Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Më lanë që të dy…

 

E nderuar redaksi e gazetes! Historitë që lexoj vazhdimisht në faqet tuaja herë më duket sikur ngjajnë për nga brengat me njëra-tjetrën e herë ndryshojnë, por fatet kështu janë: Ngjajnë në shumicën e rasteve e ndryshojnë në detaje. Duket sikur po kundërshtoj veten me këto që po them, por kur të lexoni historinë time të nëntë viteve të fundit, do të më besoni.

Jam nga një qytet jo shumë i madh i Shqipërisë së Mesme dhe jam rritur në një familje të qetë. Prindërit e mi kanë punuar gjithë jetën dhe kanë qenë njerëz shumë të mirë, pavarësisht se pa shkollë. Babai im ka qenë shofer, ndërsa mamaja ime ka qenë në infermiere në spital. Unë jam fëmija i madh dhe kam edhe një vëlla e një motër. Tashmë unë jam dyzet vjeçe dhe jetoj në Tiranë.

Advertisement

Më sipër thashë që jam rritur në një familje të qetë. Prindërit e mi kanë qenë njerëz të mirë, por jo shumë modernë apo të pashëm apo si mund ti quani. Kanë qenë njerëz të respektueshëm dhe të respektuar për qetësinë që kanë patur, por jo persona që të binin në sy. Edhe unë me vëllain e motrën trashëguam nga prindërit jo vetëm karakterin e paqtë, por edhe pamje më se normale. Nuk mund të them se kemi qenë fëmijë të shëmtuar, por as të bukur që të binim në sy jo. Në shkollën tetëvjeçare të tre kemi qenë shumë mirë, por në shkollë të mesme asnjëri nuk kemi ndritur. Edhe në shoqëri kemi qenë natyra të tërhequra. Unë si më e madhja, pas këmbënguljes së vazhdueshme të babait tim shkova në shkollë të lartë dhe e mbarova me rezultate jo shumë të mira. Pasi mbarova shkollën, fillova punë në një zyrë ekonomike afër qytetit tim dhe na dha goxha dorë edhe rroga ime në shtëpi.

Si të gjitha vajzat, edhe mua të qenit në punë më bëri që të rrija para pasqyrës pak më shumë. Kështu fillova të vishesha edhe më bukur, të krihesha më bukur dhe me të vërtetë që ndryshova për mirë. Shkollën e mesme e kisha mbaruar duke patur komplesin e të shëmtuarës, por në fakultet ndryshova. Megjithëse edhe vetë e pranoja ndryshimin, sjellja me ndershmëri (në mund ta quaj kështu) më ishte rrënjosur aq shumë nga familja ime sa mbarova shkollën e lartë dhe nuk zura të dashur. Po prisja princin e kaltër në një shkollë fshati ku unë fillova punë.

Dhe kështu vazhdova edhe për një vit e gjysëm si ekonomiste, duke qenë ndër punonjëset më të rregullta e shoqëruar gjithmonë në grup, pa i lënë shteg askujt që të më fliste apo shikonte. Pra, duke zbatuar rregullin e “artë” të nderit, isha e izoluar nga kushdo. Por, edhe me këtë izolim në stafin ku punoja kisha rënë në sy për mirë, të gjithë më flisnin e respektonin. Njëri nga kolegët e mi, konkretisht shefi i financës, Dilaveri, një ditë, pas përshëndetjes së përhershme më tha:

– Bija ime, dua të të them diçka, por nuk mundem këtu në zyrë. Mund ta bëjmë rrugën deri tek autobusi bashkë dhe të ta them shkurtimisht?

– Dakord, – i thashë, – por përnjëherësh e ndjeva se u skuqa sikur po bëja ndonjë pakt turpi. Ai ishte rreth të gjashtëdhjetave dhe ishte burrë shumë serioz, por unë isha shumë e turpshme.

Pasi mbaruam punën, u bashkuam me pesë kolegë dhe u nisëm për te stacioni i autobusit që e kishim rreth gjysëm ore larg. Rrugës, kolegu im u nda nga tre të tjerët dhe më filloi menjëherë muhabetin që kishte nisur më parë.

– Ajo që dua të të them ka lidhje me djalin e kushëririt tim. E kam kushëri të parë të atin e këtij djalit që dua të futem shkues për ty. Ti më dukesh vajzë serioze dhe mendoj se mund të shkoni më njëri-tjetrin. Djali i kushëririt tim jeton në Greqi prej 13 vitesh, është i stabilizuar me punë e dokumente dhe është djalë i rregullt. Të them të drejtën, edhe mua po më vjen pak zor të të them gjithë këtë, por besoj se mosha ime ma lejon të flas me ty si vajzën time. Ti mendohu, pyet prindërit dhe ndonjë ditë i them kushëririt tim. Pastaj të pyesim edhe se mos jeni kushërinj apo miqësi dhe kur të vijë djali nga Greqia, të takoheni dhe vendosni bashkë ju të dy. Por dua që ky muhabet të mos dalë jashtë shtëpisë tënde. Edhe unë kam dy vajza dhe mua s’më vjen mirë të m’i përfolë askush ato. E njëjta gjë vlen edhe për ty. E mbylla me kaq fjalimin tim – tha dhe eci rresht me mua.

– Nuk di si të të përgjigjem, – i thashë, – por do mendohem. – Dhe ne u bashkuam me kolegët e tjerë pa arritur të stacioni i autobusit. Kur arrita në shtëpi i tregova mamasë për çka kisha folur me kolegun.

– Po ishalla po të del ndonjë fat i mirë, moj bijë! – më tha.

U përpoqa të harroja ato që fola me kolegun tim, por e pamundur, skuqesha sa herë që e shikoja në shkollë. Pas dy javësh kur erdhi im atë në shtëpi tha që kishin pirë kafe me Dilaverin. Ai ia kishte thënë të gjitha atij, kishin folur edhe se mos ishim kushërinj dhe kishte marrë vesh se djali i kushëririt të Dilaverit vinte në Shqipëri pas dy javësh.

Dy javët kaluan shumë shpejt dhe një mëngjes Dilaveri rrugën në autobus e bëri me një djalë që s’e kisha parë asnjëherë. Ma mori mendja se kush ishte. Gjithë rrugën mezi i ngrita sytë një herë nga dritarja dhe rrugën e bëra me dy kolege të miat që janë natyra të qeshura e të zhurmshme. Doja të fshihesha, aq turp kisha! Pasi mbaruam punë, si gjithmonë u kthyem me autobus dhe profesori më tha se donte të pinim kafe mbasdite në qytet bashkë me djalin e kushëririt.

Mbasdite, ashtu me këmbë e duar që më dridheshin, dola dhe shkova te kafja ku e kishim lënë. I gjeta në kafe kolegun dhe djalin për të cilin më kishte folur. U takuam dhe shkëmbyem përshëndetjet e rastit. Sigurisht që muhabetin e kurdisi gjithë kohën kolegu dhe duke më njohur edhe mua sa e turpshme isha, më nxori nga situata edhe kur skuqesha.

Pas nja një ore e gjysëm u çuam, por kushëriri, si djalë i shkathët, i tha Dilaverit:

– Sikur t’i marr numrin e telefonit kësaj koleges tënde? Do ma japësh ti numrin e saj apo t’ia marr asaj?

Ashtu me të qeshur e me të skuqur bashkë i dhashë numrin dhe pas pesë minutash me erdhi mesazhi i parë i Nikut. Kështu, mesazh pas mesazhi, atë pasdite e vendosëm që do të takoheshim prapë pas dy ditësh. Herët e tjera folëm e u takuam vetëm ne të dy dhe pëlqimi qe i dyanshëm. Ai iku në Greqi pas pesë javësh dhe ne vazhduam me telefon edhe për shtatë muaj të tjerë. Kur Niku erdhi pas shtatë muajsh, telefonatat tona u finalizuan me fejesën tonë. Pas fejese, ai ndenji një muaj e gjysëm në Shqipëri. I takoi të ishte verë kur edhe ne kishim pushime të gjata. Këto ishin pushimet e para që i kaloja në shoqërinë e një djali. Sigurisht, ia kalonim mirë me njëri-tjetrin, puthjet e përkëdheljet jo vetëm nuk më mungonin, por më dukej sikur po më llastonte. Ndihesha e përkëdhelur nga fati. Kështu vazhduam me Nikun për katër vite rresht të fejuar. Ai pas fejesës filloi të vinte gjithmonë e më shpesh. Në kohën që ai ishte në shtëpi, unë më shumë rrija të shtëpia e Nikut, por nuk ishte e thënë që të ecte deri në fund. Nuk e di se si ndodhi, por Niku filloi të mos më merrte në telefon, nuk erdhi as për Vitin e Ri që ne e kishim vendosur të martoheshim në gjendje civile dhe të fillonim procedurën e dokumenteve. Shumë shpejt e kuptova se e kisha humbur. Pas një viti gjithçka mbaroi. Prindërit e tij erdhën dhe me shumë turp thanë vendimin e Nikut për të bashkëjetuar me një greke. E ëma e Nikut vetëm qante, ndërsa i ati i tij tregoi se përse kishin ardhur.

– Të kisha zgjedhur nuse për të pleqëruar, po ç’të bëj kur nuk më pyesin? – më tha mes ngashërimeve. Nuk pranuan as të pinin kafe. – Ju duhet të na jepni helm, e jo kafe, – tha babai i Nikut dhe ata ikën kokulur e të vrarë po kaq sa prindërit e mi.

Krizën e ndarjes e kalova për gati dy vjet jo vetëm me dhimbje, por edhe me turp, se unë jetoja në një qytet të vogël. Atëherë vëllai im që ishte në Londër tha se do blinte një shtëpi në Tiranë e unë mund të shkoja të jetoja atje, me shpresën se do ta kaloja jo vetëm krizën, por do kisha mundësi të njihja njerëz të tjerë.

E kështu ndodhi, pas dy vite e gjysëm ndarje, u njohja me kushëririn e një shoqes sime dhe shumë shpejt u fejuam. Jetova me të fejuarin tim për afro dy vjet në shtëpinë e vëllait tim. Shkonim edhe në shtëpinë e prindërve të tij shumë shpesh për festa, edhe te të mitë. Nuk kishim bërë dasëm dhe ceremoni martese në bashki, por ne ishim shumë mirë me njëri-tjetrin. Një herë Geni më tha se i pëlqenin fëmijët.

– Të lutem, dua të kem fëmijë… – dhe ndërsa më puthte, më tha – e dua qysh tani!

Shumë shpejt mbeta shtatzënë dhe Geni u lumturua, ishte në qiellin e shtatë. U tregoi prindërve të tij dhe ata erdhën menjëherë në Tiranë për të na uruar për bebin dhe vendimin që kishim marrë.

– Domethënë, tani e vendose të mos ikësh, – i thanë ata Genit.

– Ku do të ikë? – pyeta – nuk kam dëgjuar asgjë për ikje.

– Jo, shpirt, ëndrra ime është Kanadaja, po dje më thanë që nuk kam asnjë shans sepse është përzgjedhur shefi im nga lista që i është dërguar ambasadës, – ndërkohë që përkëdhelte barkun tim.

E fjeta mendjen dhe vazhdova ritmin tim të punës. Shkoja e vija me autobus dhe kujdesesha që të mos shtypesha në këta autobusët e tmerrshëm ku hipim çdo ditë. Isha në muajin e pestë të shtatzanisë ndërkohë që po kthehesha për në shtëpi, kur në autobus plasi një sherr mes një udhëtari me një tjetër që e akuzonte se po e vidhte. Sherri i tyre përfundoi në grushta e shtyrje dhe njerëzit ndërkohë që përpiqeshin të mbroheshin për vete, u shtynë e u përplasën tek unë fatkeqja. Them fatkeqja se atë ditë unë e humba bebin, megjithëse shkova menjëherë në spital. Gjithçka m’u bë gri. Kur Geni arriti në spital, ankthi i lexohej në fytyrë. Mjeku, me një fjalë, i dha të kuptojë që gjithçka kishte shkuar keq.

Për një javë, Geni u kujdes për mua sikur të isha foshnje. Më pëshpëriste në vesh gjithë kohën se “do të kishim fëmijë tjetër, mjaftonte të bëhesha mirë. Pas gjashtë muajsh, doktori tha se mund të tentojmë për fëmijë tjetër, do bëhesh mirë mos ki frikë”. Unë nuk ndjeja vetëm dhimbjen për humbjen e bebit, kisha edhe një parandjenjë të keqe. Dhe parandjenja ime u vërtetua pas dy muajsh.

– Shpirt, kam një lajm të mirë për ne të dy, – më tha Geni teksa hiqte këpucët sapo hyri në shtëpi. – Shefi im nuk mund të ikë në Kanada për probleme familjare, kështu që do iki unë, besoj. Specializimi zgjat dy vjet dhe shpresoj të bëj diçka që të të marr edhe ty e të jetojmë atje. – Ndërsa më rrotullonte nëpër shtëpi e kuptova se e humba edhe Genin. Asgjë nuk mund të bëhej që të shkoja edhe unë.

Geni pas një muaji u nis për të bërë specializimin e tij në Toronto. Fillimisht flisnim çdo ditë, pastaj ditët filluan të largoheshin derisa një ditë më tha se ai nuk e shtynte dot më vetëm dhe se do të ishte më mirë të ndaheshim sepse ai nuk do të kthehej më. E pranova ndarjen pa histerizma në telefon, i urova fat, por me gjysëm zëri.

Sot vazhdoj të dëgjoj oshëtimën e ziles së telefonit, herë dëgjoj sikur më flet Geni, me të njëjtat fjalëmajltë që më thoshte sa isha shtatzënë, por ajo kohë e bukur mbaroi dhe unë jetoj e vetme në shtëpinë e vëllait tim. Tashmë, kam fituar imunitet që të mos i shoh si qenie njerëzore meshkujt sepse me të vërtetë që më kanë vrarë shpirtin në të gjithë qelizat.

Gjithë vajzave u uroj të kenë fat jo vetëm me njeriun e zemrës së tyre, por edhe me familjet sepse mua sot më mban gjallë vetëm dashuria e prindërve, vëllait dhe motrës sime.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Kur duhet ta humbasësh virgjërinë?

Next Post

Pse më ngrihet tensioni?

Advertisement