Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us
Të kujtoj me humor...
Mimoza Arapi: Kodi i fshehtë i një artisteje të madhe
MAYA NE ATHINE

Mimoza Arapi: Kodi i fshehtë i një artisteje të madhe

Brenda mirësisë së saj, falë kulturës së gjerë, fshihet një potencial i madh krijues, që shfaqet pikërisht në evenimente të mëdha. Mimoza Arapi është artistja që ndoshta më shumë se askush nga shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut, është përballur me sfidat e kohës, teksa ka marrë pjesë në bienalet dhe ekspozitat e ndryshme të shtrira gjeografikisht në të gjithë botën. Firmën e Arapit mbajnë shumë punime të ekspozuara në SHBA, Australi, Kanada, Greqi, Britani, Itali, Francë, Shqipëri, Belgjikë etj.

Vajza nga Lushnja e cila ka studiuar në Institutin e Lartë të Arteve të Tiranës, ka rreth 20 vjet që jeton në Greqi. Për të, të gjithë flasin me respekt. Ajo i ka bërë vend vetes në shoqërinë greke falë sjelljes se saj shembullore dhe punimeve artistike që mbajnë firmën e saj. Mimoza nuk synoi kurrë të ndryshonte diçka nga identiteti i saj, përkundrazi, nëpërmjet vlerave që e karakterizojnë, arriti të thyejë mentalitete për të mbetur artistja e madhe, që gjithçka e shikon në atë stad të kohës, ku sinkronizohen qartë sensi njerëzor, pjekuria intelektuale dhe përsosmëria artistike.

Edhe pak ditë dhe në Romë do të hapë dyert e saj Bienalja e Romës, e njohur tashmë për vlerat e saj të mëdha dhe praninë e artistëve të njohur nga të katër anët e globit. Midis pjesëmarrësve të shumtë do të jetë me punimet e saj edhe shqiptarja Mimoza Arapi. Në prag të kësaj pjesëmarrjeje, artistja shqiptare dha këtë intervistë për gazetën “Intervista”…

Advertisement

 

Ramadan Bigza: – Në rrjetet sociale është bërë publik tashmë fakti se midis atyre që do të marrin pjesë në Bienalen e Romës, jeni edhe ju. Mund të shpjegoni për lexuesit se çfarë është kjo bienale dhe kush do të marrë pjesë në të?

Mimoza Arapi: – Po, këtë pranverë, do të marr pjesë në bienalen ndërkombëtare të artit bashkëkohor në Romë. Roma nga data 15-18 maj do të jetë “kështjella” e artit dhe e kulturës internacionale. Në këtë bienale, do të marrin pjesë mbi 400 artistë nga 50 vende të ndryshme të botës.

 – Kjo bienale ka një traditë tashmë, sivjet është viti i 46-të i saj. Ishte e vështirë pjesëmarrja në të?

– Është hera e dytë që marr pjesë në bienale në Itali, kësaj radhe në Romë. Seleksionimi i punëve bëhet nga juria e bienales dhe artistët e përzgjedhur do të ekspozojnë në një ambient prej 17000 m2. Në këtë ambient do të ekspozohen piktura, skulptura, fotografi, grafikë, video, art dixhital dhe shprehje të tjera të artit.

 – A është ky aktivitet kulmi i aktiviteteve ku ke marrë pjesë deri tani?

– Në qoftë se do të thoja që ky aktivitet është kulmi, atëherë do të ulja vlerën e aktiviteteve të tjera ku kam marrë pjesë. Çdo aktivitet ka vlerën e vet, por mund të them që ky është një ndër aktivitetet më të rëndësishme. Për një artist, më e rëndësishme është pjesëmarrja, në mënyrë që të bëhet e njohur puna e tij.

 – A mund të tregosh për lexuesit itinerarin e aktiviteteve të tua?

– Kam marrë pjese në aktivitete të ndyshme që pas viteve ‘90 e në vazhdim. Vitet e fundit, pjesëmarrja ka qenë më e dendur, pothuajse 4-5 herë në vit në vende të ndryshme, Tiranë, Londër, Uashington, Athinë, Selanik, Romë etj.

 – Pas Romës, cili do të jetë stacioni i radhës?

– Përveç pjesëmarrjeve që kam në Athinë, pas Bienales se Romës, do të marr pjesë me një ekspozitë personale në Festivalin e Edinburgut.

– Bëmë kësisoj një xhiro mbarëbotërore, por lexuesit duan të dinë më shumë për ju… Kush është Mimoza Arapi?

– Nuk është e lehtë të flasësh për veten. Kam studiuar për art, letërsi dhe civilizim grek. Pas mbarimit të universiteteve, jetoj jashtë Shqipërisë. Kontakti me artin ka qenë për mua mënyra e vetme e të shprehurit pa u kufizuar. Lidhja e kulturave, kërkimi dhe njohja me veten më ndihmojnë të orientohem në rrugën që kam nisur.

– Keni pikturuar që herët?

– Arti është i lidhur me botën e brendshme shpirtërore. Që në fëmijëri, kjo mënyrë të shprehuri u bë pjesë e pandarë e jetës sime.

 – Ju keni mbaruar studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë. Pra, aktivitetin e keni filluar në Shqipëri, ndërsa po shkëlqeni në Greqi. Si ka qenë rruga juaj drejt sukseseve?

– Gjetja e kodit të komunikimit të publikut me veprat e mia, mendoj se është suksesi për një artist.

 – Sa të vështirë e ka një e huaj si puna juaj për t’u ngritur në nivele te tilla sugjestionuese për këdo?

– Asgjë nuk të dhurohet, vepra është ajo që flet. Përpjekja e duhur që bën, herët a vonë, merr vlerësimin e duhur.

 – Shkurt, a ju ka penguar të qenit e huaj?

– Artistët nuk kanë kufij dhe arti flet me gjuhë universale, aq më shumë piktura. Nuk mund të them se është e lehtë të arrish atë që do duke qenë e huaj, por kur respektohen gjërat që na bashkojnë dhe ato që na ndajnë, ateherë çdo gjë funksionon perfekt.

 – Ju pëlqen të imitoni ndonjë piktor të njohur?

– Më pëlqejnë shumë piktorë e mund të ngacmohem, por jo të imitoj. Në qoftë se ajo që shpreh nuk buron nga shpirti, herët a vonë do të ngatërrohesh, duke mos ditur kush je.

 – Kur e keni ndjerë veten më mirë dhe kur e keni ndjerë veten më keq?

– Tendenca ime është të shikoj anën pozitive të gjërave. Nëse gjen balancën dhe je në paqe me veten, atëherë je më pak i ndikuar negativisht.

 – A është marrja e çmimit të UNESKO-s me të cilin u nderuat kohët e fundit, suksesi juaj më i madh?

– Çmimi i UNESKO-s ishte një vlerësim, por aktivitetet që vijnë këtë vit, Bienalja e Romës dhe Festivali i Edinburgut, janë aktivitete ndërkombëtare të cilat kanë vlerën e tyre.

– Peizazhi, portreti, ngjyrat, idetë… Ku qëndron sekreti i suksesit tuaj?

– Koncepti i artit është më i gjerë. Orientimi i formave është drejt artit abstrakt. Idetë, ngjyrat dhe filozofia përbëjnë esencën e punës. Sekreti i suksesit është vlera që ka vepra.

– Ju jeni në kulmin e krijimtarisë suaj. Cila do të jetë rruga juaj e mëtejshme?

– Kjo është një rrugë e pafundme dhe asnjëherë nuk dihet cili është kulmi. Mund të them se ky është një moment i rëndësishëm i jetës sime artistike. E ndjej që jam në fillimin e rrugës dhe kërkoj më shumë nga vetja.

– Dhe në fund, Moza, kujt ia dedikoni këto suksese?

– Ato që bëj më mbushin dhe më japin shtysë për të vazhduar. Shumë herë e ndjej veten si në arenë. Në rastin e tanishëm, Bienalja e Romës është një konkurs ndërkombëtar tek i cili vlerësimi merret edhe nga publiku, jo vetëm nga juria. Suksesin, nëse quhet kështu, duhet ta mbash.

– Atëherë nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’ju urojmë suksese!

– Faleminderit!

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Të kujtoj me humor...

Next Post

MAYA NE ATHINE

Advertisement