Në përgjithësi, njeriu e kupton kur merr fund një marrëdhënie sentimentale. Zënka, mërmëritje nën zë, depresion, mungesë komunikimi, mungesë jete seksuale (e përbashkët), këto janë disa nga shenjat që tregojnë se lidhjes i ka ardhur fundi. Megjithatë, ka raste kur, edhe pse e dimë të vërtetën, ne zgjedhim të qëndrojmë në një lidhje të tillë. Ja, cilat janë pesë arsye të gabuara që të bëjnë të qëndrosh në një lidhje të dështuar.

1. Sepse kështu të volit
Një lidhje e keqe mund të shndërrohet lehtësisht në një zakon të keq. Mbase nuk është ajo që prisje, por të paktën e di çfarë pret prej saj. Sa më e keqe të jetë lidhja, aq më e keqe edhe volitja. Kësaj i bashkangjitet edhe frika e ndryshimit. Megjithatë, të flesh dhe të zgjohedh në krah të një njeriu që urren mund të vazhdojë për vite me radhë. Është shumë e rëndësishme të kuptosh se ky qëndrim do të të bëjë të mbetesh prapa. Mos ki frikë nga periudha e tranzicionit që do të kalojë pas pak kohësh. Ajo do të të ndihmojë të shpëtosh nga vitet e humbura duke sakrifikuar në krah të dikujt vetëm nga zakoni dhe volitja.
Çfarë të bësh: Ulu dhe mendo se cilat karakteristika do të doje të kishte lidhja ideale për ty dhe mos i ndërpre përpjekjet e tua derisa të arrish objektivat e tua.

2. Është një situatë praktike
Shumë vetë nuk ndahen sepse lidhja e tyre, megjithëse e keqe, mund t’u sigurojë nevojat e përditshme ekonomike dhe praktike. Mbase ti mendon se nuk i ke të ardhurat e duhura për ta lënë dhe për të jetuar vetëm. Mbase të nevojitet një “shofer” për të të çuar çdo mëngjes në punë. Mbase thjesht të vjen turp të të quajnë të divorcuar, ose të jesh vetëm në një shoqëri me çifte.
Çfarë të bësh: Mendo thjesht se për çdo problem, ekziston edhe një zgjidhje. Nganjëherë nuk është zgjidhja më e leverdisshme, por është më mirë sesa të rrish me një partner që e sheh si taksist.

3. Janë edhe fëmijët në mes
Sigurisht, kjo arsye është më e ndërlikuara dhe më seriozja nga të gjitha arsyet që të bëjnë të qëndrosh në një lidhje të gabuar. Nëse lidhja jote është aq e keqe saqë keqtrajtimi (me fjalë apo gjeste) është një fenomen i përditshëm, mund të marrësh vendimin të ikësh, jo për vete, por më shumë për fëmijët që rrezikojnë të mbartin trauma psiqike për gjithë jetën për shkak të saj.
Çfarë të bësh: Jeni prindër dhe duhet ta merrni së bashku mbi vete përgjegjësinë e lidhjes. Nëse realisht nuk do të ndahesh, foli hapur për lidhjen tuaj, tregoi si ndihesh dhe lëre edhe atë të thotë se si ndihet. Vetëm si prindër të përgjegjshëm do të merrni vendimin e duhur për lidhjen tuaj.

4. Ke frikë se nuk do të të dojë më njeri
Vetëbesimi i ulet mund të bëhet një pengesë shumë e madhe në heqjen qafe të zgjedhës së një lidhjeje të keqe. Ajo që nuk të shkon nëpër mend është se mund ta ketë fajin pikërisht lidhja për këtë vetëbesim të ulur. Ose mbase mungesa e besimit në vetvete ishte ajo që të shtyu se pari në krahët e këtij burri.
Çfarë të bësh: Mendo thjesht se ai që tani të duket si skenari më i keq, me një fjalë të mbetesh vetëm, mund të jetë në fund mënyra më e mirë për të qenë mirë me veten tënde, e qetë dhe e lumtur.

5. Ke frikë të jesh vetëm
Nganjëherë ajo që kemi më shumë frikë është se do të mbetemi vetëm, pa partner. Por, çfarë të keqeje ka në të qenit e lirë për të vendosur se çfarë do në jetë, pa ndikimin e një partneri tiran? Kushtoji pak kohë edhe vetes dhe bëj më në fund atë që nuk munde ta bëje kur ishe në një lidhje të keqe.
Çfarë të bësh: Vetëm kur të kuptosh se çfarë do, do të gjesh edhe burrin e duhur që do të ketë të njëjtat ëndrra për jetën me ty.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *