Më parë, mendohej se skulpturat e mjeshtrave të antikitetit kanë ardhur gjer në ditët tona ashtu sikurse janë krijuar prej tyre, krejt origjinale. Por jo, nuk eshte keshtu. Zbulimet e fundit kane treguar se skulptorët e Greqisë së lashtë, për shembull, nuk i linin kurrë pa sy e vetëm me ca zgavra të errëta, personazhet e tyre. Edhe mermerin, ata nuk e linin kurrë të bardhë dhe të ftohtë, por e ngjyenin me bojëra të gjalla. Që në shekullin e XIX janë zbuluar koret e Akropolit (statuja të vajzave) në të cilat është ruajtur ngjyrosja: Flokët me bojë të zezë si pendë korbi, me buzë të kuqe si qershi, me sy të ngjyrave të ndryshme, të cilat dukeshin si të gjalla. Më vonë, skulptura të ngjyrosura (si të gjalla) janë zbuluar nga arkeologët edhe në vise të tjera. Disa kohë më parë, shkencëtarët gjermanë u përpoqën të restauronin dhe t’u jepnin pamjen fillestare 12 skulpturave prej mermeri. Pas kësaj, u hap ekspozita Bunte Götter («Perënditë e larmishme»). Skulpturat greke prej bronzi nuk kishin sy të vizatuar, por sy kristali shumë afër me origjinalin. Në vitin 1972, u gjetën në Kalabri disa skulptura që u quajtën «luftëtarë nga Riaçе». Në vend të zgavrave, ata kishin sy me bebëza, të përgatitur prej xhami apo kristali që, me kohë, kishin rënë dhe u gjetën pranë monumenteve, natyrisht, ndonjëri edhe i thyer apo i plasaritur.
Advertisement