FRANSUA FALETI
Fransua Faleti është Prokurori i Përgjithshëm i Parisit. Korrespondenti ynë në Paris u mundua këtë javë të kontaktonte me të, por e kishte të pamundur. Prokurorët atje, siç na tha ai, nuk janë si prokurorët shqiptarë që, në përfundim të çdo dite, takohen me gazetarët dhe u “raportojnë” për hetimet, pavarësisht nëse ato mund të jenë edhe sekrete…
Ne, zotin Faleti nuk deshëm ta pyesnim për ndonjë hetim, jo. Deshëm ta pyesnim se si ia kishte dalë mbanë të merrte të pandehur ish-Presidentin Nikolas Sarkozi. Madje, jo vetëm që e kishte marrë të pandehur, por të martën, zoti Sarkozi kishte qëndruar jo pak, por 15 orë në polici, ku u mor intensivisht në pyetje. Ai akuzohet për korrupsion dhe, në rast se shpallet fajtor, Sarkozi rrezikon mbi dhjetë vjet burg dhe një gjobë prej 150 mijë eurosh. Si ka arritur prokurori Faleti ta bëjë këtë gjë që ne, në Shqipërinë tonë, që ka më shumë korrupsion se Franca, as nuk arrijmë ta mendojmë?! A mund të na japë ai pak përvojë? Ja, për këtë deshëm të bënim një intervistë me zotin Faleti…
NASIP NAÇO
Shumë pikëpyetje na lindën këtë javë kur lexuam lajmin se çdo i burgosur i kushton shtetit shqiptar 439 euro ose afërsisht, 615 mijë lekë të vjetra në muaj. Si shpjegohet kjo shifër kaq e lartë, kur dihet se, sipas statistikave zyrtare, në Tiranë, një familje me 4 persona shpenzon mesatarisht 800 mijë lekë në muaj, ndërsa në qytete si Berati, Fieri, Korça etj., një familje me 4 persona ia del ta mbyllë muajin me rreth 500 mijë lekë të vjetra? Mos vallë i mbyllur në burgje jetohet më mirë se jashtë, në liri?! Mos vallë për këtë arsye, “të fortët” shqiptarë vrasin e presin pa problem dhe nuk u bën syri “tërr” për t’u futur në burg?! Si shpjegohet fakti që në shumë raste, tutorët e arrestuar të vajzave të trafikuara e shfrytëzuara rrojnë më mirë sesa viktimat e këtij trafiku, që mezi i shtyjnë ditët në qendrat e rehabilitimit?! A është normale që të burgosurit të kenë televizor satelitor, internet e Facebook, kur mijëra njerëz jashtë burgjeve nuk i kanë mundësitë ekonomike për këto gjëra?! Mos është mirë që ca para nga ato të të burgosurve t’u kalojnë atyre që janë jashtë e që nuk kanë bërë ndonjë krim? Ja, këto pyetje deshëm t’i bënim këtë javë Ministrit të Drejtësisë, zotit Nasip Naço, por nuk mundëm…
ADRIATIK LLALLA
As Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, nuk e takuam dot këtë javë. Na ka ngelur “kunj” një deklaratë e tij bërë disa javë më parë dhe për këtë deshëm ta pyesnim. E mbani mend kur ai deklaroi: “Kemi nën hetim shumë çështje që do të ndikojnë në të ardhmen politike të vendit”? Ka kaluar më shumë se një muaj nga dita kur ai lëshoi këtë deklaratë bombastike, por deri tani asnjë çështje nuk ka nxjerrë në dritë prokurori ynë i nderuar. Kur ai deklaroi këtë, në prag të vendimit të marrjes së statusit nga Shqipëria, njerëzit menduan se para se të merrnim statusin, diçka do të ndodhte, se ndonjë “i madh” do të dënohej. Por jo, asgjë. Me sa duket, ajo deklaratë ishte një shashkë e kryeprokurorit për të gënjyer Evropën, e cila me sa duket, kësaj here, e hëngri…
SALI BERISHA
Deshëm të takonim këtë javë edhe ish-kryeministrin, Sali Berisha. Nuk do ta pyesnim as për përjashtimin e tij nga Parlamenti, as për fjalët e ndyra të cilat, pas përdorimit që i bën ai në Parlament, të themi të drejtën, nuk na duken më edhe aq të ndyra…
Zotin Berisha deshëm ta pyesnim në lidhje me atë çka deklaroi të enjten në Parlament se “Rama nuk ka bërë asnjë metër rrugë gjatë kohës që është në qeveri”. A e ka verifikuar këtë çka tha zoti Berisha, apo si në shumicën e rasteve, thotë ato që ia thonë të tjerët, apo ato që i lexon nëpër gazeta. Themi kështu sepse pikërisht atë javë që ai deklaroi këtë, ne ishim dëshmitarë të punës që po bëhej në rrugën Rrogozhinë-Golem apo Levan-Tepelenë e cila, më në fund, pas shumë muajsh, ishte bërë e udhëtueshme. Apo zoti Berisha këto rrugë i quan “të tijat”, pavarësisht se gjatë tetë vjetëve ai nuk mundi ta mbarojë plotësisht asnjë rrugë të nisur, përfshi edhe rrugën e Kombit dhe pavarëssht se u la ndërtuesve të rrugëve rreth 15 miliardë lekë borxhe, të cilat po i lan zoti Rama?!
RYUTARO NONOMURA
Ryutaro Nonomura është një politikan në prefekturën e Hyogonos, në Japoni. Këtë javë ai u bë i famshëm për shkak të një videoje që qarkulloi në internet, ku ai u shfaq duke qarë me lot në një konferencë shtypi. Dhe përse po qante, thoni ju? Sepse një gazetë japoneze kishte botuar një artikull që hidhte dyshimin se ai kishte bërë shpenzime të tepruara nëpër udhëtime duke përdorur paratë e shtetit. Dhe, bëhej fjalë për 30 mijë dollarë! 30 mijë dollarë! E imagjinoni dot ju, të dashur lexues, që në Shqipëri një politikan të akuzohej për 30 mijë dollarë e aq më shumë të prekej e të qante për këtë? Këtu te ne as që merakosen e qajnë për 3 milionë dollarë e jo për 30 mijë. Po pse qante vallë? U prek vërtet apo kishte frikë nga ligji? Ne mendojmë se duhet të jetë e dyta, se në Japoni nuk besojmë të ketë gjykatës si Gjini, Gjoni apo Lulushja me shokëm të cilët 30 mijë dollarët i kanë pare xhepi…