Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Nusja e vëllait u bë xheloze për mua!

Para 20 vjetësh, lindi një vajzë me emrin Ada, domethënë, linda unë. Është një histori e dhimbshme, por e vërtetë, si çdo histori shqiptare. Në atë kohë, raportet vjehrrë-nuse nuk ishin edhe aq të mira. Sipas kohës, çfarë thoshte vjehrra, bënte nusja, pa pyetur dy herë dhe pa kundërshtuar. Isha e pambrojtur dhe pa ngushëllim, isha thjesht një foshnje që kërkonte nënën e saj, por shumë pak e shikoja sepse gjyshja ime nuk donte që ajo të më kushtonte vëmendje, por t’i rrinte vetëm asaj në këmbë për çdo gjë. Në momentin që zgjohesha nga gjumi, gjyshja ime kërkonte çfarë t’i thoshte mendja, në mënyrë që mamaja ime të mos rrinte me mua dhe unë u rrita jetime, me prindërit gjallë. Kisha një kushëri, djalin e xhaxhait, që në atë kohë ishte 10 vjeç. Ai ishte e vetmja shpresë për mua, një dritë në mes të errësirës. Kishte sytë jeshilë dhe flokët kaçurrela, ishte shumë i pashëm. Doja s’doja unë, shumë pak e shikoja time më, kështu që u rrita nga kushëriri im, Elvisi, me të cilin kalonte fëmijëria ime. Erdhi koha që mamaja ime të kërkonte të drejtën e saj për të kaluar në shtëpinë tonë vetëm unë, ajo dhe im atë. Dëshira u plotësua, por unë nuk qëndroja dot pa Elvisin dhe as ai pa mua, kështu që ai, u transferua në shtëpinë tonë. Pas 5 vjetësh, lindi im vëlla. Ndihesha pa fund e lumtur sepse tani kisha dy vëllezër. Çdo gjë shkoi për mrekulli për plot 17 vjet. Ditën e 17 vjetorit tim, ndodhi diçka ose më mirë, gjithçka!
Elvisi u fejua me një vajzë që jetonte në Amerikë dhe atë ditë, të dy më uruan për ditëlindje. Bashkangjitur librit me poezi që më kishte bërë dhuratë Elvisi, ishte edhe një letër që shprehte dashurinë e një vëllai për motrën që nuk do ta harronte kurrë dhe nuk do ta linte kurrë të pambrojtur. Ajo letër, në një mënyrë apo në një tjetër, ndryshoi shumë gjëra…
“E dashur Ada, e di që do të të duket e çuditshme kur ta shikosh këtë letër, por nuk rrija dot pa të shkruar. Është e vërtetë që do të iki, por si këtu, edhe në Amerikë, ti e di shumë mirë që unë do të të dua gjithmonë si motrën që Zoti nuk ma dha kurrë, por të dërgoi ty tek unë. Së bashku kemi kaluar momente të paharrueshme, pjesën më të bukur të jetës që është fëmijëria, por ka pasur edhe disa incidente dhe këto për fajin tim, pasi ti nuk gabove kurrë në lidhje me mua. Ti ke qenë perfekte për çdo gjë, duke filluar që me të fejuarën time, pasi ajo më njohu falë teje. Të premtoj që do të kujtohem për ty çdo ditë dhe do të bëj të pamundurën që për gjërat më të rëndësishme të të gjendem pranë. Ti e di paktin tonë: Premtimet mbahen gjithmonë! Më fal, shpirti im, e di që të dy do të vuajmë nga kjo largësi, por ajo nuk do të mund të ndryshojë dot asgjë, mjafton që ti të mos mërzitesh kurrë, pasi edhe në skajet e botës të jemi, duhet një përjetësi që të na ndajë. Ne kemi më të rëndësishmen, kemi njëri-tjetrin dhe nuk është nevoja të të them sa të dua. Të lutem, buzëqesh gjithmonë, ajo është lumturia për mua, të ndjej që të gjitha pakënaqësitë, ti do të mund t’i mposhtësh me buzëqeshjen tënde”.
Por a ishin të vërteta ato fjalë që shkruheshin në letër?! Ajo letër është lexuar dhe stërlexuar mijëra herë deri në pikën kur nuk kisha më fuqi të qaja dhe as ta lexoja më. Isha futur në një rrugë pa dalje; duhet të ishte mosha më e bukur, por gjithçka më dukej se ndryshoi brenda ditës. Erdhi dita dhe im vëlla mori një hap të rëndësishëm në jetën e tij, u martua, por unë nuk isha e pranishme. E lënduar siç isha, mbaj mend që vetëm kam ecur nëpër shtëpi me orë të tëra dhe në momentin që hyra në dhomën time, ku rreth meje ishin fotot tona të fëmijërisë, nuk mbaj mend asgjë tjetër, pasi të nesërmen u zgjova në spital. E sëmurë kaluan tre ditë dhe askush nuk po e kuptonte që mua po më shkatërronte mungesa e tij, jo ndonjë sëmundje. Mbaj mend netët që më zinte gjumi duke pritur telefonatat e tij dhe ngushëllohesha me faktin që do të kujtohej për mua. Kaloi një vit që ndodheshim larg njëri-tjetrit dhe unë fillova të mësohesha me idenë. Ditën e 18 vjetorit tim mora thjesht një sms ku më uronte ditëlindjen, vetëm kaq; asgjë më tepër… Asnjë telefonatë, asnjë këngë ditëlindjeje. Nuk ia dëgjova zërin atë natë kur në të vërtetë, prisja shumë, por nuk mora asgjë. Përfundova duke marrë zhgënjimin e parë prej tij. U strehova mes kujtimesh që herë më ngushëllonin e herë më shkatërronin. Lidhja vëllazërore që na bashkonte, u shua dhe askush nuk po e vinte re; vetëm unë dhe ai. Me rastin e ditëlindjes së tij, i kisha shkruar një poezi. Atij i pëlqenin poezitë e mia, e dinte që mua më pëlqente të shkruaja dhe se një ditë do të botoja librin tim të parë; për këtë më inkurajonte gjithmonë. Ishte një poezi e shkruar me dashurinë e motrës për vëllain, por ky ishte shkaku i gjithë asaj që ndodhi më pas. Nusja e tij “plasi” nga xhelozia ndaj meje. Ishte e pashmangshme. Sipas saj, unë i merrja shumë kohë Elvisit, ndërkohë që unë nuk ia kisha dëgjuar zërin për ditë të tëra. Nuk i kushtova shumë rëndësi këtij fakti, pasi më dukej absurd dhe për këtë ua vura fajin problemeve që ajo mund të kishte në punë apo familje. Me lindjen e vajzës së tyre, ajo u bë më keq dhe më thoshte se “Elvisi ka për çfarë të mendojë tashmë, se e ka një familje dhe nuk ka më nevojë për ty”. Edhe sot e kësaj dite shokohem nga mendimet e saj. Nuk e dija që motra për vëllain vuan kaq shumë, nuk e dija që isha e gatshme të hiqja dorë nga lumturia ime për të. Kjo nuk është asgjë krahasuar me rrjedhën që morën ngjarjet më pas. Vëllai im u kërkoi familjarëve të mi të mos i telefonoja më, sepse nusja e tij i kishte kërkuar të zgjidhte mes meje dhe asaj. Si mundi ajo, kur është motër vetë? Si mundi të bëhej xheloze për mua, kur unë bëra të pamundurën që ajo të ishte e lumtur me Elvisin? Si mundi ai që m’u betua se s’do të më linte kurrë vetëm, kur ai më rriti vetë dhe më mësoi që pavarësisht gjithçkaje, të buzëqesh? Epo, ato 17 vite jetë, m’i mori për një natë të vetme! Sigurisht që telefonata e tij nuk u prit shumë mirë nga familja ime. Për ta, Elvisi ishte një djalë i dashur dhe shumë i zgjuar për të marrë këto vendime absurde, jo vetëm për mua, që më kishte rritur, por për këdo tjetër.
Edhe pse kanë kaluar 2 vjet që nuk flasim, mua vazhdom të më dhembë kjo gjendje. Nuk jam në gjendje ta fal atë, pasi atë natë, ashtu siç i kushtova jetën, ashtu edhe e vrava me duart e mia. Në nerva e sipër, e mora në telefon: “Alo, Elvis, ti je?”. “Po, Ada, unë jam, si të kam, mirë?!”. “Nuk të mora për të dëgjuar gënjeshtrat e tua. Sonte do flas unë, ti vetëm dëgjo!”. “Jo, unë dua të shpjegohem si ka qenë situata…”. “Nuk dua t’ia di se çfarë thua ti. Unë të mora thjesht për të të thënë se nëse deri dje ke qenë idhulli im, sot, për mua, je i vdekur. Nëse dikur kam patur dy vëllezër, sot kam vetëm një. Data 15 nuk simbolizon më asgjë për mua”. Pas kësaj bisede, para se ta mbyllja telefonin, ndjeva që ai po qante dhe më tha vetëm kaq: “E di dhe e meritoj, faleminderit”. Për një kohë të gjatë, kam shmangur çdo bisedë rreth tij në familjen time deri në javët e para të pushimeve verore, kur mora vesh se do të kthehej në Shqipëri pas kaq vitesh. Nuk mund ta mohoj që ky fakt më gëzoi. Marrëdhënia jonë nuk ishte më si më parë. Ai ishte mirë dhe kishte një familje të lumtur, por unë nuk dija se si do të ishte komunikimi ynë kur të takoheshim.
Pushimet e verës po afroheshin dhe si çdo vit tjetër, vendosëm që familjarisht, t’i kalonim në bregdet. As atë vit nuk mungoi bashkimi i familjeve të hallave dhe xhaxhallarëve. Kishim vendosur që të gjithë muajin korrik ta kalonim me pushime. Ditët që Elvisi do të vinte, po kalonin shumë shpejt. Ai tani ishte larguar pothuajse nga të gjithë sepse fëmijët dhe gruaja e tij “e dashur” kishin më shumë nevojë për të sesa prindërit dhe të afërmit e tij. Të gjithë ishin mësuar me këtë situatë, duke u justifikuar se jeta dhe puna në një vend të huaj është shumë e vështirë. Ne mendonim se edhe atë vit si vitet që kishim lënë pas, ai s’do na bashkohej që të kalonte pushimet me ne, por me sa duket, i kishte menduar shumë mirë gjërat dhe surprizën që do të na bënte duke ardhur pa lajmëruar se kur. Atë mëngjes po bëheshim gati për të bërë vrapin përgjatë bregut dhe për këtë, unë isha gjithmonë e para, kur para portës së shtëpisë së pushimit, pashë një makinë që kishte ndaluar dhe po nxirrnin çantat dhe gjërat e plazhit. “Pushuesit po shtohen akoma më shumë”, mendova, ndërsa po prisja që pjesa tjetër e familjes të bashkohej me mua. Në atë moment, u hap dera e shtëpisë dhe drejt meje vrapoi vajza e tij, që në atë kohë ishte vetëm 3 vjeçe! Menjëherë pas saj, u shfaqën ata të dy, me një buzëqeshje të madhe në fytyrë, sikur mes nesh të mos kishte ndodhur asgjë. “Ada, shiko kush do t’ju bashkohet këtë vit për pushime!”, tha ai dhe u bë gati të më përqafonte. Në sytë e tij nuk mund të fshihej gëzimi që po më takonte. “Ku janë të tjerët? Apo asnjë nuk e dinte për ardhjen time sot?”. Nuk po flisja fare. Për një moment, m’u dukën si dy të huaj dhe u nisa për t’i thënë: “Më falni, po keni hyrë në shtëpinë e gabuar”, por këto mendime m’u ndërprenë nga pjesa tjetër e familjes. Kur i panë, u gëzuan shumë; për ata ishte një surprizë shumë e bukur. Edhe për mua ishte një mrekulli, por nuk e dhashë veten. Kisha një inat të pashmangshëm me atë dhe gruan e tij. Ajo ditë kaloi bukur. Të gjithë i kishin sytë tek ata dhe vajza e tyre, Era, që ishte hera e parë që e takonin. Edhe unë doja t’i afrohesha, por krenaria nuk më linte, ndonëse ai fëmijë nuk ishte fajtor për asgjë nga ato që kishin ndodhur mes nesh. Elvisi kërkonte çdo rast për t’u përballur me mua dhe për të më “sqaruar” se si qëndronin gjërat, por çdo fjalë që ai do të nxirrte nga goja, do të ishte thjesht një justifikim. Gjithsesi, kësaj përballjeje nuk mund t’i shmangesha më. Fundja, një sqarim ishte i nevojshëm dhe do të na bënte mirë të dyve.
Atë natë ishim mbledhur te shtëpia ime e pushimit për një darkë sepse ditët e fundit të pushimeve po afroheshin. Mes gjithë atij gëzimi për ardhjen e djalit, nipit dhe vëllait tim, dukej se të gjithë i kishin harruar ato konfliktet që kishin ndodhur më parë. Muzika nuk mungonte, bisedat gjithashtu dhe darka po shkonte shumë mirë, deri në momentin kur Elvisi foli: “Jam shumë i lumtur që ndodhem sot këtu dhe që këto pushime i kaluam bashkë. Më kishin munguar shakatë me të gjithë ju dhe lojërat që bënim. Ky vend na ka bashkuar gjithmonë, pavarësisht largësisë sime. Unë i kujtoj gjithmonë… dhe sytë e tij u kthyen nga unë. Dhe ty, motër, të kujtoj gjithmonë, edhe pse s’kam patur mundësinë të flasim…”. Justifikimet e tij po bëheshin aq të padurueshme, saqë për një moment mendova se e gjitha kjo ishte një lojë nga ana e tij. “Me siguri, të gjitha këto, janë thjesht për t’u shfajësuar”, ia ktheva. Të gjithë sytë ishin drejtuar nga unë. “Jam mësuar me këto fjalimet e tua të pakuptimta, vazhdova, pa lënë njeri të më ndërpriste. Preferon t’i bindesh xhelozisë së sëmurë të gruas që ke në krah sesa dashurisë që ka motra për vëllain”. Heshtja po bëhej akoma më mbytëse… “Çdo gjë për mua përfundon këtu. Faljen time nuk ke për ta patur kurrë!”, thashë dhe ika. Ajo darkë për mua u mbyll aty. Të nesërmen do të ktheheshim nga pushimet dhe çdo gjë do të vazhdonte normalisht, por asgjë nuk kishte kthim mes ne të dyve… Ai tashmë ka një familje të kompletuar dhe për këtë më vjen mirë, por e gjithë ajo dashuri që kisha për të, më është kthyer në mllef dhe kështu ka për të mbetur gjithmonë…

 

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Pandora: Jeta ime në Zvicër dhe fati në familjen e burrit

Next Post

Si është “zemra” e Tokës sonë?

Advertisement