë përjashtim sepse kanë lidhje më të drejtpërdrejtë me mirëqenien dhe komoditetin, por do ishte më mirë të fiksohesha pas materialeve sesa pas modës. Gjithçka është funksionale. Nëse më duhet kapele, marr kapele; nëse më duhet çantë, marr çantë. Çfarë më shërben, por jo çfarë më fikson.
– Çfarë nuk mungon asnjëherë në garderobën tënde?
– Xhinset janë ato që mbizotërojnë. Është veshja ime më e zakonshme, ndaj edhe ka të dedikuar hapësirën më të madhe në garderobë.
– E kundërshton ndonjëherë drejtorin estetik të Vizionit për ndonjë nga veshjet që ai përzgjedh për ty?
– Jo, nuk më ka ndodhur asnjëherë. Kam rreth 6 vjet apo më shumë që punoj me Ardi Asllanin dhe kam besim të plotë në shijet, aftësitë dhe profesionalizmin e tij. Edhe kujdesi për imazhin është një punë në grup. Madje i falënderoj Ardin dhe grimieret, Eldën dhe Mondën sepse shpesh komplimentet për dukjen i marr unë, kur në fakt është meritë e tyre.
– Çfarë blen më shpesh kur del për shopping?
– Unë dal me ide të qarta, kështu që mbaroj punë shpejt dhe nuk shpenzoj më shumë seç duhet. Theksoj, jam me origjinë gjirokastrite! (Qesh) Blej çfarë kam vënë si qëllim. Më duhet një fustan, këpucë apo çantë, varet nga prioritetet dhe për çfarë është në krizë garderoba.
– Kush të shoqëron në daljet e tua për shopping?
– Jam praktike, nuk vonohem me orë të tëra nëpër dyqane. Jam gati të blej edhe pa provuar, aq shumë më bezdis kjo pjesë, ndaj kush të mundet më shoqëron. Zakonisht, dal me time motër dhe përfundoj të jem unë duke pritur e ajo duke blerë.
– Thuhet se pasi lind një fëmijë, më shumë i përkushtohesh atij, edhe në blerjet e tua… E vërtetë?
– Oh, kjo është e sigurtë! Për Enion, i shëtis një më një dyqanet me veshje për fëmijë. Kjo po më jep kënaqësi. Kështu ka qenë që në fillim, kur Enio ende s’kish lindur, por kisha filluar të bëja blerjet e para gjithë emocione.
– Sa palë atlete të tuat numëron?
– Altetet nuk janë të prëferuarat e mia në jetë. Numëroj dy palë, të cilat i përdor për vrap.
– Cili është stili yt në veshje, i cili sigurisht, reflekton edhe pjesë të karakterit?
– Mendoj që kam një stil të thjeshtë, pa ngarkesa e ekstravaganca. Jam pro komoditetit dhe jo sakrificave për të kënaqur sytë e njerëzve.
– Shprehja më e bukur që ke dëgjuar apo lexuar për veshjet?
– Shprehje ka shumë, por po veçoj më populloren dhe të zgjuarën për mua: Njeriun prite nga veshja, e përcille nga mendtë.

Advertisement

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

A mund të aplikoj ende për studime në Itali?

Next Post

Egzon Pireci: Idealja ime, si Rozana Radi

Advertisement