Mosha, stresi, hormonet, ndotja, bile edhe moti ndikojnë në lëkurën tonë, duke e dëmtuar atë. Ç’masa duhet të marrim që ta ruajmë sa më të re dhe të freskët lëkurën, në varësi të llojit të saj dhe të moshës që keni? Lexoni më poshtë:

JENI NË TË 30-TAT

Si është gjendja? Në të 30-tat, drita dhe ndriçimi i brendshëm natyral i lëkurës suaj duket sikur është pakësuar. Ju mund të mos e konsideroni si shenjë të kohës, por pakësimi i ngjyrës, tekstura (në prekje) më e ashpër, pikat kafe ose pabarazia e tonaliteteve të ngjyrave në fytyrë janë shenjat e para klasike të plakjes së lëkurës.

Fajin e ka ngadalësimi i prodhimit të yndyrës në qelizat e lëkurës dhe pakësimi i ritmit të zëvendësimit të qelizave të vjetra me të reja. Për më tepër, qelizave të reja u duhet më shumë kohë për t’u ngjitur në sipërfaqe.

Rrudhat e para: Shkaktaret e rrudhave këmbëve të pulës (kështu quhen rrudhat rrotull syve) janë dy: Së pari, lëkura rrotull syve prodhon më pak lagështi se pjesa tjetër e lëkurës suaj, pra, është më e ndjeshme ndaj ekspozimit në diell. Së dyti, vitet e kaluara duke pulitur sytë, strabizmi dhe shprehjet që merr fytyra (vrenjtet, qesh, etj.) lënë shenjat e tyre. Linjat e të shprehurit mund të dallohen edhe në ballë ose rrotull gojës.

Si ta kesh lëkurën më të re?

Lëkurat e thata

Nëse keni lëkurë të thatë, procesi i plakjes do të përkeqësohet dhe do të theksohet më shumë. Edhe një lëkurë normale mund të bëhet e thatë, sepse lëkura nuk e mban lagështinë. Shtresa e jashtme e lëkurës suaj përbëhet nga qeliza të vdekura dhe ajo trashet me kalimin e kohës, prandaj duhet të bëni eksfolimin, për të patur më shumë lëkurë të freskët.

Ç’duhet bërë? Bëni eksfolimin e shpeshtë të lëkurës, një herë në javë, por jo me kremra shumë agresivë. Ky proces stimulon edhe prodhimin e kolagjenit, që e mban lëkurën të butë. Evitoni tonifikuesit me bazë alkooli, sepse ata e thajnë më shumë lëkurën.

Lëkurat me yndyrë dhe me puçrra (jo të lëmuara)

Nëse keni lëkurë të tillë, po ju japim një lajm të mirë: Prodhimi i tepruar i vajit do të stabilizohet, duke ju lënë vetëm ndonjë puçërr aty-këtu në periudhën para menstruacioneve. Lajmi i keq është se, cistet e thella, që zakonisht ndodhen rrotull gojës, në mjekër, në linjën e nofullës dhe në qafë, do të shfaqen më thellë. Ndryshimet hormonale dhe stresi mund t’ju bëjnë të vuani herë pas here nga një akne akute dhe, në këtë rast, duhet të konsultoheni me dermatologun.

Ç’duhet bërë? Mos e prekni fytyrën me duar dhe pakësoni stresin, meqë ai shton nivelin e kortizolit, një hormoni që e bën lëkurën tuaj të prodhojë më shumë yndyrë. Gjithashtu, në treg ka kremra me retinol, që ndihmojnë në normalizimin e poreve të lëkurës.

Lëkurat e ndjeshme

Inflamacioni, skuqja dhe kapilarët e dukshëm të gjakut janë shenjat dalluese të lëkurës së ndjeshme. Nëse keni edhe puçrra, gunga, etj., mund të vuani nga sëmundja e rosaceas (skuqje e vazhdueshme e lëkurës, nganjëherë, e shoqëruar edhe me puçrra), sëmundje që shpesh shfaqet në të 30-tat.

Ç’duhet bërë? Përdorni një hidratant që nuk e irriton lëkurën. Shpesh, parfumet e kremrat me aroma e rëndojnë problemin, prandaj evitojini ato.

JENI NË TË 40-TAT

Si është gjendja? Lëkura juaj ka humbur freskinë. Ajo nuk është më e tendosur, por është lëshuar, për shkak të dobësimit të kolagjenit dhe fibrave eastine, që janë strukturat që mbajnë formën e lëkurës suaj. Shto këtu forcën e rëndesës, pakësimin e yndyrës, masës së muskujve e kockave dhe nuk është çudi që të keni qepalla të rëna, vetulla të varura dhe rrathë poshtë syve. Ekspozimi i mëparshëm në diell përcakton edhe numrin e pikave kafe në fytyrë. Njollat parakanceroze janë më të zakonshme tani, prandaj bëni një kontroll të rregullt te dermatologu. Dielli e ka fajin edhe për skuqjen dhe kapilarët e këputur të gjakut, që ju mund t’i shihni me sy të lirë. Në këtë moshë, ulet në masë prodhimi i yndyrës nga lëkura juaj; ajo bëhet më e thatë, epiderma (shtresa e sipërme) trashet, bëhet opake dhe poret zmadhohen.

Rrudhat: Rrudhat e të shprehurit që fillojnë të duken në të 30-tat, tashmë janë bërë të dukshme, edhe kur fytyra juaj është e qetë. Nëse nuk e keni mbrojtur fytyrën nga dielli, do të jeni dëshmitare të efektit dëmtues që ka ai mbi lëkurë, duke thelluar rrudhat. Ky efekt duket më shumë te lëkurat me ngjyrë të hapur, sesa te të errëtat, por të gjitha tipet e lëkurës kanë nevojë për mbrojtje.

Si ta kesh lëkurën më të re?

Lëkurë e thatë

Nëse keni lëkurë të thatë, reduktimi i prodhimit të yndyrës, së bashku me uljen e aftësisë për të mbajtur ujin, ju garantojnë një lëkurë të thatë. Pa hidratimin e duhur, thatësia mund të çojë te rritja e ndjeshmërisë së lëkurës.

Ç’duhet bërë? Para se të flini gjumë, hidratojeni lëkurën tuaj me kremra që përmbajnë zbutës dhe glicerinë. Evitoni larjen e fytyrës me sapun agresiv, sepse mund të prishë ph natyral të lëkurës, duke e dëmtuar atë.

Lëkurat me yndyrë dhe me puçrra

Nëse keni lëkurë me vaj, mund t’ju duket kontradiktore, por lëkura juaj fillon të çhidratohet, sidomos kur temperaturat fillojnë të bien. Kini parasysh se çhidratim do të thotë pakësim i ujit, diçka krejt ndryshe nga pakësimi i yndyrës. Në fakt, çhidratimi mund të çojë në prodhimin e tepruar të yndyrës, duke e theksuar ciklin e aknes.

Ç’duhet bërë? Përdorni kremra hidratues të lehtë, me pak yndyrë. Mos i ngacmoni puçrrat e lëkurës sepse do të përkeqësoni situatën dhe mund t’ju mbeten shenja që nuk zhduken.

Lëkurë e ndjeshme

Nëse keni lëkurë delikate, mund të vini re se ajo enjtet, skuqet e irritohet më lehtë se kurdoherë. Kjo, sepse barriera mbrojtëse e lëkurës bëhet më e dobët dhe më e thatë, pra, më e brishtë ndaj irrituesve të ndryshëm, përfshi këtu ndotjen dhe produktet kozmetike të gabuara.

Ç’duhet bërë? Përdorni kremra hidratues me faktor mbrojtës ndaj diellit dhe vitaminë E. Mos e teproni me pastrimin e lëkurës; mjaftohuni me larjen e darkës.

JENI NË TË 50-TAT

Si është gjendja? Rëndesa bën punën e saj. Ashtu si pjesa tjetër e trupit, lëkura nuk është më aq e fuqishme dhe elastike sa më parë. Pakësimi i elasticitetit, kolagjenit, yndyrës dhe kockave bën që rrudhat të shtohen, tiparet të bien, sidomos në pjesët më të dukshme, siç janë qepallat, faqet si edhe në nofulla e qafë. Ndërkohë, fillon edhe menopauza dhe sasia e yndyrës që prodhon lëkura bie në mënyrë domethënëse, duke ju lënë me një lëkurë të thatë. Niveli i kolagjenit dhe i elastinës bie me shpejtësi, duke shtuar rrudhat dhe varjen e lëkurës. Gjithashtu, menopauza ul aftësinë e lëkurës për t’u mbrojtur nga mjedisi rrethues, duke e bërë kremin kundër diellit më të rëndësishëm se kurrë. Këto ndryshime hormonale mund të shkaktojnë edhe rritjen e qimeve të fytyrës.

Ndërkohë që lëkura juaj bëhet më delikate, vijat dhe rrudhat bëhen më të thella e të dukshme. Tonalitetet e verdhëlleme zëvendësojnë ngjyrën natyrale rozë, pasi yndyra nën lëkurë bëhet më e dukshme. Rrathët poshtë syve duken më shumë, për shkak të hollimit të lëkurës dhe qeskat dalin më shpejt. Buzëkuqi juaj fillon të shpërndahet rrotull buzëve, pasi ato hollohen dhe humbasin përcaktimin e tyre natyral.

Si ta kesh lëkurën më të re?

Lëkurë e thatë. Nëse keni lëkurë të thatë, falë menopauzës, ajo do të thahet edhe më shumë. Këtu ndikojnë negativisht reduktimi i aftësisë së lëkurës për të mbajtur lagështinë dhe zakoni i keq i larjes së lëkurës me ujë të nxehtë. Opaciteti, rrudhat, vijat dhe varja përkeqësohen, duke e bërë të domosdoshëm hidratimin dhe eksfolimin.

Ç’duhet bërë? Hidratimi dhe eksfolimi i rregullt i lëkurës janë të domosdoshëm. Gjithashtu, kushtojini vëmendje asaj që hani, evitoni duhanin, përdorni krem me faktor të lartë mbrojtës.

Lëkurat me yndyrë dhe me puçrra: Nëse keni lëkurë të tillë, ajo bëhet më e thatë dhe puçrrat e vogla nënë lëkurë rrallohen. Si bonus ju mbase do të keni në lëkurë më pak rrudha se shoqet tuaja me lëkurë të thatë. Lëkurat me yndyrë kanë qeliza më aktive, prandaj humbasin edhe më pak kolagjen.

Ç’duhet bërë? Hidratim me kremra të lehta, eksfolim me kremra që përmbajnë acide frutash dhe që heqin qelizat e vdekura. Mos përdorni shumë produkte për luftimin e aknes, sepse e irritojnë lëkurën.

Lëkurat e ndjeshme. Një barrierë më e dobët e bën lëkurën e ndjeshme më të prekshme ndaj ambientit dhe substancave irrituese. Tani duhet t’i testoni të gjitha produktet kozmetike përpara përdorimit në qafë ose në dorë. Mund të mos jeni në gjendje të toleroni të njëjtin produkt si 10 vjet më parë.

Ç’duhet bërë? Kremra hidratante për lëkurat e ndjeshme. Evitoni zakonet e mëparshme, siç ishin banjat e gjata dhe të nxehta me sapun. Mos përdorni shumë produkte eksfoliante dhe për kujdesin e lëkurës, në të njëjtën kohë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *