A i planifikon mirë gjërat që blen, sikur të ishin një investim i ardhshëm apo blen kur ta jep truri dhe kur shikon diçka të bukur në vitrinë? Për ta zbuluar nëse di të bësh shoping, bëj kuicin tonë…
1. Ke kaluar një ditë shumë të keqe. Për ta marrë veten, ti:
a. Bën një banjë me shkumë në vaskë, ndez ca qirinj dhe shtrihesh atje me një libër në dorë.
b. Rri turivarur, derisa yt shoq të fton të hani darkë jashtë.
c. Blen një fustan të ri në rrugën nga puna në shtëpi dhe më pas, planifikon të blesh edhe këpucët, çantën dhe vëthët që shkojnë me të.
2. Maksimumi i parave që ke shpenzuar në shoping:
a. 100 mijë lekë për një fustan feste, por e ktheve të nesërmen, me pretendimin se nuk të pëlqeu.
b. 150 mijë lekë për një kostum, sepse kishe një intervistë pune dhe doje të bëje figurë të mirë.
c. 180 mijë lekë për një palë këpucë të mrekullueshme, pavarësisht se nuk ke me çfarë t’i kombinosh.
3. Për ditëlindje, bashkëshorti të bën një dhuratë surprizë: Dy bileta avioni për në Itali. Ti:
a. Merr me vete xhinset dhe bluzat më të rehatshme që ke. Sido që të jetë, atje s’të njeh kush.
b. Blen një fustan të ri që ta kesh për ndonjë darkë.
c. E përdor udhëtimin si justifikim për të blerë rroba të reja dhe merr me vete shumë bagazhe.
4. Shkon në festë me një fustan të bukur. Kur një shoqja jote të pyet ku e ke blerë, ti…
a. I thua që e ke marrë hua. Kurrë nuk do të harxhoje një shumë të madhe parash për një fustan që do ta veshësh vetëm një herë.
b. I thua se e ke blerë lirë fare, me zbritje!
c. Pranon që është fustan firmato, por e ul nja 100 mijë lekë çmimin real, që të mos shokosh shoqen tënde.
5. Ke lexuar në një revistë se kanë dalë në modë shkëlqyesit e buzëve me ngjyra pastel. Ti:
a. E lë mënjanë modën dhe vazhdon të përdorësh atë që ke përdorur gjithmonë.
b. Provon nja 2-3 ngjyra në dyqan dhe kthehesh në shtëpi me shkëlqyesin që të shkonte më shumë.
c. Blen disa me ngjyra të ndryshme, pasi të pëlqen të ndryshosh luk sa më shpesh të jetë e mundur.
6. Ke nevojë të blesh urgjentisht lines në supermarket. Kthehesh prej andej me:
a. Një pako të madhe me lines që jepeshin falas për reklamë.
b. Një pako maksi, versioni ekonomik. Kështu, do të jesh e furnizuar për njëfarë kohe.
c. Kapëse flokësh, mbathje pambuku që nuk e di nëse të bëjnë (pasi i bleve me ofertën: paguaj një, merr dy) dhe një pako të vogël me lines, për të cilën mezi të dolën lekët.
7. Në vitrinën e një dyqani të ka zënë syri një xhaketë shumë të bukur. Ti:
a. Bën sikur s’e ke parë dhe vazhdon të ecësh.
b. Pyet shitësen kur do të bëhen zbritjet e ardhshme dhe vendos të kthehesh prapë.
c. Futesh me vrap brenda dhe e blen menjëherë.
8. Blerja e këpucëve është një art më vete, që…
a. Duhet t’i lihet Sara Xhesika Parkerit. Të harxhosh kaq shumë para për këmbët?
b. E ke perfeksionuar me kalimin e kohës. Ke blerë disa palë të rehatshme, por shik dhe ndonjë palë të cilat të kanë pëlqyer shumë.
c. Je futur në borxh për to.
9. Një nga gjërat më të mira të punës tënde…
a. Ndodhet afër një supermarketi, kështu që e ke të lehtë të bësh pazar rrugës për në shtëpi.
b. Ndodhet afër një dyqani rrobash me okazion, kështu që ti gjithmonë shkon atje për të kontrolluar mos gjen diçka të mirë.
c. Ndodhet pranë dyqaneve më në modë të qytetit, ku ti shkon shpesh.
Ke dhënë më shumë përgjigje a. Je dorështrënguar!
Kësaj radhe, justifikimi: “Nuk kam ç’të vesh” mund të jetë i vërtetë. Ti çuditesh pse shoqet e tua refuzojnë të bëjnë shoping me ty? Së pari, ato duhet të durojnë kur ti shkon e provon njëqind gjëra nëpër dyqane dhe pastaj nuk blen asgjë. Së dyti, u duhet të durojnë komentet e tua për çmimet e rrobave. Ti e ke mbushur dollapin me rroba të vjetra, demode dhe gjithmonë u ke marrë borxh shoqeve rroba, këpucë, çanta, bile edhe byzylykë. Blerësit kursimtarë janë poli i kundërt i blerësve kompulsivë; ata me kokëfortësi nuk pranojnë të harxhojnë para, edhe sikur kjo t’i privojë nga shumë gjëra. Për shembull, një shenjë që tregon se je blerës i tillë është refuzimi për të blerë rroba të reja, duke pretenduar se rrobat mund të vishen shumë mirë për disa vjet me radhë, derisa të jenë grisur apo prishur. Ti ndjen ankth kur shpenzon para (pa përmendur ndjenjën e fajit kur blen diçka “luksoze”). Miqtë dhe të afërmit, shpejt do të ndjehen të zhgënjyer dhe në siklet nga natyra jote. Mundohu t’ia bësh qejfin vetes herë pas here dhe do ta shohësh sa mirë do të ndjehesh. Sipas terapistëve, një mënyrë e mirë është ta vësh veten në vendin e një njeriu që harxhon shumë. Kjo do të të ndihmojë ta lirosh pak dorën dhe të veprosh pa u ndjerë në faj.
Ke më shumë përgjigje b. Je blerëse e zgjuar
Ti je e dhënë pas modës, por di edhe të kursesh. Me nuhatjen tënde të hollë, di të gjesh rrobat që janë me zbritje, kështu që ke krijuar një garderobë unike dhe me çmime të arsyeshme. Kohët e fundit, njerëzit kanë maninë të mbledhin sa më shumë rroba, megjithëse nuk i veshin ato. Blerës i zgjuar është ai që ka një dollap plot me rroba, të cilat i pëlqen t’i veshë. Sekreti për të qenë blerës i tillë, është të krijosh një strategji të caktuar, në vend që të rendësh pas veshjeve me zbritje. Një blerës i tillë di të nxjerrë përfitimin maksimal nga paratë e tij, të përziejë garderobën dhe të krijojë një stil të vetin shik që të mos duket sikur sapo ka dalë nga një katalog mode. Shopingu i zgjuar fillon në shtëpi. Kushtoji pak kohë dollapit tënd, shih çfarë të mungon, hiq qafe ato që s’të pëlqejnë e s’i vesh dhe bëj një listë gjërash që të duhen. Nëse i gjen me zbritje më pas, ky është thjesht një bonus.
Më shumë përgjigje C. Maniake pas shopingut
Kujdes! Futja në dyqan mund të jetë e rrezikshme për gjendjen tënde financiare. Dollapi yt po plas, ke një tufë të madhe rrobash të paveshura dhe ti investon më shumë për këpucë, sesa për çokollata. Si shumë gra të tjera, ti je e fiksuar pas shopingut, por është e rëndësishme të pyesësh veten: Pse je duke blerë? Ke ndjesinë sikur të mungon diçka dhe e plotëson duke blerë rroba? Çfarë nevojash të fshehta ta paplotësuara ke që mundohesh t’i zëvendësosh me blerjen e rrobave? Gratë e fiksuara pas blerjeve nuk mund t’i kontrollojnë dëshirat e tyre impulsive për të blerë. Me një fjalë, ato janë gati të hyjnë borxh, të gënjejnë familjen dhe miqtë, bile edhe të humbasin punën. Nëse marrëdhëniet që ke me paratë janë të pabalancuara, ka gjasa që edhe marrëdhëniet e tjera që keni të jenë kështu.
Ndiq këto këshilla që të bëhesh blerëse e zgjuar:
1. Merr me vete një shoqe (jo blerëse si ti) që kupton impulset e tua dhe të ndihmon të zgjedhësh kur vërtet ke nevojë për diçka.
2. Mos i merr me vete kartat e kreditit kur del për shoping.
3. Shtyji blerjet, për shembull, një ditë. Nëse ke dëshirë të blesh diçka, lëre për të nesërmen dhe gjatë kësaj kohe mendo me vete nëse vërtet të duhet. Ka mundësi që ditën tjetër dëshira të ketë kaluar.
4. Cakto një buxhet të caktuar dhe mos e kalo atë. Bëhu praktike, por cakto edhe një shumë fikse për rastet e jashtëzakonshme.
5. Bëj një listë (në shtëpi dhe larg tundimeve), për të zbuluar se çfarë të nevojitet me të vërtetë dhe çfarë të duhet në garderobën që e ke tashmë.