Edhe një shqiptar tjetër në Botëror
Tërë shtypi ynë ka folur shumë për shqiptarët e Botërorit të Brazilit, për Mehmedin, Behramin, Xhakën, Shaqirin, apo Xhemailin e Zvicrës, Mustafin e Gjermanisë, Jonuzajn e Belgjikës, apo Konen e Greqisë, por asnjë nuk ka përmendur një tjetër, edhe pse e kemi koleg. E kemi fjalën për fotoreporterin Armando Babani, që është aty si i dërguar i agjencisë prestigjioze europiane EPA (European Pressphoto Agency)… Me anë të Skajpit, ne zhvilluam një bisedë me të, pas përfundimit të ndeshjes Hollandë-Australi…
– Pse të zgjodhën ty, Mandi, për të shkuar në Kampionatin Botëror?
– Nuk e di, duhet të pyesni shefin tim për këtë… Unë jam prej 18 vjetësh korrespondent i EPA-s për Shqipërinë dhe kohët e fundit më kanë dërguar shpesh të ndjek aktivitetet sportive nëpër botë. Kështu, isha në Soçi, për Lojërat Olimpike Dimërore, në Turqi, për finalet e Eurobasket etj. Tani jam në Porto Alegre, për të ndjekur ndeshjet e Kampionatit Botëror të Futbollit, që do të zhvillohen në këtë qytet…
– Je i vetmi shqiptar në Porto Alegro, besoj…
– Po, kam idene se, për punë, mund të jem i vetmi…
– Pse, mund të ketë për qejf?
– Ku i dihet?! Ku nuk shkojnë shqiptarët!
– Vërtet, ku nuk ka shqiptarë! Në çdo cep të botës të jesh, do të dëgjosh shqip. Aty ke dëgjuar?
– (Buzëqesh) Akoma jo.
– Ç’të ka bërë më shumë përshtypje nga Porto Alegre?
– Jo ndonjë gjë e veçantë. E mendoja ndryshe… Të paktën Porto Alegre është si Tirana, por një Tiranë më e madhe dhe më e pastër…
– Çfarë të kujton Europën e çfarë është ndryshe nga Europa në Brazil?
– Ajo që nuk më kujton Europën është fakti se këtu asnjeri nuk flet anglisht. Është e vështirë të gjesh dikë që flet anglisht… Ndërsa Europën ma kujton organizimi i përsosur i Kampionatit dhe rregulli i fortë nëpër qytet. Këtu, polici është polic. Një dorë polici e ngritur, këtu bën “sus” një mijë makina në rrugë. Këtu kanë një shprehje: “Një herë thotë “jo” me fjalë polici. Herën e dytë, e thotë me shkop gome”…
– Ndofta ky rregull të shtyu që, në solidarizim me aksionin e policisë në Lazarat, të publikoje në Facebook një foto tënden me mbishkrimin: “Unë jam me policinë e shtetit”…
– Jo vetëm kjo! Pas një jave do të jem prapë aty; aty e kam jetën. Unë jam qytetar i atij vendi dhe dua rregullin. Ndaj jam dakord me çdo gjë që bën policia për qytetarin, për zbatimin e ligjit…
– U ambientove shpejt me orarin dhe me klimën aty?
– Me orarin akoma bëhem lëmsh për shkak të ndryshimeve me orën e Europës, ndërsa klima është pothuajse njësoj si te ne. Vetëm se, ndryshe nga ç’mendoja, këtu është më ftohtë.
– Më ftohtë?
– Po, sepse këtu është fundi i vjeshtës dhe fillimi i dimrit. Tani që erdha këtu, për shembull, unë kisha veshur një xhup të lehtë…
– Po brazilianët, si janë?
– Me aq sa kam njohur, duken njerëz shumë të ngrohtë, si mesdhetarët…
– Po brazilianet? Me aq sa kemi parë nga pamjet e televizionit nëpër stadiume, tifozet duken si yje kinemaje…
– Vërtet nga kamerat e televizioneve ashtu duken, por të them të drejtën, ato që nxjerrin nëpër televizione, unë nuk po i shoh në rrugë.
– A e dinë brazilianët ku bie Shqipëria?
– Të gjithë brazilianët që kam takuar, as që e kanë patur idenë se ku është atdheu ynë…
– Po në favelat e famshme, “lazaratin” brazilian, lagjet e drogës ku thonë se nuk hyn policia, ke shkuar?
– Jo dhe më duket se në Porto Alegre nuk ka. Ato ekzistojnë vetëm në Rio de Zhaneiro…
– Po në plazhet e famshme braziliane, ku thonë se nuk shikon asnjë vajzë me rroba banje të gjera?
– Këtu ku jam unë ka det, por nuk ka plazh, ndaj nuk e vërtetoj dot këtë fakt…
– Kur thua Brazil, thua samba! Kërcehet në rrugë?
– S’ka pikën e lidhjes kjo gjë, të paktën në qytetin ku jam unë. Tjetër gjë është Rio e San Paolo.
– Ç’të ka bërë përshtypje atje?
– Çmimet shumë të larta, si në Europë, ndërkohë që niveli i rrogave nuk është si Europa.
– Në Facebook botove një status për kafen…
– Ah, kafja! Mos më pyet! Kur arrita në hotel, po çlodhesha dhe po pija një kafe. Po më shijonte aq shumë sa thashë me vete që kafe si kjo nuk kam pirë në jetën time. Pastaj u kujtova… Isha në Brazil. Në atdheun e kafes…
– Kaq e mirë është?
– Jam 51 vjeç dhe jam qejfli kafeje. Kudo, edhe në Tiranë, por edhe në Europë, pi kafe të zgjedhur, por e them me plot gojën se deri tani, ajo që kam pirë, nuk ka qenë kafe, por ujë. Këtu kafja është komplet tjeter. Ka shije tjetër, të shijon krejt ndryshe…. Nuk di si ta shpjegoj pse… E vetmja gjë pse do të më marrë malli për Brazilin, është kafja.
– Po ushqimi, si është?
– Deri tani kam ngrënë ushqim internacional. Mos kujto se bëjmë ndonjë qejf të madh. Unë kam ardhur këtu për punë dhe paguhem për të punuar e jo për turizëm, i dashur….
– Ok, le të flasim pak për punën, atëherë… Kaq të zënë e ke ditën? Ndeshje s’ka përditë…
– Nuk ka ndeshje përditë, por përditë duhen bërë foto nga stërvitjet e skuadrave, pastaj duhet shkuar në qendrën e shtypit për të transmetuar fotot, pasi interneti i hotelit është jashtëzakonisht i ngadaltë (nuk krahasohet me Shqipërinë). Por, mos harro që për të shkuar nga hoteli në stadium duhen 3-4 orë dhe nga hoteli në qendër, një orë. Veç kësaj, kur ka ndeshje, duhet të shkosh në stadium katër-pesë orë para ndeshjes… Nëpër rrugë, këto ditët të kampionatit, ka shumë trafik e bllokime rrugësh… Të shkon dita në rrugë…
– Ti ke mbuluar deri tani ndeshjet Francë-Honduras dhe Hollandë-Australi. Cila ndeshje të ka dhuruar foto më të bukura?
– Për mua, të gjitha fotot janë të bukura, por më shumë kënaqësi më kanë dhënë ato që janë marrë e botuar nga gazeta prestigjoze botërore, si ajo e Karim Benzemasë, botuar nga “Boston Globe”…
– Arrin ta shijosh apo shikosh ndeshjen kur je mbrapa portës, me aparat në dorë?
– Jo, as e shikoj e shijoj ndeshjen. Shijoj punën. Aty jam për punë. E kam mendjen tek aksionet, te lojtarët, veprimet e tyre. Në profesionin tim, çdo sekondë mund të më sjellë diçka. Po nuk kape sekondën…
– Ti vetë, me kë je tifoz?
– Jam me Gjermaninë, por simpatizoj gjithashtu edhe Hollandën dhe Italinë.
– Kush do të fitojë?
– Nuk flas si tifoz, por nga ç’shoh e dëgjoj rreth e rrotull, Botërorin do ta fitojë Gjermania…