Lindja e një fëmije është në përgjithësi konkretizimi i një dëshire të thellë dhe të fuqishme. Ajo është gjithashtu, në shumicën e rasteve, fryt i një historie dashurie, i një takimi mes një burri dhe një gruaje. Por dëshira për t’u bërë me fëmijë fsheh nganjëherë mungesa dhe aspirata shumë të pandërgjegjshme, që kanë lidhje me historinë e çdo gruaje. Nëse ëndërroni të bëheni me fëmijë, nëse jeni shtatzënë ose keni fëmijë, përgjigjiuni 10 pyetjeve tona për të mësuar nga vjen dëshira juaj për t’u bërë nënë…
1. Në një park shihni një nënë të re, të çorientuar, e cila mban në krah një fëmijë që qan pa pushim. Çfarë bëni?
a. Ndaj me të ankthin që ka
b. I afrohem dhe mundohem ta bëj fëmijën të pushojë
c. Kjo më duket e padurueshme.
2. Kur ishit e vogël, ju pëlqente të luanit me kukulla?
a. U tregoja atyre gjithë sekretet e mia
b. Kisha kukulla me tonelata
c. Preferoja lojërat për djem
3. Çfarë raporti keni me nënën tuaj?
a. Jam betuar se nuk do të veproj si ajo
b. Është një grua dhe nënë e mrekullueshme
c. Si bebisiter, ajo është shumë e mirë
4. Çfarë thoni ju për burrin tuaj?
a. Ai nuk është shumë i dashur
b. Mund të mbështetem tek ai
c. Punon si i çmendur
5. Si silleni kur duhet të merrni përsipër përgjegjësi të reja?
a. Stresohem
b. I marr natyrshëm
c. E kam në dorë situatën
6. Si e imagjinoni ju beben tuaj të ardhshëm?
a. Një dhuratë prej qiellit
b. Diçka të ëmbël dhe të butë
c. Një engjëll të vërtetë
7. Partneri juaj sheh një karrocë fëmije në rrugë. Si reagon ai?
a. Nuk e vë re fare
b. Bën sikur po i jep karrocës
c. Vë re markën e karrocës.
8. Çfarë jua zgjon më shumë ankthin?
a. Frika nga braktisja
b. Vrima e ozonit
c. Steriliteti
9. Jeni shtatzënë, por po kapërceni një periudhë të vështirë me partnerin:
a. Mendoni se bebja do t’ju bashkojë
b. Mendoni se këto ulje-ngritje bëjnë pjesë në jetën e çdo çifti
c. Sado t’ju kushtojë, ju shfaqni një pamje të lumtur.
10. Në ëndrrat tuaja prej adoleshenteje, e imagjinonit veten:
a. Me një fëmijë, qoftë edhe pa baba
b. Në krye të një familjeje të madhe
c. Shefe ndërmarrjeje.
Rezultatet
Nëse keni më shumë përgjigje a. Ju i doni fëmijët për të mbushur një boshllëk
Dëshira juaj për fëmijë është shumë e fortë dhe ju e dini që tani se ç’nënë do të jeni për të: E dashur, e kujdesshme, e dhënë e gjitha pas tij! Mbase do të jeni një nënë ndryshe nga ajo që keni pasur vetë… Jeni gati t’i jepni gjithçka bebes suaj dhe e prisni si dhuratën më të bukur që mund të merrnit. Por, kjo dëshirë është kaq e fortë, sa do të ishte e dobishme të kuptonit arsyet. Mbase e prisni shumë këtë fëmijë për veten dhe jo për të? E ndjeni si një qenie më në fund të aftë për t’ju dashur? Është normale që çdo prind të ketë shpresat dhe ambiciet e veta për fëmijën, por nuk duhet t’i veshë atij rolin e riparuesit, për të mbushur një boshllëk që keni ndjerë në fëmijëri, ose në çift… Për ta pritur me qetësi këtë fëmijë, do të ishte mirë të pyesni veten për arsyet e thella që ju motivojnë, në mënyrë që të dini se cilat varen nga lidhja dashurore me partnerin tuaj dhe cilat, nga fëmijëria dhe historia e jetës suaj, e cila ju përket vetëm juve.
Nëse keni më shumë përgjigje b. Një bebe dashurie
Dëshira juaj për fëmijë i ka rrënjët në dëshirën tuaj të thellë për të dhënë dashuri dhe për t’i dhënë një trashëgimtar partnerit tuaj. Ju e doni partnerin dhe ju duket e natyrshme të bëni një fëmijë së bashku. Mbase mendoni se lidhja juaj mund të marrë fund nëse nuk keni një projekt të përbashkët. Ju e mendoni arritjen e kësaj bebeje si një dhuratë që do t’i sillte më shumë harmoni çiftit. Nga ana tjetër, nuk trembeni nga ideja e një familjeje të madhe; mbase ëndërroni të keni ose keni tashmë shumë fëmijë. Keni arritur në një stad të jetës suaj, kur dini të dhuroni dhe merrni dashuri. Ju nuk i bëni vetes pyetje metafizike (a është momenti i duhur, personi i duhur, etj.); jeni pragmatike. Ky imazh i mirë për veten dhe besimi juaj në çift përbëjnë pa dyshin një fillim të mbarë për fëmijën tuaj. Janë të shumta gratë që pyesin veten nëse do të dinë ta duan fëmijën e tyre, apo a do ta duan aq sa duhet. Për ju, është e thjeshtë: Do ta doni me një dashuri të pakushtëzuar! Megjithatë, kujdes, mos i dedikoni gjithë vëmendjen tuaj që në lindje. Disa gra e kanë të vështirë të bashkërendojnë rolin e nënës, gruas, të të dashurës. Lëreni partnerin t’ju ndihmojë të gjeni këtë ekuilibër!
Nëse keni më shumë përgjigje c. Lindja e një fëmije përbën një sukses për ju
Ju e dëshironi thellë në shpirt një fëmijë, deri në atë pikë sa, nëse nuk arrini ta bëni, do të zhgënjeheshit shumë, ose do ta merrnit si një dështim, pasi ky bebe është futur në projektet e jetës suaj, që i keni organizuar me durim. Ardhja e tij vetëm sa e forcon ndjenjën tuaj të suksesit. Ju ëndërroni një familje të përkryer, pra, edhe një bebe të përkryer. Por kujdes, në këtë fantazi, bebja reale merr mbi vete një barrë të rëndë që i përket, në fakt, bebes imagjinare. Psikanalistët mendojnë se duhet të ndahesh njëherë e mirë nga fëmija ideal. Nëse do të jeni shumë kërkuese, do të jetë më e vështirë për ju.
Dëshira juaj për fëmijë është reale, por mundohuni të zbuloni arsyet e vërteta që ju shtyjnë për këtë dhe, mbi të gjitha, imazhin që keni krijuar për këtë bebe. Mësoni ta pranoni ashtu siç është dhe jo ashtu si duhej të ishte. Mbështetuni te partneri për t’ju ndihmuar ta prisni këtë fëmijë me sa më shumë qetësi. Kështu, do të pasurohet edhe aventura juaj familjare!