Nuk e teprojmë nëse themi se “guxim” është emri i dytë i Ronela Hajatit: Ajo guxon aty ku për të tjerët shkruan “tabu”. Me energjinë që ia dikton pasioni për muzikë, këngëtarja ka thyer vargonjtë e “të pahijshmes” në sytë e botës dhe i ka sjellë ato në skenë duke preferuar të bëjë shou. Prandaj, sa herë që dëgjojmë se do të shfaqet diku, të gjithë janë “sy e veshë” për të zbuluar se cila do të jetë risia e radhës, pas asaj më të fundit në performancën e famshme të Këngës Magjike. “Në skenë lejohet gjithçka, thotë ajo, edhe në Shqipërinë ku jeta, qejfet e pisllëqet janë njëlloj si në çdo vend të botës, por me një petk murgeshash përsipër”. Dhe ajo, vetëm murgeshë nuk është, kurse e vërtetë, po dhe me V të madhe!
Alma Buci: – Ronela, e ke nisur karrierën në një spektakël talentesh, ku spikate. Nëse kthehemi në fillimet e tua, çfarë kishe parashikuar dhe çfarë jo që në nisje, për vazhdimin?
Ronela Hajati: – Po, është e vërtetë që kam marrë pjesë në shumë kompeticione. Normalisht, aspiratat e ambiciet e një adoleshenti janë të mëdha dhe unë jam rritur me kulturën e të mosqenurit asnjëherë e kënaqur nga vetja. Normalisht, e kam imagjinuar këtë që jam tani, madje edhe shumë më tepër, që atëhere…
– Je ndër të paktat femra që bën autoironi, gjë që vetëm pak mendje të zgjuara e kanë guximin ta bëjnë, sidomos në Shqipëri… Dikush mund të mendojë se është modesti e dikush, strategji…
– Autoironia më buron pa e menduar. Duke qenë se jam njeri shumë realist dhe kërkues, gjithmonë kam kritika dhe vërejtje për veten. Mund të thoja që është modesti e tepruar, me raste, por kjo jam unë, s’ ndryshoj dot. Është e kotë ta mendoj si strategji një gjë të tillë.
– Risia në muzikë e në sjelljen skenike duket se ka qenë parësore për ty. E pamë këtë me klipin tënd të parë, me performancën te Kënga Magjike… Sa e ke ndjerë presionin e paragjykimit, aty ku fansi është edhe komshiu, edhe djali i parkingut, edhe shitësi i bukës? Ka patur raste pendese pas një veprimi?
– Mua më pëlqen të bëj diçka që nuk e bëjnë të tjerët, ose e që bëjnë pas meje, sepse s’kanë guximin ose impenjimin tim në punë. Unë lodhem pafund si fizikisht, si mendërisht, përpara një projekti për realizimin e tij. Në skenë lejohet gjithçka dhe kjo dihet… Ne duhet të dalim tërësisht nga vetja kur jemi para një publiku. Paragjykime e kritika, normalisht, do ketë, sidomos në Shqipëri ku jeta, qejfet e pisllëqet janë njëlloj si në çdo vend të botës, por me një petk murgeshash përsipër. Edhe unë, si çdo njeri kam gabimet e mia ku ka vend për kritika, ama përpos kësaj, kurrë s’jam penduar për diçka që kam realizuar.
– Po perceptimi i kolegëve për punën tënde? Ke kapur diçka të thënë nën zë?
– Mund të thonë shumë gjëra nën zë; as nuk e diskutoj këtë, por jo, nuk kam hasur në të tillë situatë.
– Çfarë mund të themi për fansat? Ç’marrëdhënie keni vendosur në heshtje me njëri-tjetrin?
– Ata janë “familje” për çdo artist. Është gëzimi më i madh të dish që punën tënde e pëlqejnë, të ndjekin, interesohen për karrierën tënde. Është një kënaqësi tepër e madhe të kuptosh që të rrethojnë dhe janë aty për ty.
– Le të flasim pak për stilin… Dëgjojmë dhe shohim vazhdimisht për veshje, gjeste e modele flokësh të kopjuara… Ti, ku e ke mbështetur stilin tënd?
– Unë kam shumë artistë që më pëlqejnë, por gjithmonë vishem me diçka që më shkon mua dhe dukem unë bukur me të. Sigurisht, mundohem të ndjek tendencat më të fundit dhe t’i realizoj sa më bukur te vetja.
– Besoj e ke imagjinuar veten në skena të mëdha, me publik me përmasa stadiumesh, me veshje glamour, një staf numeroz në funksionin tënd, miliona disqe të shitura, kontakte të rëndësishme… Supozojmë se je pjesë e një ambienti të tillë… Jam kurioze të di, si e imagjinon një jetë të tillë?
– Jam 24 vjeçe dhe, kur bie të fle, ëndërroj të këndoj njëherë me Xhastin Timberlejk. Ëndrrat janë pa lekë, është e vetmja gjë që është falas. Megjithatë, ata janë njerëz si edhe ne. Edhe ata kanë hallet dhe problemet e veta, por jam e sigurtë që janë shumë më të lumtur se ne dhe absolutisht; e dua dhe e ëndërroj atë jetë. Ama, s’e kam menduar kurrë si do të ishte ta jetoja në realitet.
– Ke dyshuar ndonjëherë se në këtë vend, jo gjithkush që përpiqet, mund të arrijë të realizojë ëndrrat e tij apo deri më tani, çfarë ke marrë ka qenë gjithmonë ajo çfarë ke dhënë?
– Jo vetëm që kam dyshuar, por edhe e kam provuar. Për mua, është e lodhshme ta prek këtë temë. Artistët s’i përkrahin, nuk ka një fond për gjithë mundin dhe kontributin që ne japim, gjithçka ndodh privatisht. Nuk është askush që t’i ndihmojë këta artistë. Po ata që s’kanë mundësi? Do rrinë kot, të harxhojnë pasionin e tyre në profesione të padëshiruara.
– Të vjen deri diku keq që ke lindur në Shqipëri?
– Unë Shqipërinë e dua pa fund! S’do mundem ta mohoj kurrë vendin tim! Kudo që të iki, më merr malli për këtu. Problemi ynë i vetëm këtu janë mundësitë. Shumë të pakta… Kjo i shtyn shumë njerëz të ikin prej këtej…
– Sa larg mendon të të çojë apo ta çosh këtë rrugë që ke nisur?
– Unë orakull nuk jam! (Buzëqesh) Sa më shumë, aq më mirë për mua, por s’mund ta var jetën time te kënga, ndaj kam edhe një shkollim tjetër në xhep.
– Një qëllim të caktuar që ia ke vënë vetes…
– Qëllim? Të jetoj shëndetshëm… të tjerat ikin e vijnë.
– Sot kemi këngëtarë kundër njëri-tjetrit që formojnë edhe grupime kundër, të tilla si OTR me Babastars. Ti ke zgjedhur të renditesh te ky i fundit. Si e shpjegon pozicionimin tënd aty dhe si vijnë në gjykimin tënd, dissat e konfliktet mes tyre?
– Pjesëtarët e Babastars i kam shokë prej vitesh, sidomos Getin, që e njoh të parin nga ata. Janë njerëz shumë të sjellshëm, të talentuar dhe më kanë mbështetur atëhere kur rrallëkush besonte tek unë. Sa për konfliktet, janë gjëra në të cilat nuk jam përzier kurrë dhe nuk më shkon në mendje ndonjëherë të përfshihem. Sa për dissat… ky është një fenomen që ndodh në gjithë botën e hip – hopit, kështu që nuk shoh ndonjë çudi të madhe.
– Di të më thuash një kontrafigurë tënden në treg?
– Boh, s’besoj që ka. As më ka shkuar në mendje kjo gjë. Pse, pak bën Rihana dhe Bijonse që të më kopjojnë mua?!
– Deri ku do të shkoje për të tërhequr vëmendje mbi Ronelën artiste, që bën dhe sjell gjëra për të cilat të tjerët ngurrojnë apo qielli është limiti?
– Një fije e ndan vulgaren nga sensualiteti. Nuk më shkon ndërmend të bëj skandale pa kuptim me një këngë të shëmtuar dhe pa kuptim, por një këngë e bukur dhe e punuar shumë mirë, me një dozë të vogël skandali, del hit! Formulë botërore…
– Je kaq e gjallë, energjike dhe e shpenguar në skenë! A mund të jetë Ronela e ndrojtur, e brishtë, e tërhequr, që kalon kohë me veten dhe për veten?
– Ç’është e vërteta, unë përditë jam shumë e thjeshtë, madje kam dhe komplekse, gjë që nganjëherë, më stopon për shumë gjëra. Qaj me filmat si budallaçkë, emocionohem nga këngët. Më vjen zor të kundërshtoj fjalët. Por… me raste. Jeta e bën njeriun të sforcohet dhe të dalë shpeshherë nga vetja, për të arritur çfarë është më e mira për të.
– Emocioni të frymëzon apo të bllokon?
– Varet. Ka pasur raste kur s’më kanë bërë këmbët as të eci. Unë kam të mirë që përgjithësisht s’kam emocione se, në të shumtën e rasteve, më ulin pikë. Është një ndjesi shumë e çuditshme!
– Gjërat e vogla që ta bëjnë të bukur jetën…
– Gjërat e vogla, pikërisht! Sikur një kafe me një shoqen time, një e vajtur në kinema, një surprizë…
– Cilat janë momentet e tua më të vështira?
– Unë kam pasur shumë momente të vështira në jetë dhe as vetë nuk di kush ma ka mbajtur mendjen në vend. Humbja e babait më ndryshoi rrënjësisht si njeri. E falënderoj Zotin përditë edhe për kaq sa kam!
– Në zemrën tënde ka më shumë vende bosh apo plot?
– Vende të zbrazura.
– Është plotësuar ai vendi në zemër që pret një person të veçantë për ta mbushur?
– Jo dhe për këtë nuk kam gënjyer kurrë. Dua shumë të dua dikë, por thjesht, askush nuk më ngjit! Ose jam unë shumë kërkuese… nuk di… por do ketë diçka dhe për mua, apo jo?
– Ke marrë ndonjë propozim të hatashëm për martesë, por që nuk të ka interesuar?
– Po të kish qenë i hatashëm, si mund të mos më interesonte? S’kam arritur ndonjëherë në këtë fazë.
– Gjeste si tërheqja e karriges, pagesa në lokal, janë për ty shenja galanterie?
– Janë mbi të gjitha kulturë dhe rrallë e gjen sot e kësaj dite, fatkeqësisht!
– Çfarë mendon për ata që shpenzojnë para?
– Unë jam një ndër ta. Çfarë kam, e harxhoj. Gjëja më e keqe është kur ke një hall pastaj dhe s’di ku të përplasesh.
– Sipas një sondazhi të fundit, meshkujt shpenzonin më shumë për parfumet dhe teknologjinë e re, kurse femrat, për librat dhe shëndetin. Po fokusi i blerjeve të tua, cili është aktualisht?
– M’u bëka qejfi për këtë. Unë kam një bibliotekë gjigande në shtëpi. Së fundmi, po lexoj Oshon.
– Investimi më i mirë?
– Karriera ime.
– Për ty, kjo botë është e ndarë në të mirë dhe të këqinj, të varfër dhe të pasur, të bukur dhe të shëmtuar?
– Në të këqinj dhe të mirë, që po bëhen të këqinj dita-ditës.
– Ka nisur për ty sezoni i plazhit?
– Eeeee u bë kohë që s’bëj pushime siç duhet. Vera është sezoni më i dendur nga koncertet për ne, kështu që jo akoma, deri nga shtatori, jo.
– U bënë kohë që po bën pushim. Besojmë se diçka po ndodh në prapaskenë… Çfarë e pret publikun tënd?
– U bënë 6 muaj që nuk nxjerr një këngë të re. Nuk është shumë, në fund të fundit, duke qenë se unë kam qenë e pranishme në koncerte, por diçka po përgatis dhe unë. Është një bashkëpunim që besoj se ka gjithë komponentët dhe bashkëpunëtorët e duhur për t’u kthyer në një këngë të dëshirueshme për njerëzit. Të shohim! Me kismet, them unë.
Si e komenton Ronela…
…sherrin mes motrës se Bijonses dhe Jay z?
– Epo një gjë do ta ketë kurdisur ai Jay-z, që iu vërsul ashtu ajo! Ndodh si në çdo vend në botë. Ne i shohim aq perfekte ata, por problemet e tyre janë të njëjta me çdo marrëdhënie familjare tjetër në botë.
…daljen e Xhorxh Kluneit nga “tregu i beqarisë” dhe unazën 800.000 dollarëshe të së fejuarës së tij?
– S’jam e informuar për këtë. Ajo çupa, ta gëzojë unazën!
…marrja e çmimit prej një travestiti në Eurovizion?
– Djali/vajza, përpos të gjithave, kishte një zë të mrekullueshëm… U habita kur e kam parë për herë të parë, por vokali i tij ishte mrekulli.
…fyerjen e Kristi Pinderit ndaj Eneda Tarifës për komentin kundra ndaj Konçitës në Eurovizion?
– Besoj se askush s’duhet të fyejë sepse secili ka mendimin e vet. Në fund të fundit, ne flasim e s’pushojmë, kurse Konçita ka një alamet trofeu në shtëpi dhe as që i bie ndërmend për ne!