Ku humba
Ku humba kështu
dhe veten s’e gjej dot,
Në syrin e tharë
pa një pikë lot.
Ku shkuan kaq kohë
ku më shkuan ditët,
Si ikët kaq shpejt,
mua pse s’më pritët?
Më morët prej duarsh,
më tërhoqët zvarrë,
Zemra e lënduar
mbeti diku larg…
Nëpër rrugë të gjata,
endet shpirti im.
E kam lënë mbrapa,
të mbledhë ndonjë kujtim! Elena. F. Hysi
Gëzojuni jetës
Ka njerëz që sot, gëzohen pas fjalëve
Dhe ngopin shpirtin e ngratë me frymë
Ka njerëz që fshehin në sy realitetin
Dhe me gojën e tyre të ndyrë, e ndyjnë.
Ka njerëz të sëmurë, në heshtje shuajnë dhimbjen
Për pak shpresë dhe shërim të vërtetë
Ku kapen si engjëj pas fjalë poetësh
Duke ndjerë, se në vargjet e tyre ka jetë…
Me shpirtin kërrusur në mendime
Zotit me fjalë zemre për pak tjetërsim
Harruar të gjithë në realitetin e filozofive
Në një rrugë ku ecin, pa gjurmë, pa kthim
Putheni mëngjesin o njerëz, në sytë e femijëve
Dhe diellin bëjani dhimbjes kurorë
Pini ujë në shtëmbën e mbushur me ujë burimi
E gëzojuni jetës sikur s’do të mbarojë! Fleta Satka
Eja
Ti vjen tek unë sa herë që do
Unë vij te ti sa herë që dua
Asgjë s’na ndal asgjë, beso
Nuk ka kufij, për ty, për mua.
Se dashuria, rrugë ka shumë
E kur bllokohen, hapim të reja
Sa herë zgjuar edhe në gjumë
Kam zgjatur dorën, kam thënë: Eja!
Njëherë të humba në errësirë
E të kërkoja të të gjeja
Ti përballë meje shikoje mirë
Më zgjate dorën dhe më the: Eja! Romeo Gegushi.
Liri…
Ndoshta është e vërtetë
Që nuk ekzistojnë gjëra të pamundura
Ndoshta është e vërtetë
Do mjaftonte të ushqeja durimin tim
I dobishëm për arritjen e zgjidhjeve
“problemeve të mia”
Ndoshta… ndoshta… kushedi!
Se ç’më fsheh e ardhmja
Në momentin e tanishëm
Nuk mund ta ul qetësinë time
Te propozimet konkrete shembullore
Nuk mund absolutisht të mbështetem
Te paqartësia e së nesërmes sime
Por mund t’i besoj pa dyshim
Së tashmes sime
Mund t’i mbështetem sigurisë
E çdo të rrahure të zemrës sime
Duke konsumuar e përpirë çdo cent
Të së sotmes sime
Për ta duruar këtë sfidë të fortë
Një ditë do të më pëlqente të zgjohesha
Duke gjetur nën jastëk një zarf!
Që mbart sekretet e së ardhmes
Do të doja ta hapja… tërhiqja
Lehtë fletën e letrës brenda tij
Ta shtroja hekurosja në sy të gjeja
Veç një fjalë e cila do mjaftonte
Të shpërtheja në të qarë papushuar nga gëzimi “Liri”. Armando Hako
Devolli i Lirisë
Askush si atje njerëzit nuk më ngjallin aq dhimbje!
I njoha, ashtu si i pashë në fëmijëri
Me trup të përgjakur e shpirt të plagosur!
Dhe prapë legjendarë të shkëlqyer!
“Oh, Devoll” më klith shpirti në dëshpërim
Për vuajtjet e tua pambarim!
Të paktën të ishin robër të përrallave të ndershme
Të maleve të tyre fisnike!
Oh, më qan shpirti në dëshpërim
Mua, poetit që ata vetë e lindën të tillë!
Por, a ka mundur vallë, që bronxi i
ndryshkur mashtrues, e shekullor t’ua vrasë
Qoftë edhe njërit prej tyre:
Ëndrrën e mrekullueshme të Lirisë?
Devoll, pishtar i Lirisë! Alban Arapi
Ç’të them?
Ç’të më thonë yjet, s’kanë folur kurrë me mua
Ç’të më thotë dhe nata në këtë orë të vonë
Pëshpërin logjika, më thotë mos të të dua
Po çfarë di logjika… zemra dashuron!
Çfarë t’i them unë ëndrrës që më sjell te ti
Madje edhe gjumit asgjë s’kam për t’i thënë.
Unë i lashë të gjitha… atëherë në dashuri
Ndaj dhe shpirtin natës, vullnetshëm i kam lënë.
Ç’të më thotë muzika, ajo me vete flet,
Ç’të më thonë dhe vargjet që thurin poezi
Pëshpërin logjika, më thotë të të lë të qetë
Po ku di logjika… ato që zemra di! Bledi Ylli
Dilemë
Gjithmonë gjendemi midis dy botësh
Asaj që duam dhe asaj që i përkasim
Midis dy detesh
…atij që duam dhe atij që na mbyt.
Nëpërmjet ëndrrave nisim të ndërtojmë jetën
E sipas ëndrrave nuk shkojmë atje ku duhet
Çuditërisht, gjithmonë diçka bëjmë gabim…
Gjithmonë do gjendemi midis dy rrugësh
Njërën marrim…
Tjetrën gjithmonë e mendojmë si më të mirën
Gjithë kjo për të ngushëlluar veten
…duke sharë diçka të çuditshme, fatin! Bledi Ylli
Nuk meriton të urrehesh
Nuk gjej dot krahasim
Se ti helm ke në deje
Dhe qymyri shumë i zi
Është i bardhë para teje
S’gjen dot një manastir
Ku të shkosh të rrëfehesh
Se je vetëm shkretëtirë
S’meriton as të urrehesh. Beqar Skenderi