Fabjola Kuburi:-Doktoreshë Ersida, si nis dita jote?

Ersida Calja:- Dita ime nis herët. Pas një kafeje të shpejt dhe telefonatat me familjen nis puna në orën 9:00 në Klinikën Dentare Brilant.

-Sa kohë kalon në klinikë?

-Orari zyrtar nis në orën 9:00 -20:00, kështu që pothuajse gjithë ditën e kaloj aty.

-Çfarë kë sakrifikuar për këtë profesion?

Sakrifica më e madhe që kam bërë është që jetoj në distancë nga familja ime dhe arsyeja është vetëm vendodhja e klinikës. Sakrifica të tjera ka pafund po janë të pakonsiderueshme krahasuar me të parën.

-A të fal kënaqësi puna që bën?

-Sigurisht që marr shumë kënaqësi nga puna që bëj, pasi është një punë që e bëj me shumë pasion dhe dashuri. Falenderimet e pacientëve në fund të çdo proçesi pune më bëjnë ta dua akoma më shumë këtë profesion.

-Si e mendon veten në një të ardhme përsa i përket profesionit?

Besoj shumë në vetvete dhe në aftësitë e mia. Planet më të afërta mbeten hapja e laboratorit dhe zgjerim i Klinikës poliklinike.

-Cilat janë grupmoshat që frekuentojnë klinikat dentare dhe konkretisht klinikën tuaj?

– Fillimisht kanë qenë grupmoshat e reja por tani kanë ndryshuar gjërat. Tani Klinika Brilant është kthyer si klinika e familjes ku të rinjtë që erdhën në fillim tani sjellin gjithë familjarët e tyre të të gjitha grupmoshave.

-Cilat janë problematikat më të shpeshta që hasni gjatë punës?

Problematikat janë të shumta. Zakonisht lidhen me grupmoshat. Nëse flasim për fëmijët problematik mbetet kariesi i shprehur në dhëmbët e qumështit apo probleme me keqrreshtimin e dhëmbëve. Në grupmoshat e të rinjve përsëri problematikat më të hasura mbeten dhëmbët e kariuar. Nëse flasim për grupmoshat e treta, problematik kryesore është mungesa e dhëmbëve dhe paradontoza (lëvizja e dhëmbëve).

– Doktoreshë më dole në temë, ne duam të dimë çfarë janë implantet dentare?

Implantet momentalisht janë mënyra më e mirë për të zëvendësuar një dhëmb të humbur për arsye nga më të ndryshmet. Implanti zëvendëson rrënjën natyrale të dhëmbit. Me aplikimin e implantëve sot nuk është më e nevojshme që kur mungon një dhëmb të sakrifikohen 2 dhëmbë të tjerë të shëndetshëm siç ka ndodhur masivisht ku pacientët shfaqen me ura pafund në gojën e tyre. Përbëhet nga material biokompatibël për organizmin e njeriut. Suksesi kur vendos një implant është 98% siguri.

– Pse është me rëndësi të kompensoni dhëmbët që ju mungojnë?

– Ekzistojnë shumë arsye pse është me rëndësi t’i kompensoni dhëmbët që ju mungojnë:

Nëse keni të gjithë dhëmbët do të keni më shumë vetëbesim, kur dhëmbët janë të humbur, vendi ku kanë qenë dhëmbët në nofull fillon të tërhiqet dhe me kohë mund të humbni aq shumë kockë të disponueshme për vendosjen e implanteve, sa që do të ju nevojitet intervenim kirurgjik për kompensimin e kockës, me kockë artificiale. Humbja e dhëmbëve ndikon ne kualitetin e përtypjes dhe përzgjedhjen e ushqimit, shumë njerëzve të cilëve ju mungojnë dhëmbët nuk janë mirë të ushqyer, kjo mund të ndikojë në gjendjen e tyre shëndetësore. Humbja e dhëmbëve ndryshon kafshimin tuaj, ndryshimi i kafshimit tuaj të sjell deri te problemet me nyjën e nofullës tuaj. Humbja e dhëmbëve sjell deri te ndryshimet në të folur dhe gjithashtu ndikon në vetëbesimin tuaj.

-Kush është kandidat potencial për vendosjen e implanteve dentare?

– Pacientët  të cilët kanë shëndet të mirë oral dhe të përgjithshëm të cilët kanë humbur në mënyrë aksidentale një apo më shumë dhëmbë janë kandidat potencial, ndërsa ekzistojnë një numër i caktuar i sëmundjeve dhe gjendjeve tek të cilët është e kundërindikuar vendosja e implanteve, kujdesi i dobët i higjienës orale, konsumimi i tepruar i alkoolit dhe duhanit dhe pacientët me imunitet të kompromituar.

– Si realizohet vendosja e implanteve dentare dhe sa zgjat procedura e vendosjes?

– Faza e parë është, implanti dentar i cili duket si një vidë apo cilindër  vendoset në kockë d.m.th. në vendin ku mungon dhëmbi pastaj në kohë prej 2 deri në 6 muajve implantet lihen në kockë që të bëhet lidhja në mes të kockës dhe implantit në nivel qelizor (i ashtuquajtur osteointegrim). E tërë procedura fillestare e vendosjes zgjatë prej 30-60 minuta varësisht prej numrit të implanteve që ka për t’u vendos. Faza e dytë, realizohet pas 2-6 muajve pasi të jetë bërë lidhja kockë-implant, kjo faze është e nevojshme për zbulimin e implantit dhe vendosjen e pjesës, i ashtuquajtur Abutment që lidh punimin protetikor me trupin e implantit.
– Sa gjatë qëndrojnë implantet dentare?

– Implantet dentare janë përdorur për 30 vjet për të zëvendësuar dhëmbët që mungojnë. Ato mund të qëndrojnë tërë jetën varësisht sa i kushtoni kujdes shëndetit oral pas vendosjes. Si çdo restaurim tjetër stomatologjik edhe implant-dhëmbi i ardhshëm i juaj mund të dëmtohen nga trauma të ndryshme dhe të afektohen nga sëmundja e mishit të dhëmbëve.
Hulumtimet e fundit tregojnë një mesatare të qëndrueshmërisë së implanteve prej së paku 10 vitesh!

-Mbetemi tek të rinjtë, çfarë shërbimesh dentare kërkojnë më tepër?

-Të rinjtë më tepër janë të fokusuar drejt estetikës dhe perfeksionit të buzëqeshjes së tyre. Sigurisht Klinika Brilant ua mundëson një gjë të tillë pasi fokusi kryesor mbetet shëndeti dhe estetika e dhëmbëve. Në funksion të estetikës egzistojnë zbardhimet profesionale, fasetat emax etj.

– Çfarë i këshilloni të gjithë lexuesve të Gazetës Intervista?

Këshilla numër 1 mbetet kujdesi i përditshëm i higjenës orale. Këshilla tjetër por jo më pak e rëndësishme është që çdo person duhet të kryej vizita periodike çdo 6 muaj për të parandaluar çdo problem të mundshëm me dhëmbët e tij. Parandalimi gjithmonë mbetet më i mirë se sa trajtimi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *