Flokët dhe vajza e vogël

Kam parë në ëndërr sikur isha me një shok te shtëpia ime dhe po i krihja flokët. Ai i kishte flokët të gjatë dhe të zinj. Kisha edhe një tas me ujë dhe flokët ranë në tasin e ujit. Pastaj, e puthja dhe e përqafoja. Afër nesh ishte një vajzë e vogël me sy bojëqielli. Ky shoku më tha: “Boll, mos më puth më, se është kjo goca, është turp se është e vogël”. Ajo goca na pa gjithë inat dhe iku.

– E gjitha ëndrra juaj ka lidhje me botën erotike dhe atë të ndjenjave. Shoku që keni parë mund të jetë po ai që ëndërroni ju në jetën reale, pra, partneri me të cilin dëshironi të ndani gjithçka në jetë. Kushdo të jetë, për momentin, tregon që ka shumë mendime në kokë dhe ndodhet mes një zgjedhjeje të cilën e ka të vështirë ta bëjë. Flokët kanë shumë kuptime, por në rastin konkret, tregojnë pikërisht mendimet e shumta. Uji ka lidhje me jetën personale; ai dëshiron të ketë një jetë personale, të qetë dhe me shumë dashuri. Puthjet, janë po dëshirat tuaja për të qenë në qendër të vëmendjes, nevoja për dashuri dhe përkujdesje. Vajza e vogël tregon se keni frikë dhe turp të shprehni ato çfarë realisht kërkoni dhe ndjeni në jetën reale. Mund t’ju jepen raste që të realizoni ato që dëshironi, por diçka do t’ju bëjë që për momentin të mos i përjetoni, por të largoheni ashtu si në ëndërr. Gjithë të mirat!

 

Me rroba të zeza

– Motra ime kishte parë në ëndërr sikur iknim me autobus të dyja, por unë isha me rroba të zeza. Në krahun tjetër ishte një mashkull me rroba të zeza. Po atë natë, më kishte parë goca e motrës sikur iknim me autobus të dyja. Aty hipi edhe nëna e të dashurit tim që tha: “E kam rrugën me ju” dhe më shihte mua. Unë kam parë para disa muajsh sikur kërkoja diçka, më pas hapa një dollap të montuar në mur, ku gjeta një byzylyk floriri dhe thashë: “Po unë, tani që ka vdekur babi, e gjeta?!”. Pres një shpjegim nga ana juaj. Me respekt, Mira.

– E dashur Mira, nuk duhet të shqetësoheni; jo gjithmonë rroba e zezë në ëndërr tregon ndonjë gjë të keqe. Ëndrra tregon mendimet tuaja që për momentin duken shumë të zymta në lidhje me të ardhmen tuaj. Mendoni se mund t’i humbisni fare lehtë njerëzit që doni, por nuk është e vërtetë. Hipja në autobus tregon një lloj ndryshimi që do të ndodhë në jetën tuaj, por që do të jetë për mirë sepse ju keni ecur me autobus, aty ka qenë edhe nëna e të dashurit tuaj, pra, do të thotë që një bisedë serioze do të hapet mes jush dhe familjes së djalit që doni. Gjetja e byzylykut tregon një ndryshim pozitiv; ka shumë mundësi që lidhja juaj të bëhet zyrtare, por keni një merak që në çdo gëzim që do të përjetoni, do të ndjeni mungesën e babait e do të thoni me vete: “Po si nuk e pata këtë gjë, kur ai ishte gjallë?”. Megjithatë, mos u shqetësoni. Edhe pse në një jetë tjetër, prindërit janë gjithmonë pranë nesh.

 

Kafshim qeni

– Mbrëmë pashë në ëndërr sikur një qen më nguli dhëmbët në kofshë e më dhimbte shumë, por gjak nuk pashë, ama ndjeja dhimbje. Si mund të ma shpjegoni këtë, ju lutem?

Qeni në ëndërr ka shumë kuptime. Së pari, tregon një pjesë të karakterit tuaj: Jeni besnik, intuitiv e shumë i dashur, por edhe që mund të bëheni agresiv aty ku e shikoni që ka rrezik. Ëndrra ju paralajmëron të keni kujdes në këtë periudhë, sepse mund të tentojnë t’ju lëndojnë dhe ju të ndjeni dhimbje, ashtu si edhe në ëndërr. Atëhere, nëse e ndjeni një gjë të tillë, reagoni ju përpara se të reagojnë të tjerët ndaj jush, në kuptimin që: Tregoni anën tuaj të fortë, që të tjerët të mos guxojnë t’ju lëndojnë.

 

Më puthi pa dëshirën time

– Kam parë një koleg timin sikur m’u afrua dhe tentoi të më puthte. Unë nuk e pëlqeva fare, përkundrazi, m’u neverit. Në momentin që po tentonte të më puthte, ai më preku pak në buzë. Në atë moment, po futej një koleg tjetër. Unë e shtyva me forcë, duke e larguar nga vetja. Ky kolegu që na pa, më tha: “Shiko se këtë sjelljen tënde do t’ua tregoj prindërve të tu”. Pres një përgjigje, ju lutem. Çfarë kuptimi ka? Faleminderit.

– Puthja e kolegut tuaj pa dëshirën tuaj, nuk ka lidhje fare me shfaqje erotike apo ndjenja, por me ide të reja e plane për punën, për të cilat ju nuk jeni aspak dakord. Ndoshta keni diskutuar ose do të diskutoni për diçka që ka lidhje me punën, por ju do të paraqisni mospranim të këtij plani, do të shprehni pakënaqësi. Kolegu tjetër që hyn, përfaqëson friken tuaj, ankthin e gjithë këtij diskutimi në lidhje me punën. Prindërit që ju përmendni, janë shefat tuaj, frika se si do ta presin ata këtë diskutim mes jush. Gjithsesi, sido që të jetë situata, ëndrra ju sugjeron ta merrni më qetë dhe të shikoni anën pozitive të gjithçkaje që ju paraqitet apo ju rrethon.

 

Po pija cigare

Ju lutem, më shpjegoni ç’do të thotë të shikosh në ëndërr veten sikur po pi cigare, bashkë me një shoqe? Dëgjova se po më vinin vëllezërit dhe i thashë shoqes: “Shpejt, të pastrojmë ajrin, se nuk u pëlqen atyre të më shohin të pi cigare”. Çfarë do të thotë, ju lutem? Faleminderit.

– Në qoftë se ju, realisht, nuk pini cigare, pirja e saj në ëndërr tregon natyrën tuaj mbrojtëse ndaj të tjerëve, qoftë edhe gjer aty sa të dëmtoni veten. Ju nuk mendoni shumë për veten tuaj, më shumë mendoni për të tjerët dhe jeni gati të bëni gjithçka për t’i mbrojtur njerëzit që doni dhe që keni rreth jush. Frika nga vëllezërit është një lloj ndjesie që e keni ju ndaj familjes, diçka ju fshihni dhe s’keni guxim t’ua thoni. Mendoni që gjithçka mund ta zgjidhni vetë, pa ndihmën e tyre, por ndonjëherë, sado i/e fortë të jeni, duhet ta kërkoni edhe ndihmën e familjes, sepse askush nuk ju do si ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *