– Zoti avokat, jam në konflikt me vëllain tim. Kemi një shtëpi që na e lanë prindërit të dyve, por ai është akoma me të vjetrën, thotë se vajza duhet të shkojë aty ku është burri. Unë tani jam martuar dhe, duke qenë se shtëpia është dykatëshe, i thashë që katin e parë do ta merrja unë, duke i lënë atij katin më të mirë, të dytin. Në fillim qe dakord, por pas dy muajsh, më tha: “Është turp, duhet të dalësh nga shtëpia, të marrësh një shtëpi me qira”. I thashë se këtë shtëpi ma ka lënë edhe mua nana e baba, por ai më thotë të shkoj te shtëpia e burrit (burri nuk ka shtëpi të vetën, jetonte me qira). Mua s’më duket e drejtë të dal nga shtëpia. Ka shkuar grindja dhe gjer te shpulla që më ka dhënë. Ai është i martuar, ka tre fëmijë dhe do që t’ua lërë fëmijëve të vet shtëpinë, sipas tij, sepse nana e baba s’kanë lënë testament të shkruar. Në fakt, ashtu është, por ata na e kanë thënë me gojë. Çfarë rruge ligjore të ndjek, sepse ai më kërcënon? Si ta vërtetoj që më takon edhe mua të jetoj në atë shtëpi? Ai është edhe i dhunshëm ndaj meje e kërcënon edhe tim shoq. Si veprohet në kësi rastesh? Më vjen turp të flas kundra vëllait tim, por më duket si përbindësh dhe jo si vëlla tashmë.
Av. Aurel Celibashi, “Celibashi & Associates”, e-mail: acelibashi@gmail.com, Celular: 0672011401, 0693082255: – E nderuar zonjë! Më vjen vërtet keq për ju dhe për gjendjen në të cilen ndodheni, sepse nuk është e lehtë të kesh konflikt me vëllain dhe të arrish gjer në këtë pikë, që ta ndjekësh çështjen nga ana ligjore. Mendoj se problemi ka zgjidhje dhe ajo është rruga ligjore drejtuar gjykatës. Pavarësisht se prindërit tuaj nuk kanë lënë testament që ua japin të dyve shtëpinë, ajo është pasuri e trashëgueshme dhe kalon direkt te pasardhësit, në mënyrë të barabartë. Për këtë, ju duhet të shkoni te një noter për hapje të dëshmisë së trashëgimisë së prindërve të vdekur.
– Pasi ta keni kryer këtë, do t’i drejtoheni gjykatës së rrethit ku jetoni për pjesëtimin e pasurisë, shtëpisë dy katëshe. Nëse nuk e zgjidhni me pajtim, gjykata cakton ekspert dhe jua ndan në mënyrë të barabartë në metra katrorë pasurinë që trashëgoni nga prindërit. Unë ju sugjeroj ta ndiqni këtë rrugë sa më shpejt. Për dhunën dhe presionin e vëllait, shkoni bëni denoncim në polici, por nga shtëpia mos dilni absolutisht. Uroj që ta zgjidhni këtë çështje sa më paqësisht dhe të merrni atë që ju takon me të drejtë. Gjithë të mirat! Me respekt.