Harroni gjithçka që keni lexuar më parë për Anjeza Brankën pasi në këtë intervistë do të zbuloni një Anjezë krejt ndryshe nga ajo me të cilën skena dhe ekrani ju ka prezantuar në fillim. Tani, ajo është vajza që i pëlqen të mbyllet në shtëpi, që i trembet suksesit të madh, falet çdo mbrëmje si dhe një ditë, kushedi, mund të shkëmbeheni me të në rrugë dhe të shihni një femër të… mbuluar. Ju riprezantojmë Anjezën…
– Anjeza, ku ndodhesh tani që po flasim?
– Në shtëpi, duke pirë kafe me mamin dhe djalin që luan në pishinë…
– Kur Anjeza nuk shfaqet në ekran, çfarë duhet kuptuar se po ndodh?
– Kam patur oferta për të marrë pjesë në programe të ndryshme, por të them të drejtën, nuk kam dashur të dal dhe arsyeja është se dua të kem bërë diçka që ia vlen, për ta shfaqur përpara publikut. Nuk dua të jem prezente aty, vetëm për të mbushur minutazhin. Nga natyra jam shumë kërkuese ndaj vetes dhe, edhe pse aktualisht kam dy këngë, akoma nuk kam publikuar asnjë, së pari sepse të gjithë po nxjerrin klipe këtë periudhë duke qenë se është sezon pune dhe unë nuk dua të jem pjesë e turmës, por edhe sepse unë vetë nuk jam akoma e bindur nëse duhet apo jo. Sidoqoftë, tani për tani, jam e angazhuar me netët live në “Amsterdam” (4 herë në javë), me koncerte të ndryshme, si dhe po mendoj të nxjerr një këngë solo e më pas, një bashkëpunim… ndoshta dhe një pjesëmarrje te Kënga Magjike.
– Po flasim për duetin me Arta Bajramin?
– Po, do të jetë një këngë ritmike, tipike për dy këngëtare që e duan ritmin… (Qesh)
– Si zuri fill ky bashkëpunim?
– Ne kemi vite që njihemi dhe kur kam bërë albumin e fundit në Prishtinë, Arta më ka mbështetur shumë, duke më ndenjur afër. Në fakt, kishim kohë pa u parë dhe tani që ajo po xhiron klipin këtu me “Max Production”, më propozoi të bënim një bashkëpunim. Aktualisht, e kemi menduar idenë dhe po e përpunojmë atë, në mënyrë që të jetë diçka e veçantë.
– Lëviz shpesh në Kosovë?
– Jo aq shumë, në fakt, por ndërsa po flisnim për duetin dhe po i flisja Artës për frikën se si mund të pritej kënga në Kosovë, ajo më tha: “Ti, nuk e ke idenë sa të duan ty atje! Të ndjekin gjithë kohës në Facebook dhe në Youtube”.
– Ke patur momente dyshimi, ndonjë moment kur je penduar që i ke hyrë muzikës?
– Aspak! Jam shumë shumë e kënaqur madje. Unë për këtë punë kam lindur, për të bërë muzikë. (Buzëqesh)
– Çfarë ka ndryshuar te ti, që nga ajo vajza e këngës “Të lutem eja” dhe “Me ngadalë”, deri në Anjezën e sotme?
– Tek unë si person nuk ka ndryshuar asgjë, përveçse sot ndihem edhe më mirë se më parë, më e kompletuar, jam rritur, jam pjekur më shumë si personalisht, ashtu edhe profesionalisht. Me zërin jam shumë më mirë… Me pak fjalë, nuk i frikësohem fare punës. (Buzëqesh)
– Dikur e sapokthyer nga Gjermania, flisje shpesh për të. Tani, sa shpesh kthehesh atje?
– Kur flitet për Gjermaninë, flitet për një pjesë të rëndësishme të jetës sime, por që mbetet tashmë si një kujtim i bukur. Këto kohët e fundit nuk është se kam lëvizur shumë në fakt, ndoshta ngaqë gjithçka dua, tashmë e kam këtu, por kjo nuk do të thotë se nuk shkoj apo se nuk i ruaj kontaktet që kam me shoqërinë atje.
– Gjëja më për të qeshur që ke lexuar për veten në gazetë?
– Komentet e njerëzve që, për mendimin tim, vetëm qenie njerëzore nuk janë, me fjalët jo po “duket fallco”, jo po “plastikë”, jo po kjo, jo po ajo, gjëra në të cilat nuk ka as edhe një të vërtetë. E vetmja gjë që kam bërë ka qenë hunda dhe kjo, jo për arsye estetike se po të kishte qenë kështu, nuk do të druhesha ta thoja, por sepse kam patur probleme shëndetësore. Për këtë, mjafton të shohin fotot e mia në Instagram kur kam qenë e vogël, nga ku kuptohet që nuk ka asnjë ndryshim. Sa për gjoksin, unë gjoks kam patur gjithmonë, por nuk jam kundër ndërhyrjeve për këdo që i ka të nevojshme dhe që, mbi të gjitha, i ka mundësitë për t’i bërë. Kushdo ka të drejtën të perfeksionojë veten dhe mirë bën, për sa kohë, kjo është ajo që e bën të ndihet mirë.
– Në 15 vjet karrierë ke sjellë hite, performanca të bukura, çmime… Çfarë idesh ke për të ecur në vazhdim?
– Unë gjithmonë synoj dhe përpiqem të nxjerr gjëra të bukura që të më pëlqejnë mua në radhë të parë e pastaj të arrij t’i përcjell si duhet edhe te publiku. (Buzëqesh) Pa menduar për çfarë vjen më tej, unë e shijoj këngën ndërsa këndoj. Ju mund të çuditeni, por pas suksesit të menjëhershëm të këngës “Me ngadalë”, nuk është se jam ndjerë mirë. Për një kohë të gjatë nuk dilja, fillova të mblidhesha, ishte koha kur isha shtatzënë me Leandron dhe madje, as telefonin nuk e hapja.. (Buzëqesh) Që të jem e sinqertë, mua edhe suksesi i tepruar nuk më pëlqen. Më pëlqen këtu ku jam, kështu si jam, me gjërat e mia, famijen time, angazhimin e vazhdueshëm në muzikë. Mua më pëlqen të qëndroj në mes, nuk më pëlqen të qëndroj as shumë lart, as shumë poshtë, se kam parë shumë nga ata që edhe janë velur nga suksesi, kështu që jam shumë mirë.
– Ndryshimi i fundit me flokët është një tendencë e përhapur në masë… Të pëlqen të ndjekësh tendencat e fundit?
– Nëse do të shihnit fotot e mia, unë që 16 vjeçe kam patur një shoqe arabe në Gjermani dhe ajo m’i rregullonte flokët gjithmonë gërsheta. Edhe në 2012 i kam mbajtur për ca kohë pastaj i hoqa, plus që kam edhe klipe me flokët me gërsheta. Unë i kam patur flokët gërsheta atëhere kur këtu nuk i kishte asnjë. Tani, thjesht po vazhdoj t’i bëj akoma, se më pëlqen të ndryshoj vazhdimisht. (Buzëqesh)
– Një klip i kolegeve që të ka tërhequr vëmendjen këtë verë dhe ke thënë “Sa bukur e ka realizuar!”?
– Klipet shqiptare këto kohët e fundit janë duke u realizuar bukur dhe klipi i Orinda Hutës më ka pëlqyer këtë herë, ka dalë shumë natyrale.
– Udhëtimi më i gjatë që ke bërë duke qenë vetëm në makinë?
– Rrugë të gjata kam bërë dhe kanë qenë shumë… Kam shkuar nga Shqipëria në Itali, pastaj nga Italia në Gjermani dhe nga Gjermania në Austri, por me babin ose me shokun, kurse vetëm fare nuk kam udhëtuar asnjëherë me makinë, përjashto Durrësin, Shkodrën, Fierin, Vlorën…
– Një javë pa makinë dhe pa taksi, do të ta çorientonte ritmin dhe rendin e veprimeve gjatë ditës?
– Kam mbetur edhe pa makinë se e kam patur në servis dhe nëse nuk kam marrë taksi, kam ecur në këmbë, nuk e kam problem. Unë rri edhe me javë të tëra në shtëpi, kënaqem, rri me mamin, me familjen, bisedoj me ta, shoh tv, marr dvd, lexoj libra. S’ka më mirë se shtëpia! Madje edhe falem, jo nëpër xhamira, por falem sipas mënyrës time dhe çdo ditë, në mëngjes dhe në darkë, falem dhe them: “Faleminderit Zot që kam familjen mirë”. Para se të fle gjumë, puth djalin, puth mamin, puth babin dhe shtrihem të fle. Nuk kam qenë më parë kështu, jam mbledhur shumë.
– Do të zgjidhje pushimet me makinë ku mund të stacionohesh në tokë, apo me kroçera bregdeteve të vendeve të ndryshme?
– Varet sipas situatës, më pëlqejnë të dyja.
– Cilat janë pushimet që mbajnë “vendin e nderit” deri tani?
– Unë jam e kënaqur me çdo vend ku kam shkuar për të pushuar. Kënaqem gjithmonë, kudo që shkoj, edhe sepse para se të shkoj aty, kërkoj, hulumtoj. Nuk kam ndonjë peng.
– Çfarë do t’u këshilloje femrave?
– Një femër, për mendimin tim, duhet të jetë vetvetja, të mos jetë ziliqare sepse nuk ka asgjë dhe asnjë njeri perfekt. Të jetë e zonja e vetes që të mos e shkelë askush me këmbë, të punojë, të ketë besim te vetja…
– Ka diçka që të mungon dhe do të doje ta kishe?
– Unë, me këto që kam, jam shumë e kënaqur. Kam familjen, kam djalin, karrierën, biznesin. Të gjitha çfarë kam dashur të kem, i kam. Tani mendoj vetëm që të punoj dhe të më ecin gjërat mirë në vazhdimësi. Ato që kërkojnë më tepër, nuk dinë të shijojnë ato që kanë. Unë i bëj vetë gjërat, vetë i mendoj, vetë i realizoj. Tani po mendoj të xhiroj klipin, mendoj të marr në dyqan veshje të bukura që të mos gjenden kudo… kurse mami im thotë “të kesh shëndetin, se çdo gjë bëhet”. (Buzëqesh)
– Çfarë ta sjell gëzimin më të madh?
– Leandro, kur e shoh si rritet çdo ditë, si flet, si sillet… Më duket si ëndërr. Tani, në këtë periudhë, më bën përshtypje fakti si i kupton gjërat, si i shpjegon gjërat si të ishte i madh. Nuk dua ta marr mësysh, por është shumë i zgjuar, më ka dalë me fletë lavdërimi, është kujdestari i klasës, nuk më lodh fare me mësimet, nuk ma kthen fjalën. Më thotë: “Sa të rritem edhe pak, do filloj punë unë dhe ti të flesh natën, ti të më presësh mua në shtëpi dhe unë të punoj”. “Të bekoftë Zoti!”, i ka fjalët e veta. Është pasuri. (Buzëqesh)
– Cilat janë këshillat më të mira që të ka dhënë dikush?
– Këshillat e babit! Babin e kam patur si shok gjithë jetën dhe jam ajo që jam sot, nga babai e mami dhe nga familja. Mbaj mend kur isha adoleshente, 15 vjeçe, kur mund edhe të gabosh dhe i thoja babit “do dal me filan shok, në filan disko” dhe ai na shoqëronte e vinte na merrte prapë. Pastaj, kur unë i thoja që “më duhen kaq lekë”, ai më jepte dyfishin. “Nëse dikush të jep një pije, ti jepi dy, më thoshte, askujt mos i ngel borxh”. Jam shumë e lumtur që më ka rritur një baba si ai.
– Ekzistojnë kategori të ndryshme njerëzish në nevojë… Cilën prej tyre mbështet më tepër?
– Jam për të gjitha llojet e bamirësisë, sidomos për fëmijët jetimë dhe kam bërë gjithmonë bamirësi, sa herë më kanë thirrur nëpër koncerte. Të më thotë dikush tani: “Do të vish në x koncert”, do t’i thoja: “Jo, nuk kam kohë”, kurse kur bëhet fjalë për fëmijët, gjithmonë kam shkuar dhe do të vazhdoj të shkoj.
– Në garderobën tënde… cila është veshja që e përdor më shpesh?
– Nuk kam një veshje të caktuar sepse nuk ka një veshje që e vesh dy herë, por mund të them se ndhem shumë mirë me veshjet sportive. Unë veshjen e kam sëmundje, dy herë në ditë e ndryshoj… Ditën vishem sport, kurse në darkë, kur shkoj në punë, vishem komplet ndryshe.
– Thënia, rregulli i artë sipas të cilit jeton…
– Jeto dhe lëri të tjerët të jetojnë, mos gjyko askënd, se çdo njeri ka jetën e vet.
– Cila është dhurata më e bukur që ke marrë ndonjëherë?
– Është Leandro dhe ai do të mbetet, të paktën ashtu mendoj deri tani… Ndoshta më vonë mund të vijë edhe një beb tjetër, asnjëherë nuk i dihet. Nëse flasim për dhurata materiale pastaj, unë i bëj vetes se më mirë se vetja s’m’i di asnjë shijet. (Buzëqesh)
– Cila do të ishte një gjë të cilën njerëzit do të surprizoheshin po ta dinin për ty?
– Po ja, nesër mund të ma japë truri të mbulohem me shami ndoshta, ku i dihet… “Mos thuaj kurrë kurrë”, thonë.
– Një gjë që do të kishe dashur ta dije vite më parë?
– Unë nuk kam thënë ansjëherë “Sikur të isha dhe njëherë e re nuk do e bëja këtë gabim”, siç dëgjojmë të thuhet shpesh. Jo, nuk kam asnjë gabim dhe çdo gjë e kam bërë me ndërgjegje, çdo gjë që më ka ardhur, më ka ardhur si e dua unë. Çfarë kam kërkuar ma ka dhënë Zoti, ndaj edhe jam kaq falënderuese ndaj tij.
– Cili është sekreti yt i bukurisë?
– Jua them unë… Sekreti i bukurisë është mbajtja e stresit larg. Nëse mban stres, nëse vuan brenda vetes tënde, atëhere automatikisht do plakesh edhe së jashtmi. Kot nuk thonë që fytyra është pasqyra e shpirtit. Duke u ndjerë mirë me veten, do mbetesh gjithmonë e bukur brenda dhe jashtë. Ja, unë, për shembull nuk e vras mendjen…
– Po thua që je e bukur?
– Jo, nuk jam e bukur. Unë jam figurante, tërheqëse, jam seksi. (Qesh)
– Si e mendon ti dashurinë?
– Dashuria për mua është respekti. Po nuk pati respekt, nuk ka dashuri. Fjalët e bukura “shpirti”, “zemra”, thuhen me kile, por dashuria duhet treguar me vepra. Dashuria është çfarë të japësh do marrësh, çfarë të mbjellësh do korrësh, është mbështetja ndaj njëri-tjetrit (kuptohet që nga vetë natyra, mashkulli më shumë), është të jesh i barabartë në një lidhje, të kuptohesh…
– Kur ke dashuruar më fort se kurrë?
– Kam dashuruar dhe vazhdoj të dashuroj Leandron. Ai është dashuria ime më e madhe.
– Puthja është tradhti?
– Për mua, edhe thjesht mendimi për dikë tjetër është tradhti sepse do të thotë që nuk e do më atë person që ke në krah dhe nëse është kështu, mos rri më me të se nuk ia vlen. Në të kundërt, i bën dëm edhe vetes tënde, edhe tjetrit.
– Ke tradhtuar apo je ndjerë ndonjëherë e tradhtuar?
– Deri tani, s’e kam ndjerë tradhtinë se, po të ndjej që më tradhton, nuk di çfarë mund të bëj. E keni parasysh këngën “Ia bëja me drita?”, unë ia fik dritat dhe keq fare. (Qesh) Unë të lë rehat kështu, nuk jam e bezdisur, nuk shqetësoj, ama veç të kuptoj ndonjë gjë dhe le të gjejë vend ku të futet pastaj.