Në këto boom hitesh verore që po publikohen pothuajse çdo ditë, kënga e Xhesika Polos ka arritur të tërheqë vëmendjen e të gjithëve. “Turn u on” titullohet kënga e cila me siguri, do t’ju shoqërojë gjatë gjithë verës. Xhesika apo ndryshe, vajza kameleon, na tregon për muzikën, veten dhe marrëdhënien me tezen e saj, Valbona Memën…
Mia.B: – Xhesika, këtë herë vjen me një këngë tepër shpërthyese verore. Sa kohë kishe që punoje për të?
Xhesika Polo: – Kënga dhe klipi në total më ka marrë shumë kohë sepse jam marrë me çdo detaj që të dilte perfekt ashtu siç edhe doli. Kishte shtatë skena dhe duhet të kujdeseshim për secilën që të jepej ai rezultat që u pa.
– Në këtë boom hitesh verore, solle edhe ti hitin tënd. Çfarë e dallon atë nga të tjerat?
– Fakti që jam artiste e re dhe sjell gjithmonë risi, origjinalitet. Nuk kam frikë të guxoj.
– Thonë që kur këndon ti live, duhet të kesh kujdes se të thyhen xhamat e syzeve nga potenca e zërit tënd. Vërtet?
– Jo vetëm xhamat e syzeve, por edhe të ambientit. (Qesh)
– Besoj të kanë thënë se ti ke një ngjashmëri me Pinkun në paraqitje, ndërsa në zë, me Tina Tërnerin. Si ndihesh nga kjo?
– Ka dy anë; nga njëra anë ndihem e vlerësuar që më krahasojnë me Pinkun dhe Tina Tërnerin sepse janë këngëtare botërore që kanë lënë dhe vazhdojnë të lënë gjurmë. Nga ana tjetër, unë dua të njihem si Xhesika Polo dhe vetëm si vetja ime.
– E ke ndjekur publikimin e këngëve të kolegëve? Nëse do të bëje një hitparade të tyre, përveç këngës tënde, cilën do të vije në vend të parë?
– Dafina ft. Ledri “I got ur back”. (Buzëqesh)
– Cilën nga këngët e këngëtarëve botërorë e ke patur më të vështirë për ta kënduar?
– Tina Tërner “Golden Eye”.
– Në këngët e kujt (përveç këngëve të tua) e gjen veten?
– Është relative… Janë shumë konponentë që e bëjnë një këngë të më bëjë për vete, nuk mund të zgjedh.
– Po nga këngët popullore, që i këndon në koncerte?
– Këngët e tezes sime, Valbona Memës. (Buzëqesh)
– Çfarë të reje mundohesh të sjellësh çdo herë me interpretimet e tua?
– Në çdo interpretim mundohem të fus copëza nga vetja ime, nga mënyra se si ndihem. Nuk ka gjë më të pastër sesa të përcjellësh te publiku atë çka ti vërtet je. (Buzëqesh)
– Është më e vështirë të futesh në muzikë apo të jesh pjesë e saj? Me ty, si ndodh?
– Të futesh, është e vështirë. Të gjithë mund të bëjnë një klip, ama varet sa mbështetesh, sidomos ne artistët që jemi akoma në hapat e parë apo të dytë të karrierës.
– Me famën, është e pashmangshme tërheqja e vëmendjes. Kur ndodh më tepër të jesh në qendër të vëmendjes?
– Te klipet e mia dhe në evenimentet e mëdha që organizohen. (Buzëqesh)
– Ti më jep përshtypjen e një kameleoni të vërtetë kur bëhet fjalë për paraqitjen dhe lukun tënd… Me ç’qëllim e bën këtë?
– Është një mënyrë shprehjeje… Si ndihem, bëhem.
– Çfarë të pëlqen të marrësh nga jeta dhe çfarë i shijon më shumë asaj?
– Nuk dua të humb asgjë nga çka ajo më ofron.
– Kur diçka të shqetëson, cili është personi i parë ku mbështetesh dhe rrëfehesh?
– Mamaja ime. (Buzëqesh)
– Si e shpreh nervozizmin dhe cila është fjala që e ke në majë të gjuhës?
– Jam nga ata persona që s’para shprehin nervozizëm. Përgjithësisht, jam natyrë e qetë.
– Është më mirë apo më keq të jesh mbesa e një këngëtareje të muzikës popullore?
– Absolutisht më mirë. Bëhet fjalë për një këngëtare si Valbona Mema, që cilësohet mbretëreshë e muzikës së Shqipërisë së Mesme dhe unë e kam për krenari që jam mbesa e saj. Është një shembull për t’u ndjekur.
Ti dhe Valbona Mema
– Ngjani në…
– …tipare.
– Dalloni në…
– …karakter.
– E ndihmoni njëra-tjetrën për…
– …anën artistike.
– Këndoni në të njëjtin koncert vetëm nëse…
– …na ftojnë.
– Keni kaluar një moment të vështirë kur…
– …ajo është në pozita të tjera dhe unë në të tjera. Nuk kemi pasur një moment të vështirë të përbashkët.