Është vërtet e çuditshme, por faktin se Toka jonë ka bërthamën e vet, shkencëtarët e kanë zbuluar vetëm në shekullin e XX. Në fillim mendohej se “bërthama” ishte e lëngshme. Pastaj doli varianti se lënda e atjeshme është në formë amorfe. Në vitin 2005, shkencëtarët arritën të vërtetonin se qendra (bërthama) e Tokës është e ngurtë, por e rrethuar me një lëndë të lëngshme, rrezja e së cilës e kalon dy herë atë të Hënës. Mbetet ende enigmë përbërja e bërthamës së fortë, në të cilën, sipas hipotezave, mbizotëron hekuri. “Ky ishte një problem i rëndësishëm dhe parimor për shkencën, tha në një konferencë shtypi specialisti Johanson. Neve na intereson fenomeni, kur pas tërmeteve, valët arrijnë pikat e kundërta të planetit me shpejtësi të ndryshme, në një cep shpejt dhe në një tjetër, më ngadalë. Ne kemi supozuar se këto ndryshime janë pasojë e ndërtimit të vetë bërthamës. Por, a është kështu me të vërtetë? Eksperimente në laborator është e pamundur të bëhen për kushtet e brendshme të vetë bërthamës (atje temperatura është e lartë, njësoj si në sipërfaqen e Diellit, ndërsa presioni arrin në 3 milionë e 700 mijë atmosferë). Mund të ndërtohet, sigurisht, një model kompjuterik dhe ne e bëmë atë, por me këtë rast, mundëm të mësonim vetëm cilat janë kushtet (temperaturat dhe presioni, ndërtimi i atomit të hekurit, etj.), ndërsa të gjitha atomet e lëndëve nga përbëhet bërthama e Tokës, u paraqitën në forma krejtësisht të çrregullta. Kudo dilnin në plan të parë atomet e hekurit… Ato eklipsuan atomet e lëndëve të tjera. Por, lind natyrshëm pyetja: Përse na hyn në punë neve njohja e bërthamës së Tokës sonë me kaq hollësi? Kërkimet kanë interes teorik edhe praktik. Në radhë të parë, për të parashikuar tërmetet. Shkenca pohon se nuk është në gjendje të parashikojë një tërmet dhe të shpëtojë njerëzit nga katastrofat. Natyrisht, me nxjerrjen e modelit kompjuterik, mund të zbulohen disa procese se si ndikon bërthama në proceset sizmike, por ato janë ende të pamjaftueshme, të mangëta (të tjerat, thamë, mbeten enigmë, për shkak të temperaturave të larta në të cilat zhvillohen natyrshëm proceset). Përse tjetër mund të hyjnë në punë studimet e qendrës së Tokës? Nga këto studime, do të dalin të dhëna për fushën manjetike të planetit nga e cila varet, për shembull, siguria e satelitëve të ndërlidhjes dhe probleme të tjera që lehtësojnë kërkimet, që nga lartësitë kozmike, siç është praktikisht “lundrimi” për në planetet e tjera, zbulimi i mineraleve të dobishme, parashikimi i motit, ndjekja e proceseve natyrore të zhvillimit të vetë planetit dhe shumë të tjera… Por, a mundet njerëzimi tani, në gjendjen që është shkenca dhe teknologjia, të penetrojë në “zemrën” e Tokës? Jo, është ende shpejt! Çdo orvatje do të interpretohet si “hapje e një pusi” për të hyrë në ferr. Ka disa projekte për t’u futur thellë në qendër të Tokës, por ato ngjajnë më shumë me subjektet e librave fantastiko-shkencore, madje edhe me përçartje e çmenduri. Ndërsa bërthama e Tokës mbetet ashtu siç ishte, një realitet që mbart shumë sekrete dhe enigma, të cilat për shkak të temperaturave të lata dhe presinit të madh, veçanërisht nuk mund të studjohen. Ç’mund të sjellë e ardhmja? Kjo ka lidhje me shumë faktorë të zhvillimit të shkencës dhe në radhë të parë nga zgjidhja teorike dhe përparimi i teknolgjisë praktike të shkencës dhe njerëzimit në përgjithësi…
Advertisement