Rreth moshës 40 vjeç, ose më shumë, na ndodh papritur të ndërgjegjësohemi për kohën që kalon dhe nuk kthehet më. Atëhere fillojmë të bëjmë një lloj bilanci të jetës, prej të cilit mësojmë shumë gjëra. Mund të themi se atëherë fillon mosha e pjekurisë, periudha kur bie maska dhe çlirohemi nga fantazitë fëmijërore. Për secilin nga ne, kjo etapë e mesit të jetës kalohet në mënyra të ndryshme. Disa kanë pengje, të tjerë u largohen përgjegjësive, të tjerë kuptojnë se çfarë u mungon në jetë, ose disa e pranojnë jetën, ashtu siç është. Me një fjalë, kjo periudhë “krize” apo mundësish, na rezervon surpriza të gjithëve. Për të kuptuar si e përballoni ju këtë etapë të jetës, përgjigjjuni pyetjeve të testit tonë…
1. Në ç‘rast e keni dëgjuar ju të bjerë “këmbanën e mesit të jetës”?
a. Kur kishit ditëlindjen
b. Kur keni pësuar një ndarje sentimentale
c. Kur keni pësuar një dështim profesional
d. Kur ju ka vdekur një i afërm
2. Fëmijët tuaj që rriten:
a. Ju lodhin
b. Ju kthejnë në adoleshencë
c. Ju bëjnë t’i bëni pyetje vetes
d. Ju bëjnë të ndiheni të plotësuar
3. Deri tani, cili ishte shqetësimi juaj më i madh?
a. Kënaqësia familjare
b. Nevoja për shkujdesje
c. Një ankth që duhet ta kaloni
d. Suksesi profesional
4. Buzëqeshjet tona shërbejnë gjithashtu për të maskuar emocionet tona të vërteta. Çfarë fshihni ju, më shpesh?
a. Keqardhjen
b. Zemërimin
c. Trishtimin
d. Ëndrrat
5. Ndryshimi është i pashmangshëm. Megjithatë, si arrini të krijoni te vetja iluzionin e përjetësisë?
a. Duke u ngjitur pas shenjave të jashtme të rinisë.
b. Duke u strehuar tek e kaluara.
c. Duke grumbulluar të mira materiale
d. Duke pranuar mungesën e përjetësisë sipas parimeve budiste.
6. Qëkur keni fikur 40 qirinj ose më shumë, zgjoheni shpesh në mëngjes:
a. Me më pak energji
b. Me një ndjenjë urgjence
c. Duke i bërë pyetje vetes
d. Me zemrën plot mirënjohje për jetën
7. Cila nga këto perspektiva do t’ju kënaqte më shumë në pjesën e dytë të jetës?
a. Një udhëtim në të shkuarën për një zgjedhje të re
b. Dhurata e rinisë së përjetshme
c. Një kasafortë ku të gjendeshin gjithë talentet tuaja dhe mundësinë për t’u qëndruar besnik/e atyre.
d. Mundësinë për t’u futur një rrethin e diturisë së të moçmëve.
8. Si reagoni ju përpara imazhit të gruas-kugar?
a. Ju vjen keq për to
b. Jeni njëra prej tyre
c. Ato ju fusin frikën
d. I injoroni
9. Rreth të dyzetave, ju jeni ndërgjegjësuar papritur se:
a. Ëndrrat tuaja kishin mbetur pas
b. Jeta është shumë e shkurtër për të ngadalësuar ritmin
c. Ka ardhur momenti i bilancit
d. Që jetën e keni përpara
10. Çfarë ka mbetur nga adoleshenca juaj:
a. Ëndrra në sirtar
b. Një parajsë që ju e rinovoni çdo ditë
c. Vendime që kanë përcaktuar jetën tuaj
d. Eksperienca nga të cilat keni nxjerrë mësime
11. Çfarë qëndrimi mbani përballë zhgënjimeve që janë të pashmangshme në jetë?
a. Mbylleni në vetvete
b. Praktikoni artin e mohimit
c. Bëni zgjedhje të reja
d. I pranoni si burim mësimi
12. Çfarë ju sjell ndërmend “mesi” i jetës
a. Një erë nostalgjie
b. Një periudhë paqëndrueshmërie
c. Një djall me brirë
d. Një etapë rritjeje
13. Çfarë ju frymëzon pleqëria?
a. Pengjet e kohës së shkuar
b. Ju vjen t’ia mbathni me të katra prej saj
c. Një dalje në pension të merituar
d. Mençurinë e të vjetërve
Rezultatet
Nëse keni më shumë a. Ju e përballoni krizën e të 40-ave me pengje
Një qiri më shumë në tortë, një ndryshim hormonal dhe menjëherë, e kuptoni: Ju, nuk keni në dispozicion një kohë pa limit. Mbase keni një zilkë të vogël të brendshme për t’jua kujtuar vazhdimisht. Më parë, ju nuk e kishit menduar këtë, shoqëruar kjo me një ndjesi lodhjeje të prekshme, një energji më të paktë. Kështu, pra, keni disa pengje, që mund të shkojnë deri në një lloj forme nostalgjie. Jeta jonë është e shoqëruar nga kalime të shumta dhe na ndodh ndonjëherë të kemi neglizhuar disa ëndrra. Kriza e mesit të jetës mund të zbulojë kështu kontradiktat tona, si edhe konfliktet e brendshme. Atëhere del në pah brishtësia jonë e brendshme, fillon një fazë transformimi që nuk shkon pa probleme, bile mund të shoqërohet edhe me faza depresive. Është një riorganizim jete që kërkon, shpesh, një dinamikë të re. Megjithëse është e vështirë, duhet të fillosh një dialog real me veten dhe ta pyesësh atë: “Nga çfarë kam hequr dorë me dhimbje? Çfarë kam tradhtuar në vetvete?”. Keni gjithmonë kohë të rikrijoni lidhje me vlerat tuaja të vërteta; nuk ka moshë për të përmbushur ëndrrat…
Nëse keni më shumë b. Ju e përballoni krizën e të 40-ave me mohim
Duket sikur juve nuk ju prek kriza e mesit të jetës. E imagjinoni realitetin pa të meta dhe mendoni vetëm për të tashmen, me lejtmotiv, të drejtën për të qenë i/e kënaqur. E vetmja re në qiellin tuaj të kaltër është trupi juaj që ndryshon. Në këtë rast, në vend që të pranoni ndryshimin, i largoheni atij. Jeni një adoleshent/e i përjetshëm, duke u munduar të ndaloni kohën që ikën. Jeni i përqendruar te vetja dhe duket sikur keni ngecur te nevoja për një rinovim të vazhdueshëm. Fëmijëria, kjo parajsë e humbur, ku mund të arrinit gjithçka menjëherë, është vendi ku gjeni strehim edhe sot, sepse e keni të vështirë të kënaqeni me botën ashtu si është. Kriza, të cilën ju refuzoni ta shihni në sy, sjell me vete një riorientim të thellë të objektivave tuaja. Kur të çliroheni nga lidhjet e ngushta që ju lidhin me nënën tuaj, mund të mos e shihni më veten si objekti i vetëm i dashurisë dhe të ktheheni edhe drejt të tjerëve. Vetëm dialogu i brendshëm do t’ju ndihmojë t’i jepni fund adoleshencës së brendshme, për të pasur më në fund guximin që t’u bëni ballë anëve të shumëfishta të karakterit tuaj dhe për të vendosur që të piqeni.
Nëse keni më shumë c. Ju e përballoni krizën e të 40-ave, duke i bërë vetes pyetje ekzistenciale
Në pamje të parë, gjithçka shkon mirë! Keni një jetë profesionale të kënaqshme, një familje të ekuilibruar, një lloj rehatie financiare, megjithatë një rrezik duket se kërcënon gjithë këtë ndërtesë. Kriza e mesit të jetës merr te ju një formë ekzistenciale; nevojën për t’i bërë pyetje vetes. Nuk keni pengje, as tentativë mohimi, por thjesht, një nevojë për ndryshim. Ju nuk mund të vazhdoni më si më parë, diçka duhet të ndryshojë patjetër! Si shpjegohet kjo? Shumica prej nesh, në fillim, kërkojnë të realizojnë objektivat e tyre profesionalë, familjarë dhe shoqërorë. Kështu, ne bëjmë atë që duhet bërë, atë që kërkohet prej nesh dhe në realitet, këto funksione, këto role, deri tani të dobishme, eklipsohen në një moment para vlerave tona të vërteta. Kriza shfaqet me ndjenjën se siguritë që kemi pasur deri tani, nuk vlejnë më. Atëhere, ju mund të ndjeheni thellësisht të destabilizuar nga fakti se hyni në një etapë tjetër të ciklit të jetës. Ju e keni kaluar jetën duke pritur mirënjohjen e të afërmve dhe shoqërisë; tani ka ardhur koha të bëni një nisje të re. Nevojitet t’i bëni një bilanc jetës për të gjetur përgjigjet e pyetjeve të tilla: Ku e keni investuar ju energjinë dhe përse? Çfarë duhet të përmbushni në jetën tuaj tani?
Nëse keni më shumë d. Ju e përballoni krizën e të 40-ave, duke e pranuar me qetësi atë
Ju e përballoni këtë kthesë me qetësi, thjesht, duke e pranuar atë. Pa dyshim, keni bërë paqe me imazhin tuaj dhe keni krijuar lidhje me aspiratat tuaja të thella. E keni gjetur tashmë vendin tuaj në gjirin e familjes; mbase keni pritur edhe arritjen e ndonjë nipi apo mbese. Duket se ardhur koha të vilni frytet e punës suaj dhe juve nuk ju vjen aspak keq për këtë.
Pa dyshim, jeta juaj është e mbushur plot, si në planin shoqëror, ashtu edhe në atë sentimental e familjar. Kriza e mesit të jetës është gjithashtu një mundësi rritjeje. Kur të gjithë elementët bëhen bashkë, mund të bësh përpara qetësisht, drejt pjekurisë. Çelësi qëndron në faktin që të mos e refuzosh kalimin e kohës, por ta pranosh, si një mundësi për të patur raporti të ri me veten. Kalimi në të 40-tat është njëkohësisht ai i bilanceve dhe dorëheqjes, por edhe i rilindjes, me kusht që t’i përjetosh të gjitha etapat, që të arrish objektivat e tua.