Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Fallxhorja më rropi nga lekët!

Dëgjova ditët e fundit lajmin për një grua të cilën e kishte grabitur një fallxhore dhe, megjithëse më vjen shumë turp për atë që më ndodhi, përsëri vendosa ta rrëfej historinë time, që i ngjan shumë të sajës…

Kur isha adoleshente, kisha dëgjuar se në filxhanin e kafesë dalin shumë gjëra për të ardhmen e një personi, por asnjëherë nuk i besoja këto gjëra. Shumë nga shoqet e mia kishin filluar të pinin kafe që të vogla, vetëm e vetëm për të shuar kuriozitetin se çfarë do të ndodhte me to për një problem që i shqetësonte, mirëpo gjithë kjo kishte nisur si shaka për to, por më vonë ishte kthyer në një ves dhe nuk jetonin dot pa filxhanin e kafesë. Një fenomen të tillë e ndesha edhe në shkollën e lartë. Në konvikt, ne ishim katër shoqe që jetonim bashkë. Njëra prej tyre shikonte edhe filxhan; ajo pretendonte se e kishte të trashëguar nga gjyshja. Dy shoqet e tjera shikonin herë pas here filxhan tek ajo dhe kishin filluar të kishin shumë besim, sepse ajo u kishte treguar gjëra që u kishin ndodhur ose u ndodhën më vonë. Nga e gjithë kjo, edhe mua më shtyu shumë kurioziteti dhe një ditë, kur kisha provim, vendosa të shikoja një filxhan për të parë nëse do të kaloja apo jo, pasi në atë provim kisha ngelur njëherë dhe po e jepja për të dytën herë. Ajo më pa filxhanin dhe më tha: “Në provim ke për të marrë notën 6” dhe në të vërtetë ashtu ndodhi. Që prej asaj dite, edhe unë, si shoqet e mia, fillova të shikoja herë pas here filxhan. Kishte shumë raste që ajo më kishte gjetur se çfarë do të ndodhte për gjërat që më shqetësonin, kështu që në njëfarë mënyre, unë u bëra “viktimë” e fallit në filxhan. Mirëpo në konvikt kishte edhe nga ato femra që vinin për qëllim përfitimi. Njëra prej tyre na trokiti në dhomë dhe na pyeti nëse donim të hidhnim fall me letra. Unë atë ditë isha vetëm, se shoqet ishin në leksion. Pa e ftuar brenda, ajo hapi derën dhe më pyeti nëse doja të shikoja letrat, mbylli derën dhe m’u afrua.

E pyeta: “A di të shohësh filxhan, se letrat nuk i besoj?” dhe ajo më tha: “Unë nuk di, por do të të çoj në një vend ku do të habitesh edhe vetë nga ato që do të të thotë”. Pa u menduar fare, pranova të shkoja me të atje ku ajo do të më drejtonte. Hapëm derën e hymë brenda, po ç’të shikoje? Mund të ishin gati 30 gra që prisnin radhën aty! Gruaja që më shoqëronte, iku dhe më la porosi që, mbasi të mbaroja punë, t’i lija fallxhores 5 mijë lek. Përgatita kafen dhe, pasi e piva e ia çova fallxhores që të ma kthente, nuk mbaj mend shumë gjëra se çfarë më tha atë ditë, por ajo që m’u fiksua ishte: “Do të fejohesh brenda gjashtë muajsh dhe të fejuarin do ta kesh emigrant”. Të gjithave atyre që ajo më tha, unë nuk u besova fare për momentin, por fjalët e fallxhores më erdhën në mendje kur në verë u fejova dhe, për më tepër, i fejuari im ishte emigrant, punonte në Itali. Edhe pse fejesa ime u realizua me mblesëri, unë e doja shumë atë. Ai ishte krahu im i djathtë, të gjithë më thoshin se kisha lindur me këmishë që isha fejuar. Ai më dërgonte shumë lek, aq sa kisha hapur llogarinë time. Po ashtu, më dërgonte edhe shumë dhurata. Me pak fjalë, më të ndjehesha si princeshë. Unë isha e lumtur në krahët e tij, deri në momentin kur ai më tha se duhet ta lija shkollën, pasi e ëma e tij u sëmur dhe unë duhet t’i qëndroja pranë. Shkolla ishte ajo që do të më rregullonte të ardhmen time, kështu që unë nuk mundesha ta lija atë dhe prindërit e mi nuk do të ma lejonin këtë gjë.

Advertisement

E gjithë kjo u pa me sy të keq nga ana e vjehrrës dhe, kur ajo u shërua, çfarë nuk bëri për të na ndarë mua dhe ish-të fejuarin tim. Unë nuk e di se çfarë i kishte thënë ajo, por ajo që di ishte vetëm fakti që ai kishte filluar të ftohej me mua. Në telefon më merrte gjithnjë e më pak, deri në momentin kur nuk më mori më dhe thjesht më dërgoi një mesazh në telefon, ku më thoshte: “Kur unë kisha nevojë për ty, ti nuk m’u gjende në krah. Tani, shiko jetën tënde se nuk kemi më punë bashkë”. Kaq mjaftoi dhe ai nuk u bë më i gjallë. Shoqet më kishin fiksuar duke më thënë se ndoshta më kishte bërë magji vjehrra, pasi ish-i fejuari më donte shumë dhe ne nuk e besonim që ai do të më linte në këtë mënyrë. Atëhere më shkoi në mendje fallxhorja ku kisha parë filxhanin dhe menjëherë iu drejtova asaj për të mësuar çfarë më kishte ndodhur. Ajo në filxhan më tha se “ti nuk ke për t’u lidhur më me këtë djalë se të kanë bërë magji”.

Unë fillova të qaja me të madhe dhe fallxhorja, më kapi nga krahu e më tha: “Do të të ndihmoj unë për këtë hall, po më duhen shumë lek”. Për momentin nuk doja t’ia dija fare, e doja me çdo kusht atë djalë dhe nuk do të kurseja asgjë për ta rifituar atë. Fallxhorja më sqaroi se ajo njihte një fallxhore tjetër që merrej vetëm me prishjen e magjive, por ajo kërkonte shumë lek, madje nuk merrte lek shqiptare, por euro. Unë kisha një shumë prej 2 milion lekësh në llogarinë time dhe vendosa që të mos i kurseja për t’u rilidhur me të fejuarin. Fallxhorja më sqaroi se me këtë punë do merrej ajo, pasi atje shkonin vetëm njerëz të shtresës së lartë, si deputetë apo intelektualë të tjerë dhe ajo nuk merrej me njerëz të thjeshtë. Unë i besova asaj gruaje. Si fillim, ajo më tha: “Do të mbledhësh moshën e saktë që ka ish-i fejuari, moshën e vjehrrit e të vjehrrës e aq euro do të më japësh për t’ia çuar fallxhores, e cila do të të prishë magjinë. Mosha e tyre e mbledhur shkonte në 190 dhe fallxhorja, aq euro kërkonte. Ia dhashë lekët dhe ajo më solli dy qirinj të cilët duhet t’i ndizja çdo mbrëmje në hënë të plotë dhe do të lutesha që ish-i fejuari im të kthehej tek unë. Mbas kësaj ajo më kërkoi edhe 300 euro për të më prishur magjinë që, sipas saj, ma kish bërë vjehrra. Mbasi i dhashë eurot, ajo më solli dy kokrra arra të mëdha dhe më tha se duhet t’i mbaja gjithmonë me vete. Edhe pse i kisha bërë të gjitha ato që më kishte porositur fallxhorja, përsëri nuk pata asnjë lloj reagimi nga ana e të fejuarit, por fallxhorja këtë fakt e sqaronte se magjia ishte shumë e fortë dhe duhej bërë në disa seanca. Përveç atyre që kisha bërë, unë duhet të bëja edhe tre seanca të tjera me nga 200 euro. Këto të treja nuk doja t’i bëja, por ajo këmbëngulte se nuk duhet të dorëzohesha, duhet të besoja më shumë, se ndryshe nuk realizohej prishja e magjisë.

I bëra edhe tri seancat e tjera dhe nuk bëja asgjë tjetër, veçse lutesha dhe ndizja qirinjtë që më jepte fallxhorja. Pa u zgjatur më shumë, dua t’ju them se të gjitha lekët që kisha në bankë, unë i harxhova me fallxhoren dhe asnjë rezultat nuk pata. Ky është budallallëku më i madh që kam bërë në jetën time! Fallxhoret janë si lojërat e fatit që, po luajte njëherë, nuk heq dot dorë prej tyre sa të jetë jeta dhe, më e keqja që po e vuaj edhe sot është se nëse do të kisha akoma lek, unë përsëri do të shkoja të bëja diçka. Më është fiksuar se e gjithë kjo nuk është gjë tjetër veçse magji dhe fakti që ekziston dikush që mund të ma prishë magjinë, më bën me shpresë se jeta ime do të rregullohet sërish me njeriun që dua. Nuk e di kur do të realizohet, por jam e bindur se një ditë do ta gjej një zgjidhje. E di se ju që po lexoni historinë time po më paragjykoni, por për momentin, kjo është e vetmja gjë që më bën të ndjehem mirë.

 

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Qëndro i ri me masazhin Taji!

Next Post

Edi Rama u bë me djalë!

Advertisement