ERJON VELIAJ
Erjon Veliajn, kandidatin e PS-së për kryetar bashkie në Tiranë këtë javë deshëm ta intervistonim për një kontratë që qarkullon nëpër media e që ka të bëjë me blerjen e një vile në një bllok ndërtesash rezidenciale në Mullet. Kontrata është firmosur në prani të noterit mes gruas së tij, Ajola Xoxe dhe ndërtuesit. Ndërkohë, i pyetur këtë javë nga gazetarët për këtë, Erjon Veliaj na u duk se bënte teatër: “Ku është kjo vilë që unë nuk di gjë? Ma thoni, se do të doja ta kisha një vilë të tillë”, tha ai. Vërtet nuk di gjë Erjoni, apo jemi në fushatë dhe lejohet çdo gjë, madje edhe gënjeshtrat, që janë “gabimi” më i vogël? Apo e di në Shqipëri asnjë politikani nuk i kërkohet llogari për vilat e pasuritë që vë? Apo e ka bërë kontratën me kokën e saj Ajola? E zëmë se është kështu, po gazetat nuk i lexon Erjoni, që nuk bën asnjë përgënjeshtrim për gjithë çka thuhet e shkruhet për këtë vilë?!
LULZIM BASHA
Nuk e takuam dot as këtë javë kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, pasi ishte i zënë me fushatën. Atë deshëm ta pyesnim për lajmin që ka bërë aq shumë bujë në opinion këtë javë, sipas të cilit ai ka nxjerrë një vendim që i jep leje ndërtimi vetes për ndërtim në tarracën e pallatit 13-katësh ku ai banon…
Nuk deshëm ta pyesnim zotin Basha për ligjshmërinë e këtij vendimi se, besoj, ai e ka “qepur” mirë e nuk është i çrregullt, edhe pse “gojët e këqia” thonë se i mungon leja mjedisore, pikërisht ajo për të cilën ai këmbënguli kur prishi punimet që kishte nisur Edi Rama në mbikalimin e Zogut të Zi… Ai që na bëri përshtypje është aprovimi i kësaj lejeje tani, në fund të mandatit të tij si kryebashkiak dhe në pikun e fushatës zgjedhore. Pse zgjodhi pikërisht këtë kohë zoti Basha? Nuk mund ta linte ai marrjen e lejes për katër vitet e ardhshme kur në krye të Bashkisë ai, sigurisht që beson se do të jetë zoti Halim Kosova? Apo zoti Basha nuk mendon se kandidati i tij do të fitojë? Apo parashikon se zoti Kosova nuk kishte për t’ia dhënë lejen e ndërtimit? Ja, këto dy-tre pyetje deshëm t’i bënim këtë javë zotit Basha, por nuk mundëm…
DONALD LU
Deshëm të bënim një intervistë këtë javë edhe me zotin Donald Lu, ambasadorin amerikan në Tiranë, por nuk mundëm… Zotin Lu do të donim ta pyesnim në lidhje me dekriminalizimin e politikës e me kërkesën që ai bëri këtë javë që të kontrollohen mirë listat dhe e shkuara e kandidatëve. Madje zoti Lu bëri thirrje që kandidatët me të shkuar kriminale të mos votohen. Pra, zoti Lu lë të kuptohet se kandidatë të tillë ka. Po pse nuk e thotë zoti Lu se cilët janë këta? Ku ta dijë populli i shkretë se cilët janë të inkriminuar e cilët jo?! Gazetat e televizionet nuk kanë lënë kandidat pa përlyer… Apo të gjithë janë deri në grykë me krime, zoti Lu?!
ADRIATIK LLALLA
Të premten, pas publikimit në shtyp të lajmit se në Rumani prokurorët nisën procedurat për kallëzim penal ndaj kryeministrit Viktor Ponta, që akuzohet për evazion fiskal dhe pastrim parash, deshëm të takonim Prokurorin tonë të Përgjithshëm zotin Adriatik Llalla, por nuk mundëm, sepse ishte në mbledhjen me prokurorët për pastërtinë e figurave të të zgjedhurve lokalë. Ne deshëm ta pyesnim zotin Llalla se ç’mendon ai për këtë veprim të kolegëve të tij rumunë? Çfarë kanë ata më shumë se prokurorët tanë që nuk guxojnë të bëjnë veprime të tilla? Kur kanë ndërmend edhe këtë tanët të bëhen trima? Po me atë çështjen e madhe që ai deklaroi muaj më parë, se e kishte në dorë dhe që do të trondiste politikën shqiptare, çfarë u bë, zoti Llalla?
AMIRAN DZANASHVILI
Deshëm të intervistonim këtë javë edhe Amiran Dzanashvilin, biznesmenin gjeorgjiano-izraelit, i përfolur nga opozita për lidhjet e tij me PS-në. Ne deshëm ta pyesnim veçanërisht për deklarimin e tij se “në Shqiperi nuk është e mundur të bësh biznes të madh pa takuar kryeministrin dhe ministrat” dhe se “investitorët e huaj duhet të merren me politikanët në mënyrë që të ecin përpara me biznesin e tyre”. Për cilën kohë e ka këtë mendim zoti Amiran, për kohën që ka qenë kryeministër zoti Meta, zoti Berisha, apo edhe tani që është zoti Rama? Se në fakt, ai i përmend që të tre këta në deklaratën e tij dhe thotë që është takuar me të tre… Edhe pse zoti Rama ka deklaruar se me ikjen e Berishës ka marrë fund edhe koha kur politika donte të përfitontë nga biznesi, nuk na duket se është kështu. Derisa ai u detyrua të merrte, të paktën si ndihmëse, gruan e një politikani, si zoti Erion Veliaj. Apo jo, zoti Amiran?
(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista, ndersa në Greqi, në kioskat ku shitet shtypi i huaj. Nëse nuk e gjeni në kiosken pranë jush, na dërgoni një sms në 6938691274)