Mimoza Paraveli, një këngëtare që ka vënë në piedestal emrin e saj në muzikën shqiptare, duket se i është përkushtuar me mish e me shpirt të qenit pranë publikut të saj dhe këtë e ka bërë me lançimin e klipeve, ku ky i fundit me titull “Po udhëtoj” ka sjellë një Mimozë të freskët, të bukur, të ëmbël dhe plot mirësi. Mimoza tregon se vë pak prekjen e saj në klipet që sjell, për të vënë në dukje individulitetin e saj si artiste.

 

Fabjola Kuburi:- Klipi yt më i fundit titullohet “Po udhëtoj”. Çfarë sjell ndryshe këtë herë?

Mimoza Paraveli:- Këte herë ndryshe është bashkëpunimi me kompozitorin Arjan Brahimi dhe  teksti i Olti Currit.

-Ndërhyn në realizimin e klipeve të tua?

-Sigurisht që për të mirën e punës që paraqet individualitetin tim si artiste, ndërhyj si në stil ashtu dhe në make-up aty ku e shoh se është diçka jashtë natyrës time .

-Ty, të pëlqen të udhëtosh?

-Shumë. Më pëlqen të jem në lëvizje. Të marr emocione nga vendet dhe natyra që shoh.

-Mimoza, a ka zë emocioni?

Besoj se emocionet janë pjesë e përvojave njerëzore. Emocioni është gjendje në varësi të rrethanave, të zhanrit, të këngës që interpretoj, atë emocion e përcjell tek publiku nëpërmjet zërit. Gëzimin, trishtimin, harenë.

-Si u dashurove me këngën?

Lindi natyrshëm dhe u rrit bashkë me mua. Kjo është një dashuri e thellë jetesore që sdo mund ta përkufizoj. Pa këngën ndihem bosh.

-Ti, duket sikur ke bërë një kontratë të përjetshme me buzëqeshjen…

– Këtë po e marr si kompliment. Shpesh here më duket se sillem shumë ftohtë me njerëzit por çuditërisht nuk shoh reagime, qejf mbetje, përkundrazi. Ndoshta kjo vjen si rezultat i asaj që nuk di t’a fsheh gjendjen emocionale. Kur ndihem e lumtur vetvetiu buzëqesh. Asnjëherë nuk duhet harruar të buzëqeshim për të bërë të lumtur dikë tjetër.

-Një femër, çfarë e bën femër?

– Mendoj se janë disa  virtyte. Së pari kujdesi për veten dhe ambientin ku jeton. Kujdesi që tregon ndaj vetes për t’u dukur bukur pa u ekzagjeruar.Veshja e kombinuar, bukur, pastër dhe e veshur në vendin e duhur tregon karakter. Edukata dhe mënyra e të sjellurit larg vulgaritetit dhe banalitetit. Qëndrimi kur rri ulur, të jetë e çiltër dhe e sinqertë në familje dhe shoqëri, jo llafazane, thashethemexhie. Të mos flasë me zë të lartë apo të shfaqi mimika bezdije. Të dëgjojë dhe shohë me respekt bashkëbiseduesin. Ti trajtojë njerëzit me respekt dhe dashamirësi ashtu si do donte të trajtohej. Të ketë objektiva në jetë. E arsimuar dhe me këmbë në tokë. Të jetë inteligjente. Të luftojë për të qenë e pavarur ekonomikisht. Të dijë të falë dhe të kuptojë prej gabimeve. Besnike në dashuri dhe te duash dhe respektosh veten të bën femër. Kështu mendoj unë dhe pse u zgjata pak.

-Cilin prej këtyre kritereve e shikon më të theksuar te vetja?

– Se si dukem dhe jam në sytë e njerëzve këtë unë s’mundem ta di. Secili krijon përshtypjen dhe opinionin e vet. Kriteri im bazë si femër është besnikëria .

-Çfarë mendon se ke humbur dhe ke fituar gjatë karrierës tënde, qëkur ke nisur të këndosh?

Po e filloj prej humbjeve. Nuk kam ditur ta menaxhoj si duhet kohën, planifikimin e gjërave që duhet të bëja. Por, profesionin e zgjodha në mënyrë të lirë dhe në bazë të aftësive. Ka qenë dëshira ime dhe jo gjithkush e ka këtë fat. Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur.

-Përveç këngës, në ç’dimensione të tjera të pëlqen arti?

-Më pëlqen opera, koncertet sinfonike, piktura, poezia.

-Duhet thënë se, në faqet e shtypit, nuk je aq e pranishme sa në ekran. Zgjedhje e jotja për të mos qenë në qendër të vëmendjes apo thjesht rastësi?

Kanë qenë gjithmonë zgjedhjet e mia. Media e shkruar luan një rol jashtëzakonisht të madh në prezantimin dhe afirmimin e artistit. Por sinqerisht, kur lexon se çfarë shkruajnë rreth “artistëve” se ku i bën pushimet, me kë u lidh apo me kë u nda, shumë zhurmë për asgjë, preferoj qetësinë dhe shijimin e projekteve pak nga pak, nëpërmjet urimeve të sinqerta dhe duartrokitjeve në skenë duke përformuar live.

-Beson në Zot?

– Besoj, i falem dhe e falënderoj Zotin çdo ditë që marr frymë.

-Më thuaj një gjë të vetme që beson se nuk e ka në dorë Zoti, por ti…

Vullneti im i lirë për ta pranuar dhe besuar në Zot.

-Më thuaj një kolege që e do në Parajsë dhe një, që e do në Ferr…

– Parajsa dhe ferri ndodhen tek secili prej nesh. Pozitiviteti dhe negativiteti që mbartim.Varet prej sjelljes tonë se cilën prej tyre do zgjedhim me anë të qëndrimit.

-Për ç’motiv mund të grindesh me ty?

Mendoj se është e pamundur të jemi diell për të gjithë dhe të kalojmë mirë me të gjithë. Moskorrektësia, gënjeshtrat, ndërhyrja aty ku nuk i’u takon.

-Çfarë nuk do të vishje asnjëherë?

-Asnjë veshje që nuk do ndihesha rehat dhe mos isha vetvetja.

-E konsideron veten feministe?

Diskriminimi që i bëhet femrës është shqetësues jo vetëm për mua si individ por për gjithë shoqërinë, dhuna fizike, femra është e barabartë në aspektin vetiak dhe intelektual me mashkullin, ndaj duhet trajtuar si e tillë.

-Si i ke raportet me thashethemet?

– Nuk më interesojnë. Gjithsecili ka jetën e vet.

-Çfarë vlerëson më tepër në faktin që je femër?

-Një buzëkuq, një rimel dhe brush faqesh të bën të dukesh e bukur.

-Të ka ndodhur ndonjëherë të shikosh qiellin e të thuash: “Unë sot jam e lumtur se…”?

– Në momentin që unë ia kam dalë të realizoj një ëndërr. Zot, faleminderit që m’a mundësove.

-Ç’do të thotë për ty “talent i ri” dhe ç’këshillë mund t’i japësh atij, nisur nga përvoja që ke?

-Dëgjoj shumë zëra të bukur, të rinj, të talentuar. Do i’u thoja të kenë besim në vete dhe të punojnë sa më shumë për të qenë të realizuar si artistë.

-Të ndodh t’ju rikthehesh kujtimeve?

-Sigurisht që më ndodh në momente ngazëllyese të kthehem me vetëdije për një çast të vetëm tek ngjarjet e bukura që më bëjnë të qesh. Kujtimet ndahen mes të bukurave dhe të këqijave ndaj përpiqem të ruaj balancën duke e kthyer kokën pas për të kuptuar se ku kam gabuar që të eci e sigurtë drejt të ardhmes.

-Lashë për në fund, si ëmbëlsirë, një pyetje që e kam për zemër: Shpesh në jetën tonë ndjekim një rrugë, një zë, një njeri special, një rastësi, një mundësi… Ti, çfarë ke ndjekur?

Kam kapur mundësitë për të dhënë performancën time duke qenë vetvetja por sigurisht duke parë më të mirët në qëndrimin e tyre skenik. Se si e trajtonin këngën duke vënë shpirtin në interpretim.

 

 

Kete shkrim mund ta lexoni te plote ne gazeten Intervista qe e gjeni në të gjitha kioskat e Shqipërisë dhe të Greqisë. Mund t’ua dergojme edhe në adresën tuaj te emailit për vetëm 99 cent në muaj. Kontaktoni me ne në inbox!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *