Ok, Hana Cakuli është një vajzë simpatike! Po pastaj? Është edhe e talentuar… Pastaj? Është kaq e thjeshtë, kaq e vërtetë dhe ka një buzëqeshje ngjitëse… E ka emrin Hana, si hëna në qiell, por me pozitivitetin që përcjell, ia shton rrezet edhe diellit…
Arjana Bregu: – Përshëndetje, Hana! Gjithmonë kam dashur të të pyes, ç’kuptim ka emri yt?
Hana Cakuli: – Është thjesht simbolizim i Hanës në qiell. (Buzëqesh)
– Kur ishe e vogël, si kush doje të bëheshe ti, Hana?
– Doja të bëhesha si Maraja Keri. Jam rritur me këngët e saj dhe kam mësuar shumë nga ato.
– Shpirtërisht dhe mendërisht, për çfarë do të ishe e gatshme tani?
– Për një udhëtim me automobil apo karavan, nëpër rrugët e gjata të Teksasit. Në sfond do të kisha muzikë gjatë gjithë kohës, do të ndalesha të haja nëpër pompat e benzinës dhe do të lahesha natën në oqean.
– Ç’ndjesi të ngjall dikush që stonon, ndërkohë që mendon se po këndon?
– Më vjen keq për të. Të stonosh e të mos dish që po stonon, tregon një problem me veshin e këngëtarit. Di të them se nuk do të doja të më ndodhte mua kjo gjë.
– Duke gjykuar daljet e tua të rralla, të krijohet përshtypja se aktualisht, diçka po ndodh… Ku ke humbur?
– Daljet i kam të rralla për dy arsye: 1. Sepse kam gjithmonë profesionin tim të parë me të cilin merrem; 2. Se duhet kohë të gjej këngën që me të vërtetë më pëlqen dhe që vendos ta publikoj. Domethënë, po, po ndodhin shumë gjëra në prapavijë, “gatuhet” gjithmonë diçka e bukur. (Buzëqesh)
– Për shijet e tua, është më përmbushëse një opera apo një pjesë e mirë teatrale?
– Një pjesë e mirë teatrale.
– Ka ndonjë krijim të kohëve të fundit në përputhje me shijet e tua, që e dëgjon me kënaqësi?
– Ka mjaft. Unë edhe dëgjoj zhanre të ndryshme, këngëtarë e grupe të ndryshme në stilet e tyre, por mund të them që kohët e fundit jam e obsesionuar pas grupit Naturally 7, të cilët kanë arritur të krijojnë tinguj instrumentesh me vokalet e tyre.
– Cila është për ty ngjarja më e bukur muzikore në vend?
– Hëm, më pëlqejnë të gjitha. Për shembull, për festivalet me karakter garues mendoj se secili është i mirë për karakteristikën e vet, por ajo që i përmbledh të gjitha në një vend e të kujton këngë të bukura, si shqiptare, ashtu edhe të huaja, është “Këngët e Shekullit”, ”100 Vjet muzikë”. Mendoj se bëjnë një punë të mirë me përzgjedhjet e këngëve dhe realizimin e këtij shou.
– Ndodhin shpesh gjëra interesante në jetën tënde?
– Ndodhin shpesh gjëra të këndshme, nganjëherë më interesante, nganjëherë më normale, por ka rrallë edhe momente totalisht të jashtëzakonshme, të cilat më përmbushin. Siç thoshte gjithmonë profesori im i Gjuhës Italiane, Edi: “Për këto momente jetohet jeta”.
– Cila ka qenë periudha më e bukur në jetën tënde?
– Gjithmonë në këtë pyetje them: “Tani”. E shijoj çdo periudhë. Më ka pëlqyer të jem nxënëse, më ka pëlqyer koha e fillimit në skenë, më ka pëlqyer koha si studente, më ka pëlqyer krijimi i mëtejshëm i imazhit tim, po më pëlqen tani jeta në Mynih dhe jam e gatshme të shijoj edhe periudhat e tjera që do të m’i sjellë jeta. Gjithçka është speciale në mënyrën e vet. Jam shumë filozofe, apo jo? Por, me të vërtetë i mendoj këto gjëra! (Qesh)
– Një eksperiencë e pakëndshme…
– Kur ndonjë bashkëpunëtor ka premtuar diçka dhe ka bërë totalisht të kundërtën.
– Çfarë thuhet për njerëzit me buzëqeshje të bukur?
– S’e di saktësisht çfarë njerëz të ndryshëm thonë, por di shprehjen e Hollivudit “One million dollar smile”, që thuhet për vlerën e asaj buzëqeshjeje.
– Komentet më të zakonshme rreth këngëve të tua janë: “të lë pa frymë”, “Të mbërrin gjer në shpirt”, “Je e paarritshme Hana” e të tjera si këto… Tregohesh e vëmendshme ndaj reagimeve që shoqërojnë këngët e tua dhe sa përputhen ato me pritshmëritë e tua?
– Patjetër që u kushtoj vëmendje. Për publikun shfaqem në media dhe me ata dua ta ndaj këngën time. Në momentin që shoh asi lloj komentesh, jam shumë e lumtur, sepse ai është qëllimi: T’i prek në shpirt me këngët e mia! Mendoj se kjo është lidhja më e fortë që mund të krijohet me dëgjuesin.
– Një këngë që ka qenë për ty “dashuri me dëgjim të parë”…
– “Listen” e Bijonses! Të rrënqeth, si teksti, ashtu edhe këndimi i saj perfekt.
– E ke patur gjithnjë ndjesinë se do të përfundoje në këngë?
– Po. Qëkur kam qenë e vogël, kam dashur të këndoj. Ndihem e bekuar që e kam këtë talent dhe rritem shpirtërisht sa herë performoj. Është diçka që e kam ëndërruar gjithë jetën dhe vazhdoj ta ëndërroj.
– Cilat janë ndikimet e tua muzikore?
– Maraja Keri, Uitni Juston, Bijonse, Eta Xhejms, Ela Fixxherald, Lara Fabian, Alisha Kiz, Karo Emerald, Xhorxha, Coldplay, Guano Apes, Emi Uajnhauz, Nora Xhons, Zhejzon Mraz… dhe lista nuk përfundon, por këta janë figurat kyçe që më kanë inspiruar dhe zhvilluar si artiste.
– Këshilla më e mirë gjatë rrugëtimit tënd profesional…
– Të mos dalësh atëhere kur nuk je gati dhe kur nuk është gjithçka 100% në vendin e vet.
– Pjesëmarrje në Top Fest 3, 4 dhe 5, në Kënga magjike 2007 dhe 2008, në “Video Fest” 2008, si dhe në garat republikane të këndimit solo në Mal të Zi, 2006, një CD me këngë popullore të orkestruar në zhanrin xhaz… Kur hedh sytë mbrapa, çfarë mendon?
– Mendoj se ai është veç fillimi i asaj që kam dashur të bëj. Kur shoh prapa, mendoj çfarë të bëj ndryshe dhe çfarë të bëj më shumë përpara. Nuk ngopem dot me prodhim në muzikë dhe me performanca.
– Të qenit moderatore dhe këngëtare, janë dy pozicione që ndërhyjnë te njëri-tjetri?
– Më duket se më shumë ndërlidhen me njëra-tjetrën. Do t’i quaja të dyja si lloje arti. Si këndimi, ashtu edhe moderimi, janë performancë. Të dyja janë performanca që kërkojnë kreativitet, përqendrim, përkushtim, rrjedhshmëri, etj.
– Një program që do të përjetësonte gjithë idetë e tua, filozofinë dhe dëshirën për diçka të bukur dhe domethënëse që mungon ndoshta në ekranet tona?
– Nuk e kam ende ndonjë ide të tillë që do të përjetësonte gjithë idetë e mia, por për shembull, do të doja shumë të ndërlidhja ndonjë akt humanitar për ata që s’kanë me një emision, bashkë me muzikë dhe gjëra të tjera të cilat do t’ua ofroja atyre njerëzve, për t’u dhënë mundësinë t’i shijojnë gjërat e bukura të jetës. Përveç strehimit dhe ushqimit, do të kisha dëshirë t’u japim mundësinë të shëtisin nëpër botë e të shohin vende të ndryshme dhe programe të ndryshme artistike. Është një ide shumë e kushtueshme, por jo e parealizueshme. Nëse ka ndonjë bashkëpunëtor të interesuar atje, jam e hapur. (Buzëqesh)
– Të ndodh shpesh të humbasësh atë që ke, ndërsa je duke kërkuar atë që të mungon?
– Jo, nuk më ka ndodhur ende dhe shpresoj të mos më ndodhë asnjëherë. Mundohem t’u kushtoj shumë rëndësi gjërave të shtrenjta që i kam.
– Vendi perfekt për të të frymëzuar, në të cilin ndihesh plotësisht ti?
– Në Ulqin, pranë detit, me aromën e kripës dhe qetësinë që të sjell ai.
– Personalisht, në përballjen e parë me Ulqinin, jam dashuruar me të. Më duket shumë mistik ky qytet! Kalaja është e preferuara ime! Po ty, si qytetare e tij, çfarë të pëlqen më shumë prej tij?
– Më pëlqen secila rrugicë e kalasë, plazhet që i ka, plakat e dashura, rinia e gjallë, forca që kanë për t’i bërë ballë shtetit ku janë pakicë. Gjithçka më bën të ndihem krenare për vendlindjen time. Kjo më bën që të dua ta krenoj gjithnjë e më shumë.
– “Duhet ta dojë jetën, të punojë fort për të, me pasion dhe mbi të gjitha të dijë të më përmbushë shpirtërisht”. Çfarë të kujton kjo frazë e thënë një vit më parë?
– Ndërsa po e lexoja, po bëja një paralelizëm me të dashurin tim dhe tani, teksa po shkruaj, jam me buzëqeshje në fytyrë. Kam kërkuar gjithmonë që mashkulli pranë meje të punojë fort, ta dojë jetën dhe ta shprehë atë me pasion e mbi të gjitha, të më përmbushë mua me personalitetin e vet.
– Çfarë ka ndryshuar që prej artikulimit të kësaj dëshire?
– Thjesht, dëshira është shndërruar në realitet. (Buzëqesh)
– Të pëlqen jeta jote siç është tani?
– Po.
– Çfarë gjen për të ndryshuar te vetja?
– Ka mjaft gjëra. Për shembull, do të doja të ndiqja më shumë modën, por jam pak përtace në këtë drejtim. (Qesh)
– Diçka që të ka mësuar shumë…
– Udhëtimet, njerëzit e ndryshëm, pikëpamjet e ndryshme.
– Ku e sheh veten pas 10 vjetësh?
– Me familjen time dhe të avancuar në karrierë.
– Çfarë do të jesh duke bërë pasi ta kemi mbyllur këtë intervistë së bashku?
– Do të shkoj të marr motrën time në aeroport. Jam shumë e gëzuar për këtë! (Buzëqesh)
Vazhdoje fjalinë…
U shërova… Do të doja që ne si shoqëri të shëroheshim nga përçarja.
Mendoj se fluturoj… sa herë që këndoj.
Kopshti im i mrekullive… ku unë largohem sa herë që e kam të nevojshme, është deti.
Simboli më domethënës… për mua është Jing Jang.
Me “Natën kaloje me ne”… kam dashur t’u them të rinjve që jeta vazhdon.
Unë vendos… me shumë vështirësi kur bëhet fjalë për detaje.
Çka do t’u themi nënave… është ajo që ndoshta dhemb, por është e vërteta.
Jam e bindur se… Dashuria e fatit tim është ashtu siç e kam kërkuar.