Disa veprime që na janë bërë zakon jemi nën stres, mund të kthehen në një tik nervor që dëmton shëndetin. Ka njerëz që, kur janë të stresuar hanë thonjtë dhe të tjerë që nuk rrinë dot pa rrotulluar nëpër gishta një tufë flokësh. Zakonisht, këto zakone duken më të bezdisshme për atë që i sheh, sesa për atë që i praktikon, por ato mund të shkaktojnë dëme reale dhe të jenë potencialisht të rrezikshme për shëndetin. Ekspertët na këshillojnë që, për të mbrojtur shëndetin tonë, të bëjmë kujdes…
- Ngrënia e thonjve
Disa persona i hanë thonjtë vetëm në raste të veçanta, për shembull kur shohin një film të frikshëm, por ka nga ata që kanë vite që e praktikojnë këtë zakon të bezdisshëm, nga i cili është e vështirë të heqësh dorë. Majkëll Safiro, dermatolog njujorkez, thotë se ky veprim shkakton dëmtimin e thonjve dhe lëkurës rrotull tyre, për shkak të baktereve që nga goja mund të transferohen në thonj, ose e kundërta, bakteriet nga gishtat dhe thonjtë, transferohen në gojë. Kështu shkaktohen infeksione në fyt dhe në mishrat e thonjve.
- Përdredhja nëpër gishta e një tufe flokësh
Ti tërheq dhe përdredh një tufë flokësh rrotull gishtave? Me kalimin e kohës, mund të vuash nga dëmtime të rrënjëve të tyre. Sipas Ariel Ostad, dermatologe në Nju Jork, ky zakon mund të shkaktojë humbje të përkohshme apo të përhershme të flokëve në një vend të kokës, por edhe infeksione. Kur nga një zakon i keq, ky kthehet në një gjendje patologjike, mund të flasim për atë që quhet trikotilomania, që mund të çojë në humbjen totale të flokëve.
- Kërcitja e qafës
Rrotullimi i qafës me forcë për ta kërcitur mund të jetë një zakon me të vërtetë i përhapur, por fërkimi mes rruazave dhe kyçeve mund të mos jetë i mirë, sidomos nëse bëhet shpesh. Sipas krirugut ortopedik, Majkëll Gliber, kërcitja e përsëritur e qafës mund të dobësojë tendinat, bile të shkaktojë edhe dëmtime.
- Prekja e vazhdueshme e fytyrës
Prekja e vazhdueshme e fytyrës, sidomos nëse keni akne, mund të dëmtojë shtresën sipërfaqësore të lëkurës, siç paralajmëron Xhesika Krant, dermatologe njujorkeze. Nëse prek apo gërvisht fytyrën, derisa të të dalë gjak, mund të krijosh vragë të pashërueshme. Më mirë, thotë ekspertja, mos i prekni puçrrat ose zonat që ju kruhen, por aplikoni me delikatesë në to një krem qetësues.
- Kërcitja e dhëmbëve
Shtrëngimi dhe kërcitja e dhëmbëve (në gjuhën shkencore quhet buksizëm) kur je i stresuar, mund të dëmtojë dhëmbët, të shkaktojë krisje dhe thyerje që kërkojnë ndërhyrjen e dentistit. Ky zakon nervor mund të shkaktojë dëmtime edhe në nofull. Më mirë kërkojini ndihmë dhe më shumë informacion, dentistit.
- Mbajtja e karameleve në gojë
Për shkak të stresit apo “varësisë” nga sheqeri, disa njerëz nuk rrinë dot pa mbajtur në gojë karamele të forta. Për fat të keq, këto karamele me sheqer krijojnë mjedisin e përkryer për kariet dhe mund të dëmtojnë dhëmbët. Mbajtja në gojë e karameleve të forta, por me masë, nuk është diçka e keqe, sipas Xhek Ringerit, president i Akademisë Amerikane të Kozmetikës Dentale, me kusht që të jenë pa sheqer dhe me aciditet të ulët.
- Kafshimi i buzëve
Nëse lëpin apo kafshon buzët në mënyrë nervoze i ekspozon ato ndaj enzimave tretëse që ndodhen në pështymë dhe gojë. Sipas Uitni Boun, dermatologe në Nju Jork, këto enzima mund të dëmtojnë lëkurën dhe të shkaktojnë dermatite dhe inflamacione të buzëve, që duken të thata dhe të plasaritura. Mund të formohen edhe puçrra, të cilat në rastet më të rënda duhen hequr në mënyrë kirurgjikale. Më mirë relaksohuni dhe hiqni dorë nga ky zakon i keq.
- Kafshimi i faqes
Ashtu si ngrënia e thonjve, edhe kafshimi i pjesës së brendshme të faqes mund të kthehet në një tik nervor. Pjesa e brendshme e faqes enjtet dhe bëhet gjithnjë e më e lehtë për t’u kafshuar në të njëjtin vend. Sipas Ringerit, edhe kur faqja shërohet, zakoni vazhdon. Më mirë përpiquni ta ndaloni në kohë, mbase duke provuar të relaksoheni duke pirë një gotë ujë të freskët.
- Përtypja e çamçakëzit
Përtypja e çamçakëzit shumë shpesh, sipas ekspertëve, mund të vërë në rrezik muskujt e nofullës, të shkaktojë probleme me tretjen dhe të shkaktojë një efekt laksativ, sipas përbërjes së çamçakëzit (për shembull, prania e sorbitolit). Edhe gëlltitja e ajrit ndërkohë që përtypesh shton rrezikun e formimit të gazrave në stomak.
- Të kafshosh lapsa dhe stilolapsa
Problemi më i madh në kafshimin e lapsave dhe stilolapsave qëndron te bakteriet që mund të kenë ato. Bakteriet dhe mikroorganizmat kalojnë në lapsa dhe stilolapsa nëpërmjet gishtave dhe pështymës. Jo vetëm kaq. Siç thonë ekspertët, kafshimi i lapsave dhe stilolapsave mund të dëmtojë dhëmbët, të lëndojë indet e buta dhe mishrat e dhëmbëve.