Kryeministri Rama pardje publikisht edhe një herë  kërcënoi qytetarët, se nëse nuk paguajnë faturat e ujit, do t’i futë në burg. Është absurditet demokratik, që një kryeministër të kërcënojë, qoftë edhe një qytetar, me burgim. Kryeministri në sistemet demokratike, në bazë të Kushtetutës, është thjesht Administrator i shtetit. Kurrsesi, kryeministri nuk mund të ketë detyrë ligjore të gjykojë askënd, për çfarëdo faji penal, apo edhe administrativ të kryer.
Kryeministri Rama, para së gjithash, duhet të kërkojë fillimisht nga vetvetja zbatimin e ligjit.
Zbatimi i ligjit nga kryeministri Rama, do të thotë përmbushja e të gjitha detyrimeve që ka qeveria e tij që udhëheq 5 vjet ndaj qytetarëve.
Detyrimi më parësor i qeverive “Rama1” dhe “Rama2” është që qytetarëve t’u sigurojë UJË TË PISHËM në shtëpi.
Fatkeqësisht, në asnjë qytet në Shqipëri, qeveria e Ramës ende nuk ka mundur të furnizojë qytetarët me UJË TË PISHËM. Uji që mbërin në rubinetat e shtëpive, edhe pse ende në 2-3 orë në 24 orë, është i papijshëm nga ana higjenike. Edhe pse janë harxhuar miliona euro investime për ujësjellësat në qytete dhe fshatra..
Atëhere, si mundet që kryeministri Rama të kërkojë nga qytetarët të paguajnë faturat e ujit? Ca më pak, si ka mundësi kryeministri Rama të kërcënojë qytetarët se ai dhe qeveria e tij do të burgosë këdo qytetar i cili nuk paguan faturat e ujit të papijshëm?
Kryeministri Rama, pikësëpari, le të përmbushë detyrën e tij ligjore, dhe të kërkojë përgjegjësi ligjore për këdo pse uji që mbërrin te rubinate e shtëpisë të qytetarëve është i papijshëm akoma. Kryeministri Rama, si administrator i shtetit, duhet të verifikojë, të hetojë si janë shpërdoruar qindra miliona euro investime për ujësjellësat e qyteteve dhe fshatrave dhe ende populli nuk furnizohet me ujë të pijshëm. Kryeministri Rama, si administrator i shtetit e ka detyrim ligjor të çojë në drejtësi të gjithë kryebashkiakët, drejtorat e Ujësjellësve, për shpërdorim të qindra miliona euro të ujësjellësve. Kaq është detyra që i përcakton Kushtetuta dhe Ligji kryeministrit Rama.
Qytetarët, kanë  paguar dhe paguajnë deri tani padrejtësisht faturat e ujit. Fatura qindra milionë euro, të cilat keqpërdoren, paskëtaj për koncensione që u jepen klientëve politikë të qeverisë së Ramës, dhe asnjë qindarkë nga faturat që paguajnë qytetarët për ujin, nuk investohet për përmirësimin e ujësjellësve.
Me ligj, qytetari nuk duhet kurrsesi të paguajë asnjë qindarkë në faturat e ujit, derisa qeveria nuk i garanton UJË TË PIJSHËM. Qeveria e ka detyrim, që t’u çojë qytetarëve, popullit UJË TË PIJSHËM dhe paskëtaj, dhe vetëm paskëtaj, ka të drejtë qeveria të kërkojë nga qytetarët të paguajnë faturat e ujit.
Kërcënimet e vazhdueshme të kryeministrit Rama ndaj qytetarëve, se ai do burgosë ata qytetarë që nuk paguajnë faturat e ujit, është jo vetëm shkelje fragrante e ligjit nga kryeministri Rama, por më keq. Është prirja, është tendenca, është mentaliteti, është veprimi konkret, që tashmë kryeministri Rama sillet dhe vepron me qytetarët, me popullin, jo si kryeministër i zgjedhur në shërbim të qytetarëve dhe popullit, por si një diktator i qytetarëve dhe diktator i popullit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *