– Ulpianë, vetëm prej pak ditësh, vitrina e librit është pasuruar me botimin tënd: “Ia  dolëm!”, një këndvështrim personal mbi fakte e ngjarje historike me në fokus Kosovën, ku edhe ke shpenzuar 13 vite të jetës tënde…

– Po, pikërisht kështu, një libër që në fokus ka Kosovën, por jo vetëm. Ka botën shqiptare, sepse një pjesë e shkrimeve merren me Shqipërinë, po ashtu Maqedoninë e Malin e Zi. Libri është i ngjeshur, përfshin momentet më të rëndësishme të shtetformimit, me një saktësi prognoze dhe analize për të cilën ndjehem krenare. Çfarë nuk e kam thënë në libër, e kam përfshirë në monodramën prezantuese për të ftuarit, ditën e promovimit. Monodrama ishte një projekt i realizuar në pak kohë dhe nuk do mund t’ia dilja pa përfshirjen e regjisorit Redjan Mulla dhe mbështetjen e plotë të Top Channel. U jam shumë mirënjohëse!

– Është një dedikim që ti i bën babait tënd, shpresëplotë deri në momentin e fundit për të ardhmen e Kosovës, apo jo?

– Po, nuk mund të ndodhte ndryshe; krijimi i parë imi i kushtohet atij që më solli në jetë e nuk është më këtu. Është një mënyrë për ta mbajtur gjallë… Dashuria ime për Kosovën është një forcë madhore, një ndjenjë që shkon përtej kontrollit tim e për të cilën është tërësisht “përgjegjës” im atë. Historia e vendit, e tija, e imja, janë shina që bashkohen. “Ia dolëm”, është edhe historia e babait tim.

– Po ti, ia ke dalë në jetë?

– Jeta është e gjatë; llogaritë bëhen në fund të saj. Dinamika e sotme është e tillë që vihemi në sprovë çdo ditë!

– A ka pasur situata, gjatë së cilave nuk ke mundur t’ia dalësh mbanë?

– Suksesi, të tjerëve, u duket ndoshta si vektor i drejtë dhe në ngjitje, por në të vërtetë është një lakore plot kthesa dhe zbrapsje. Natyrisht që ka pasur momente kur kam menduar se tuneli është kaq i gjatë, saqë nuk do të gjej dritë në fund të tij.

– Ti drejton një program të përditshëm televiziv “Pasdite në Top Channel”, në një fashë kohore të ndjekur nga grupmosha të ndryshme. Sa impenjative është të mbyllësh çdo pasdite një puntatë të suksesshme, për të nisur sërish një tjetër të nesërmen?

– Nuk është e lehtë, por ana e bukur e punës është ajo që të bën të ecësh përpara çdo ditë. Unë dëgjoj shumë histori njerëzore nga individë të zakonshëm. Të kërkosh të veçantën te përditshmëria është sfiduese, por edhe frymëzuese. Për shembull, të mërkurën patëm në studio një dyshe fantastike nga Shijaku, burrë e grua, në pritje të binjakëve të tyre. Një kimi e rrallë mes të dyve, një dashuri mbresëlënëse dhe vërtetësi rrëfimi, që na mrekulloi të gjithëve, mua dhe publikun. Rrethana si këto, të japin forcën dhe kënaqësinë ta mbyllësh një ditë pune me padurimin se çfarë do të sjellë e nesërmja.

– Çfarë të shqetëson në ekranet tona?

– Televizioni është kombinat, 24 orë në 7ditë, pa ndalesë! Është një cikël konsumi ku duhet të jemi të lumtur nëse ruajmë disa standarde dhe herë pas here, sjellim formate inovatore.

– A gjen ti pas 2 vjetësh të njëjtin entuziazëm e dëshirë për të sjellë çdo ditë një emision të ri, ndryshe nga ai i djeshmi?

– Është një meritë që nuk mund ta marr vetë. Kam një autore programi e cila punon me entuziazëm çdo ditë dhe nuk resht së kërkuari këndvështrime të reja. Surprizuese!

– Pak nga pak po i drejtohemi fundit të këtij sezoni. Të tremb ideja se ndoshta në sezonin e ri nuk do të jesh më prezantuesja e “Pasdite në Top Channel”?

– E çmoj punën, e di që ka plot njerëz aty jashtë që dëshpërimisht kërkojnë të kenë një të tillë, për vete dhe familjet e tyre, por unë nuk shqetësohem për fatin tim. As atë të “Pasdites”. Dua të them, kam pasur një jetë para “Pasdites” e “Pasdite”, ka pasur një jetë përpara meje. Nuk jemi keq bashkë, mendoj, por të mos e ekzagjerojmë me frikërat… (Qesh)

– Ti je prej 2 vjetësh imazh i ekranit të Top Channel duke drejtuar një emision, boshti i të cilit vërtitet më së shumti rreth fenomeneve sociale e kulturore. Sa të mungon angazhimi në politikë?

– Nuk di cila më është dashuri më e madhe, media apo politika… Të dyja ofrojnë mundësinë e të komunikuarit, ndikimit dhe ndryshimit, por media, për dallim nga politika, të lejon të jesh autentik, të kesh një zë tëndin. Media të lejon të jesh individ, kurse politika më pak.

– Në të ardhmen e afërt, mendon t’i rikthehesh asaj, këtë herë ndoshta në Shqipëri? Do të të shohim ndonjëherë si zëdhënëse të institucioneve apo partive politike në Shqipëri?

– Zëdhënia është një përvojë e mbyllur. Më ka dhënë, i kam dhënë, një kapitull i lexuar. Faqe e kthyer. Mund të bëj shumë më tepër sesa të përcjell zë.

– Dimë që ke një raport shumë të ngushtë me mamanë. Ti je ende nga ato vajza që me ëndje shijon gatimet e saj?

– Absolutisht. I gëzohem edhe thjesht t’i marr erë mamasë sime. I gëzohem çdo minuti me të. Edhe heshtjes me të. Do të doja të kaloja më shumë kohë; nuk dua pengje në një moshë dhe përvojë kur mund t’i shmangësh.

– A është mamaja mikja dhe kritikja jote më e madhe?

– Mamatë nuk kanë nevojë të dublojnë asgjë. Në këtë kuptim, ato nuk do të jenë dhe as nuk kanë pse të jenë miket më të afërta. Nuk do të arrijnë asnjëherë të jenë kritiket më të mëdha. Mamatë janë mama, për të të dashur pa kushte, askush nuk konkurron me to, asnjë nuk mund të jetë si ato.

– Për t’u rikthyer te botimi: Ç’mendim ka bashkëshorti yt për të? Është kritik, sepse kërkon gjithnjë më të mirën nga ty, apo është dashamirës e ndër vite të ka nxitur të shkruash?

– Ah, Ardiani fillimisht nuk ishte entuziast për këtë botim, e dini? Ai më nxiste të punoja rreth një projekti tjetër, mirëpo unë ndoqa intuitën time. Kishim një përvjetor të rëndësishëm përpara (15 vjetori i Çlirimit të Kosovës) dhe unë ndieja se duhet të kulmoja me diçka, të vija me një produkt domethënës. Ky ishte libri-homazh!

– Dimë se ai ndodhet në Kosovë, i angazhuar me punë. Si e ndan ti kohën mes Tiranës e Prishtinës?

– Mjaftueshëm larg për të mos iu bërë monotonë njëri-tjetrit, mjaftueshëm pranë, për të ndarë gëzimet e shqetësimet e për t’iu gjendur njëri-tjetrit.

– Çfarë të pëlqen më shumë të bësh gjatë fundjavës, kur edhe luksi i shpenzimit të kohës është më i madh për ty: Del për shopping, del me mikesha, fluturon drejt Prishtinës…

– Gjithçka nga sa thoni dhe të tjera. Këtë vit nuk kam pasur ende asnjë fundjavë dembele. Kam qenë gjithnjë në levizje, duke u marrë me diçka a diçka tjetër. Fundjava me adrenalinë.

– Ndërkohë që nuk ke ndërmend të ndahesh nga librat… Ke në plan të publikosh një tjetër  me në qendër sociologjinë e modës më duket…

– Nuk gaboheni aspak, por më jepni pak kohë të marr veten nga lodhja e dhënies jetë të librit të parë! (Qesh)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *