Libri që ajo botoi bëri shumë bujë, u kritikua dhe u vlerësua, por mbi të gjitha, u përfol shumë… Sigurisht, sado e çuditshme të duket që një 17-vjeçare të shkruajë një “Guidë mbi letërsinë”, libri i saj do të kishte mbetur në hije, nëse Dasara nuk do të ishte mbesa e ish-Kryeministrit Sali Berisha.
Por, ne biseduam me Dasarën jo vetëm për librin, por edhe marrëdhënien që ka me gjyshin, duke e sjellë këtë të fundit në versionin që pak persona e njohin. Ky ishte trinomi i kësaj bisede shumë interesante ku do të mund të njihni ish Kryeministrin Sali Berisha në një tjetër dimension, larg politikës, në rolin e gjyshit….
Mia.B: – Me çfarë po merresh në këtë periudhë? Do ketë një libër të radhës nga ti?
Dasara Malltezi: – Well (epo mirë) njerëzit do të duhet të presin për të shuar kuriozitetet. (Buzëqesh)
– E dëgjon ende atë shprehjen: “Është e njohur sepse është mbesa e Sali Berishës”?”. Cila do të ishte përgjigjja jote në këtë rast?
– …
– Ti u bëre menjëherë, shumë e njohur, falë librit tënd, “Guidë mbi letërsinë”. Për sa kohë e kishe menduar realizimin e tij?
– Libri më lindi si ide nga fundi i tetorit, sepse doja të bëja diçka të veçantë, por ende nuk isha e sigurtë nëse libri ishte zgjedhja e duhur. Më pas, realizimi i idesë u shty për disa muaj për shkak të angazhimeve të ndryshme, por besoj se doli në periudhën ideale. (Buzëqesh)
– Çfarë të shtyu ta merrje këtë iniciativë? Cili është në fund të fundit, qëllimi i këtij libri?
– Të them të drejtën, shtysë kryesore ishte fakti që nuk po bëja asgjë të veçantë me jetën time. Ka patur edhe rrethana të tjera, por kjo ishte kryesorja, ndaj vendosa për këtë libër që ka qëllim të ndihmojë maturantët të fokusohen diku dhe, kështu, të kursejnë kohë dhe energji në studimin e tyre në lëndën e letërsisë.
– Je vetëm 17 vjeçe dhe, ndërkohë që një moshatare e jotja do mendonte se çfarë të vishte në një mbrëmje në klab, ti publikon një guidë për letërsinë…
– (Qesh) Kjo është e bukura, jemi të gjithë njerëz të ndryshëm! Unë nuk dua të merrem vetëm me një gjë; unë mendoj edhe për modën, daljet me shoqërinë dhe qejfet e ndryshme, por më pëlqen të kem shumë punë nëpër duar dhe të merrem me disa gjëra njëkohësisht. Ky është perceptimi im, sipas të cilit, një jetë vetëm qejf nuk është jetë, ashtu si një jetë vetëm punë, është e mërzitshme.
– …dhe mosha jote ishte pikërisht një nga arsyet pse edhe u kritikua librin. Kishin të drejtë, mendon?
– Për këtë duhet parë koha e kritikave të tyre, pasi shumica kritikuan pa e lexuar. Sa të drejtë ka dikush që e gjykon librin nga kopertina?! Kritika me baza reale deri tani nuk kam patur, por i mirëpres si një lloj reagimi për punimin tim.
– Sa kohë të ka marrë realizimi i librit?
– Mbledhja e materialeve më mori gati një vit, gjatë kohës që studioja për provimet e maturës, por atëhere ende nuk isha me idenë për t’i botuar. Realizimi i librit vetë, mori rreth tre muaj.
– Ku studion Dasara?
– Unë studioj në Fakultetin Ekonomik në Tiranë.
– Diçka tjetër, ndryshe nga moshataret e tua, është edhe që ti e ke nisur klasën e parë që 4 vjeçe. Pse kaq e vogël?
– Unë me familjen time, në atë periudhë jetonim në Kosovë ku nuk kishte kopshte dhe, ose do të rrija në shtëpi, ose do të shkoja në shkollë. Duke qenë se unë isha tmerrësisht energjike, vendosëm bashkarisht me familjen të kanalizoja tërë energjinë time në diçka tjetër, siç ishte shkolla.
– Me siguri, bën pjesë te nxënëset e mira, por edhe nxënëset e mira kanë një lëndë që nuk e durojnë dot. Cila është e jotja?
– Nuk është se kam lëndë që nuk duroj dot, thjesht ka lëndë që nuk më tërheqin, ashtu siç ka dhe lëndë që i kam pasion.
– Ti je mbesa e ish-kryeministrit Sali Berisha. Në ç’mënyrë ka ndikuar ky fakt te ti, veçanërisht pas publikimit të librit?
– I vetmi ndikim që ky fakt ka patur në librin tim, ka qenë mbi komplimentet dhe kritikat që kam marrë, pra, mbi publicitetin që i është bërë punimit tim.
– A mendon se libri yt do të kishte bërë kaq bujë po të mos ishe mbesa e ish-kryeministrit?
– Nuk e di nëse do të kishte patur kaq publicitet, por pasja apo jo e familjes sime, as nuk e rrit dhe as nuk e ul vlerën akademike të librit tim.
– Je ndjerë ndonjëherë e sulmuar apo e paragjykuar nga të tjerët për këtë fakt?
– Normalisht, ka patur paragjykime dhe sulme politike, por nuk mendoj se ka njeri mbi tokë që nuk paragjykohet për një arsye apo për një tjetër.
– Duke qenë mbesa e Sali Berishës, shumë gjëra i ke më të lehta apo më të vështira?
– Çfarëdo përgjigjeje t’i jap unë kësaj pyetjeje, çdo lexues do ketë opinionin personal, por sigurisht që unë përpiqem maksimalisht t’i arrij gjërat me forcat e mia.
Mbesa dhe gjyshi
– A është gjyshi yt, si çdo gjysh tjetër, një nga mbështetësit më të mëdhenj të mbesës?
– Gjyshi është absolutisht mbështetësi im numër 1. (Buzëqesh)
– Ç’lloj marrëdhënieje ke me të?
– Me të kam marrëdhëniet më të shkëlqyera!
– Çfarë bëni kur jeni bashkë?
– Duke qenë se gjyshi është mbështetësi im më i madh, sa herë mendoj ndonjë gjë të re, ia them gjithmonë atij dhe diskutojmë se si mund t’i realizojmë idetë e mia. Ai më këshillon. (Buzëqesh)
– Këshilla që ta thotë gjithnjë?
– Gjyshi më jep vazhdimisht këshilla, por e veçanta e tij është se i jep në një mënyrë shumë të thjeshtë dhe aspak imponuese.
– Diçka që më pëlqen te gjyshi yt është fryma rinore që përcjell shpesh. Në ç’pikë mundohet ai të përshtatet me ty; për shembull, arrin të përshtatet me llojin e muzikës që dëgjon ti?
– Gjyshi është shumë mendjehapur dhe, ashtu siç dëgjon Edit Piaf, ashtu dëgjon edhe Rihanën apo edhe Metalikën, kështu që ai nuk ka nevojë të përshtatet me mua sepse është kaq i informuar mbi risitë më të reja, sa ndonjëherë më duket sikur unë jam mbrapa. (Qesh)
– Çfarë muzike i sugjeron ti dhe çfarë muzike, libri e filozofie për jetën, të sugjeron ai ty?
– Muzikë… Mbaj mend që, kur kam qenë më e vogël, i kam sugjeruar njëherë grupet më të famshme rock, të cilat për habinë time më të madhe, ai i dëgjoi të gjitha. (Buzëqesh) Sugjerimet e tij kanë bërë që unë të njihja Xhenis Xhoplinin apo artistë nga më të mirët e të gjitha kohërave, por filozofia për jetën besoj se është diçka që nuk mund të përmblidhet në një fjali.
– Ty të pëlqen Rihana, ndërsa gjyshit Bijonse. Po gjyshja, kë pëlqen?
– (Qesh) Shijet e Lilit lidhen më tepër me muzikën e lehtë dhe klasike, por nuk mund të përmend një emër të vetëm, ashtu siç nuk mund të them preferenca.
– Duke patur një gjysh të angazhuar prej vitesh në politikë, besoj se nuk është i largët edhe angazhimi yt në të…
– Ne nuk e dimë se ç’rezervon e ardhmja, por momentalisht, unë synoj biznesin.
– Nëse kjo do ndodhte, ku do të fokusohej programi yt elektoral?
– Për momentin, nuk mund të them asgjë konkrete, pasi jam shumë vite larg hyrjes në politikë e, aq më pak, hartimit të një programi qeverisës. Ajo që di të them është se njeriu duhet të jetë i vërtetë në ato që thotë dhe i ndershëm, në punën që bën.
– Me aq sa kam kuptuar, je vajzë shumë energjike, e lirshme, e shoqërueshme dhe të gjitha këto, shoqëruar me buzëqeshjen tënde të përhershme. Ç’duhet të dimë tjetër për ty?
– Mbetet për t’u zbuluar… (Qesh)
– Kur ndodh të rebelohet Dasara?
– Më shumë se rebele, jam natyrë shumë ekspresive. Mendoj se e kam mbyllur kapitullin e rebelimeve, së bashku me adoleshencën.
– Çfarë të bën të ndihesh e sigurtë në gjërat që bën?
– I bëj gjërat me pasion dhe kjo më jep edhe sigurinë.
– Kur i ke përjetuar emocionet më të forta?
– Nuk jam natyrë emotive, por mund të them se fushata e fundit elektorale e PD-së ishte absolutisht drithëruese, aq sa duke parë mitingun e mbylljes, m’u mbushën sytë me lot! Pavarësisht rezultatit, ajo fushatë ishte historike.
– Çfarë mezi pret të bësh sapo të mbushësh 18 vjeçe?
– Nuk e kam fort me qejf plakjen, të them të drejtën. (Qesh)
– Ke nisur të mendosh për librin e radhës? Si do të jetë ai?
– Jo, është ende herët për të menduar për një libër të ri… Ndoshta nuk do të botoj më libra, ndoshta do të botoj shumë shpejt. Nuk e di… (Buzëqesh)
Një 17 vjeçare…
…për çfarë harxhon më tepër?
– Nuk e di për çfarë shpenzojnë 17 vjeçarët e tjerë më tepër, por unë preferoj të investoj në njohjen e kulturave të reja.
…diskutimet më të shpeshta me prindërit i ka për…
– Me prindërit, zakonisht, në darkë, mblidhemi dhe diskututojmë gallatat e ditës.
…çfarë mendon për vendin ku jeton? Si do të donte të ishte ai, parë me syrin e saj?
– Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë për të bërë dhe, gjatë kësaj rruge, shumë mentalitete paksa problematike të sotme do të ndryshojnë në të ardhmen, por besoj se është një vend i bukur, me njerëz të mirë dhe potencial të madh për të arritur shumë.
…ku i sheh kënaqësitë e jetës?
– Te realizimi i pasioneve të mia.
…si e kalon ditën?
– Pas një zgjimi të mundimshëm në mëngjes, shkoj në shkollë. Më tej, përpiqem të takoj sa më shumë njerëz nga shoqëri të vjetra, si edhe të krijoj miqësi të reja. Dhe, sigurisht, studimi, që zë një pjesë të veçantë të ditës sime. Pra, është një ditë më se e zakonshme.
…si e sheh të ardhmen e saj?
– Të ardhmen e shoh të suksesshme në ato gjëra që do të vendos të bëj.