Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Spiunova shoqen time…

Unë që po ju shkruaj jam një vajzë nga Tirana. Mendoj se kam bërë një mëkat shumë të rëndë ndaj edhe vendosa t’ju shkruaja për t’u rrëfyer sinqerisht. Kam një brengë të madhe sepse akoma jam në një dilemë të thellë: A bëra mirë apo jo?

Në pamje të parë ju do të mendonit se shkatërrova një familje, por mendoj se nuk është e drejtë të lëndosh dhe të zhgënjesh njerëzit e tu më të afërt që të adhurojnë dhe të duan shumë! Nëse do ta vendosnit veten tuaj në vendin tim, jam e sigurt që të njëjtën gjë do të bënit.

Kam lindur e jam rritur në Tiranë të Re dhe një pjesë të mirë të shoqërisë sime e kam zënë që në fëmijëri. Akoma kam shoqe të cilat i kam patur edhe në kopësht, edhe në shkollën tetëvjeçare dhe fillore. Një ndër to është shoqja ime, ose më mirë të themi ajo që tashmë është bërë ish-shoqja ime, Linda.

Advertisement

Linda, që e vogël ishte një vajzë çapkëne dhe shumë e hedhur. Vraponte shpejt, bërtiste me të madhe kur luanim, ishte e shkathët. Binte në sy madje edhe për bukurinë e saj, gjë që nuk e humbi, por e ruajti edhe me kalimin e viteve.

Me Lindën u rritëm si dy motra. Shpeshherë vinte ajo nga unë e shpeshherë flija unë tek ajo. Kur ishim të vogla më mbronte gjithnjë kur më ngacmonin shokët e lagjes ose kur më merrnin lodrat. Në gjimnaz madje mbaj mend që merrte nota më të mira se unë, ndaj edhe më ndihmonte. Shpeshherë vinte e studionte me mua. E kishte për borxh të ma përsëriste njëqind herë mësimin derisa ta fiksoja! Edhe tani që u rritëm dilnim shpeshherë bashkë. Flisnim për problemet tona dhe këshillonim njëra-tjetrën. Ishte një shoqe e vërtetë!

Një ditë kur dolëm për kafe më tregoi se në punë kishte ardhur një punonjës i ri, i cili i dukej mjaft interesant. Unë nisa ta pyesja “me kureshtje” dhe vërejta që ajo po më fliste me shumë pasion. Po më thoshte që sapo kishte ardhur ai ia kishte ngulur sytë! Gjithsesi, ne e kaluam me të qeshur këtë gjë, sepse Linda kishte pothuajse dy vjet e martuar me një djalë shembullor, për të cilin të gjithë thoshin “Lum si ajo që do ta marrë!”, sepse djalë si ai, rrallë gjenden sot. Ata kishin 6 vjet që njiheshin dhe dashurinë e tyre më në fund e kurorëzuan me martesë. Edhe pse Linda thotë që, një arsye kryesore e martesës ishte fëmija që ajo po priste, prapë së prapë nuk mund të mohohet fakti që ata dukej se ishin bërë për njëri-tjetrin!

Pasi kalojnë disa ditë dolëm me Lindën për një shëtitje nga liqeni dhe më thotë që ai djali i punës po i afrohej shumë edhe madje i kishte propozuar të darkonin bashkë! Unë e pyeta:

“Po a e di ai që ti je e martuar?”

Dhe ajo më tha:

“Po, tani besoj se po! Unë kam unazë në gisht dhe… besoj se do ta ketë dëgjuar aty rrotull…”

I thashë:

“Mos më thuaj që po tundohesh!!!”

Dhe… ajo fatkeqësisht m’u përgjigj pozitivisht!

“O Linda”, i thashë. “Po ç’janë këto gjëra që mendon? Ti je e martuar dhe ke një bashkëshort që gjithkush ta ka zili, një vajzë të vogël të bukur si drita…”.

Ajo ma ktheu me një prepotencë që nuk e kisha parë më parë tek ajo:

“Ohuuu ti Rezi, gjithnjë paragjykuese do mbetesh!”

U habita nga kjo sjellje dhe m’u duk shumë e ndryshuar! Vazhduam të ecnim pa bërë fjalë dhe pasi kaluan disa minuta, ajo më tha:

“Rezi, nuk e di se si ta them, por… unë e pranova ftesën e tij!”

Që në momentin e parë që më foli për atë djalë sikur e parandjeva që do lindte diçka mes tyre. Dhe ja ku ndodhi. Ajo më tha disa ditë më vonë se tashmë kishte një lidhje jashtëmartesore me të. Ai këtë gjë mezi e duronte pasi ishte tip shumë xheloz, por nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër. Për martesë mes të dyve as që bëhej fjalë. Linda më thoshte që nuk donte ta ndante burrin. Unë i thosha gjithnjë që duhet të mendohej për të dhe për vajzën që kishin bashkë, por ajo gjithnjë më thoshte se ishte rrëmbyer aq shumë nga pasioni, saqë tani nuk dinte çfarë të bënte. I shoqi i saj kishte filluar të dyshonte dhe ajo m’u lut një mijë herë që nëse më pyeste për ndonjë gjë, t’ia mohoja çdo dyshim.

Ai një ditë erdhi edhe më takoi në punë. Më mori për kafe dhe mua ma ndjeu zemra që do më pyeste për Lindën. Ne kishim dalë edhe herë të tjera për kafe, por kur ka qenë edhe Linda, ndërsa tani ai ishte vetëm.

Që me vështrimin e tij dëshpërues kuptova pyetjet që donte të më bënte. Më tha që i kishte marrë pak a shumë vesh gjërat sepse e ndiente këtë largesë të së shoqes, pastaj dyshimet e tij i kishte përforcuar kur kishte kontrolluar celularin e saj.

M’u desh t’i thoja të vërtetën. Shkela betimin që i kisha dhënë shoqes sime më të mirë, por kjo në emër të dashurisë të bashkëshortit të saj i cili po vuante shumë nga veprimet e saj. Ai tashmë i ka kërkuar divorcin dhe po lufton me mish e shpirt që t’i marrë edhe fëmijën. Linda i është betuar se ka ndërprerë lidhjen e saj me atë tjetrin dhe kërkon që të lidhen prapë si në fillim, por ai mendon se besimi që thyhet, nuk mund të ngjitet më! Më thoni pra, a kam bërë mëkat që ia tregova të vërtetën?

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Familja nuk më lejon të fejohem me djalin që dua, si të veproj?

Next Post

Ç'rroba banjo të zgjedh?

Advertisement