Nuk kishte si të ndodhte që Amosi të mos zgjidhte aktrimin. Duke qenë djali i Yllka Mujos, aktrimi dashur-padashur është bërë pjesë e jetës së tij. Me pamjen e një djali serioz, por që nuk i mungojnë batutat, Amosi të bind se në të ardhmen do të jetë një emër i njohur në kinematografinë shqiptare. Ne biseduam për shumë gjëra, por në qendër të bisedës ishte filmi më i ri serial “Millenium” i cili ka filluar të shfaqet në Televizionin Shqiptar. Ai na tregon për filmin, aktrimin, marrëdhënien me mamin e motrën, duke mos harruar edhe pjesën që është më interesante për femrat; marrëdhënia me to. Vajza, po ju them vetëm që Amosi është singëll; të tjerat lexojini vetë, në këtë intervistë…
– Amos, sapo kanë filluar të shafqen në televizion seritë e filmit më të ri “Millenium”, në të cilin luan edhe ti. Për ata që ende nuk e kanë parë, çfarë trajton ai?
– Filmi është i shpërndarë në disa tema si: Krim, familje, shoqëri, dashuri etj., të cilat ndërthuren mjaft mirë gjatë të gjithë filmit.
– Ti vetë, si u bëre pjesë e tij?
– Me anë të audicionit; konkurrova dhe fitova.
– Si do ta përcaktoje personazhin tënd?
– Romantik.
– I gjendur mes vajzave simpatike në film, ka patur ndonjë moment gjatë xhirimeve që e ke parë ndonjërën prej tyre si femër dhe jo si kolege?
– Jo. Në këtë profesion duhet të jesh gjithmonë objektiv.
– Po në jetë, ke qenë ndonjëherë i lidhur me një vajzë që jetonte në konvikt?
– Jo.
– Mbaj mend që një ngjarje e ngjashme me rastin e Alzanës në film, e cila vritet natën afër godinës së konvikteve, ka ndodhur në të vërtetë disa vite më parë në Tiranë. Ka qenë edhe kjo një ndër shtysat për skenarin e filmit?
– Po, nga ajo ngjarje, në fakt, ka marrë shtysë regjisori, por zhvillimi i skenarit është totalisht i trilluar.
– Çfarë duhet të ketë një partnere aktrimi, që të përshtatet mirë me ty? Si duhet të jetë ajo?
– Sa më e lirshme dhe inteligjente.
– Pse zgjodhe pikërisht aktrimin, ndërkohë që në Shqipëri ka shumë pak hapësira për të?
– Nuk e zgjodha unë aktrimin, ai më zgjodhi mua.
– A nevojitet shumë shkolla e aktrimit sot, kur gjithnjë e më shumë aktorët e rinj i zgjedhin kryesisht në bazë të paraqitjes?
– Në qoftë se kriteri kryesor për përzgjedhjen e një aktori është që të jetë i pashëm, atëhere mendoj se jemi në rrugë të gabuar.
– Ka ndikuar fakti që ke në shtëpi një mama aktore?
– Në mënyrë të pandërgjegjshme, ndoshta.
– Si ka qenë fëmijëria jote?
– Me lodra. (Qesh)
– Nëse mami nuk do të ishte aktore, ti, do të ishe bërë aktor?
– S’kam se si ta di, por matematicien nuk do të isha bërë, kjo është e sigurtë. (Qesh)
– Në ç’pikë e ke ndjerë më shumë mbështetjen e saj?
– Gjatë gjithë jetës, në çdo moment, e kam patur mbështetjen e saj.
– Ka patur ndonjë moment kur je penduar që ke bërë këtë zgjedhje?
– Sa herë e kam portofolin bosh! (Qesh)
– Në të ardhmen, ku e sheh veten të pozicionuar më tepër?
– Në film e teatër.
– Duke qenë se je djalë i vetëm, je ndjerë i përkëdhelur?
– Jo dhe aq, domethënë, aq sa duhet. (Buzëqesh)
– Tani që nuk e ke aq pranë Elian, çfarë të mungon më shumë nga ajo?
– Ime motër vazhdon të jetë po aq e disponueshme për mua sa çka qenë gjithmonë.
– Emri yt është shumë i veçantë…
– Amos është emër biblik, vjen nga Dhiata e Vjetër. Amos është profeti dhe babai i atyre që ndërtuan kullën e Babilonisë.
– Pse ke vendosur të mbash dy mbiemra?
– Histori e gjatë (qesh), por kryesisht, sepse më pëlqejnë që të dy.
– Çfarë i karakterizon akorët e rinj sot?
– Nuk di ç’të them në lidhje me këtë.
– Si të duken filmat e prodhuar së fundi në Shqipëri?
– Mendoj se e mira nuk ka fund.
– Ti, cilit propozim do t’i thoje “jo”?
– Në qoftë se skenari është i mirë, “jo”-ja si përgjigje, nuk ekziston.
– Je ndjerë ndonjëherë i paragjykuar?
– Në fakt, jo, por edhe sikur kjo të ndodhte, nuk do të ishte problemi im, por i paragjykuesve.
– Ka patur ndonjë rol për të cilin të është dashur të mendohesh dy herë para se të vendosësh?
– Për çdo rol ia vlen të mendohesh mirë përpara se ta marrësh përsipër. Ta shohësh një film është një gjë, por ta realizosh, është diçka shumë impenjative.
– Çfarë tipi është Amosi?
– Le të flasin të tjerët për këtë.
– Mendohet se aktorët nuk e kanë fare të vështirë të aktrojnë në jetën e përditshme, madje e bëjnë shpesh këtë. Ndodh edhe me ty kështu?
– Në fakt, ka dy lloje aktorësh në këtë botë; ata që aktrojnë në skenë dhe ata që aktrojnë në jetë. Nuk e di pse është krijuar kjo përshtypje…
– Cila është gjëja më e bukur me të cilën je përballur këto ditë?
– Premiera e filmit “Millenium”.
– Deri tani, ke kuptuar se nuk ka gjë që nuk realizohet nëse vërtet e do apo që në jetë është e pamundur të realizohen të gjitha?
– Mendoj se besimi është ai që i bën ëndrat realitet dhe s’diskutohet që duhet edhe shumë punë.
– Zgjat më shumë një dashuri apo një miqësi? Për ty, si ka ndodhur?
– Dashuria është pak më e brishtë, që do të thotë se ka më shumë mundësi të vihet në rrezik.
– Je hakmarrës?
– Jo, por “të mirës me të mirë e të keqes, me të keqe”. (Buzëqesh)
– Të vjen keq për ndonjë gjë ose person që e ke lënë të të kalojë pa i kushtuar rëndësinë e duhur?
– Jo, sepse u jam përkushtuar maksimalisht të gjitha marrëdhënieve që kam patur në jetë.
– E ke njohur një person të cilin nuk do të doje ta humbje për asnjë arsye?
– Deri tani, jo.
– Cila prej femrave të famshme do të duhej të të propozonte për martesë ty?
– Rëndësi ka të jetë një femër që është vetvetja me mua e unë me të. Fama nuk më intereson shumë.
– Ka një femër në krah, Amosi?
– Jam singëll, prej pak kohësh.
– Bëhet shpesh pyetja: Dashurojnë më shumë meshkujt apo femrat? Po nëse të pyes se cili harron më shpejt pas një ndarjeje, cili do më thoje?
– Varet shumë nga mënyra se si ndahesh me dikë.
– Femra e duhur sipas teje, është ajo që…
– …di të dashurojë.