Laerti është një djalë që jeton në Sarandë dhe që i është përkushtuar pasionit të tij për sportin e fitnessit. Të bën përshtypje vendosmëria e tij për të patur trupin që dëshiron, puna që bën për këtë dhe sidomos, koncepti i tij për jetën… E ftuam Laertin në këtë bisedë, për të na treguar më shumë për një mënyrë të shëndetshme të jetuari, për të dhënë një mesazh për bashkëmoshatarët e tij (dhe jo vetëm) e së fundi, sigurisht, edhe për të na dhënë ndonjë këshillë neve, që kemi dëshirë të kemi trup të bukur, por presim që ai të krijohet vetë, pa lëvizur ne, as gishtin më të vogël…
Besarta Luga: – Laert, për ç’arsye vendose të bëheshe pjesë e gazetës “Intervista”?
Laert Ruci: – Jam një lexues i rregullt i gazetës suaj prej shumë kohësh dhe besoj se kam gjetur vendin e duhur për të dhënë një mesazh se si të bësh një trup të bukur. Shpresoj që rinia shqiptare t’i lërë kafenetë apo cigaret e tepruara, pasi nuk do t’i kushtonte asgjë të ushtrohej një 80 minutësh në palestër. Përveçse do të kursejnë të ardhura, do të kenë fizik më të bukur dhe do të ndjehen rehat e të lumtur me trupin e tyre.
– Po ti, qëkur nise të interesoheshe për këtë fushë dhe si të lindi pasioni për fitnesin?
– Jam ushtruar me sport që në fëmijëri, pasi kam qenë futbollist, ndërsa për sportin e fitnessit, ideja lindi fare rastësisht. Vendosa të ushtrohesha në palestër për të pasur një trup sa më në formë, por edhe pse shikonim nëpër revista apo në Facebook trupa bodybuilding apo fitnessi, më dukej një ëndërr e paarritshme dhe e pamundur që një ditë të gëzoja këtë fizik…
– Ama e arrite… Si?
– Për këtë, më ka ndihmuar shumë profesor Nikollaq Muço, i cili është një nga mjeshtrat e këtij sporti. Ai më ka dhënë dietat, ushqimet dhe ushtrimet e nevojshme për të arritur rezultatet që kam. Ndonëse në fillim m’u duk e pamundur, falë vullnetit, dëshirës e durimit, arrita të krijoja atë fizik që dëshiroja.
– Në jetën tënde, veç stërvitjes, me çfarë merresh tjetër?
– Unë jam 24 vjeç dhe kam lindur në Tepelenë, por momentalisht, jetoj në Sarandë. Sapo kam mbaruar studimet e larta dhe me ardhjen e pranverës, pres të punësohem në ndonjë palestër, pasi edhe kërkesat për të pasur një trup në formë, sa vijnë e shtohen, tani që afron sezoni i plazhit…
– Ky është një fenomen paksa ironik, në fakt, sepse duket sikur trupin e krijojmë për të tjerët e jo për veten. A nuk është kështu?
– (Qesh) Po, pikërisht, pasi gjatë muajve të tjerë ke mundësi t’i mbulosh ato difekte, ndërsa në verë nuk ke çfarë t’u bësh. Është paska ironike, keni të drejtë, është njëlloj si atëherë kur vishemi bukur; e bëjmë për t’u ndjerë rehat me veten dhe për të lënë përshtypje të mira te tjetri. Ne shqiptaret sikur jetojmë për inat të botës. (Qesh)
– Çfarë është për ty një trup i bukur?
– Të kesh një trup të bukur, do të thotë së pari të duash trupin tënd, pasi fiziku fillimisht dhurohet nga Zoti, por më vonë duhet mirëmbajtur. Dihet që impakti i parë i njeriut është fiziku dhe fillimisht, prej tij tërhiqemi të dyja gjinitë. Një fizik i mirë të rrit premisat për më shumë sukses në çdo lloj fushe dhe të bën të ndjehesh mirë me veten tënde, pasi dihet që njerëzit në Shqipëri, zakonisht, identifikohen: I dobët, i shëndoshë, i bukur, i shëmtuar… Të paktën, ne të identifikohemi me fizik të bukur… (Qesh)
– Okej atëherë, që edhe ne të identifikohemi kështu, do të na thuash se si mund të krijohet një trup i bukur?
– (Qesh) Shumë gjëra këtu te ne ndreqen nëpërmjet miqësirave, ama këtij sporti nuk i fut dot mik… Duhet vullnet, dëshirë, pasion e disiplinë. Ky sport nuk ka talent, ka veç punë. Është njëlloj si të rritësh një fëmijë të vogël duke e ushqyer sa më mirë, me proteinat e karbohidratet e nevojshme, pasi kur ushtron këtë sport, të duhen minimalisht 200 gramë proteina në ditë. Gjysmën ne e plotësojmë nëpërmjet ushqimit dhe pjesa tjetër duhet plotësuar me përdorimin e një proteine. Që të arrish rezultatet e kërkuara, duhet ngrënë shpesh dhe nga pak. Po ashtu, duhet të konsumojmë mbi 2 litra ujë. Minimalisht, mjaftojnë 60-70 minuta ushtrim në palestër dhe rezultatet e para do të ndjehen mbas 3 muajsh. Duke u ushtruar më tepër, sheh akoma më shumë ndryshime.
– Si është kjo puna e përdorimit të suplementeve shtesë?
– Suplementi është i domosdoshëm sidomos për një njeri që merret me kete sport. Përdorimi i proteinës ndihmon që muskujt të njohin zhvillim dhe me mosmarrjen e tyre, muskujt nuk zhvillohen aq sa duhet. Në Shqipëri, kur thua “pi proteinë” u duket sikur thua “pi kokainë”… (Buzëqesh) Këtu ka një keqinformim, ndërkohë që bota i përdor me kohë këto produkte. Besoj se me kalimin e kohës, njerëzit do ta kuptojnë rëndësinë e tyre pasi është e nevojshme për dikë që do të zhvillojë muskujt.
– Ti, sa kohë ke që ushtrohesh?
– U bënë 3 vjet që ushtrohem në mënyrë intensive.
– A të pengon marrja me fitness në veprimtarinë tënde të përditshme?
– Nuk ndikon aspak, përkundrazi, e plotëson ditën time, duke e bërë më të bukur. 70-80 minuta ushtrim në ditë nuk më kushtojnë asgjë jo vetëm mua, por besoj të gjithëve, pasi investoj për fizikun tim. E ku ka më bukur sesa të jetojmë shëndetshëm?!
– Çfarë do t’u këshilloje atyre që nuk e kanë vullnetin për t’u marrë me sport?
– Ky sport do vite që të arrish rezultate maksimale dhe ka plot nevojë për korrigjime e përmirësime. Atyre që nuk kanë vullnet do t’u thoja që të ushtrohen pasi jo vetëm që me kalimin e kohës do të ndihen më mirë, por në radhë të parë do të kenë një jetë të shëndetshme, pa probleme shëndetësore. Nuk është e thenë se po vajte në palestër duhet të bësh medoemos trup bodybuildingu apo fitnessi; rëndësi ka që të ndihen mirë me veten e tyre dhe të kenë durim, pasi çdo gjë do kohën e saj. Profesor Nikollaq Muço thotë “të plakesh duke qenë i ri”. Duhet të kenë durim dhe kujdes në ushqim, pasi brumrat, sheqernat e tepruara e të ushqyerit në mënyrë të tepruar, na çon në dhjamosjen e trupit.
– Falë këtij trupi, ti, Laert, ke marrë pjesë edhe në disa konkurse…
– Po, kam marrë pjesë në garën e Shqipërisë që u organizua në muajin tetor në Tiranë, ku u vlerësova me çmimin e tretë në kategorinë Fitness Model, ndërsa më vonë konkurrova edhe në Kosovë, por atje nuk mora çmim, pasi u dha vetëm vendi i parë.
– Cili është synimi yt i fundit?
– Synimi im i afërt është një garë në Dubai, në korrik. Po përgatitem për të marrë pjesë në kategorinë Fitness Model. Është një konkurs me pjesëmarrje nga e gjithë bota.
– Çfarë pretendon të arrish atje?
– Normalisht, dëshira dihet, do dëshiroja të merrja një çmim, por si për fillim, në një garë kaq të rëndësishme, do të mjaftohesha duke marrë pjesë dhe duke parë se si mund të jenë të tjerët në krahasim me mua, pasi aty ka garues që kanë më shumë vite se unë në këtë sport. Gjithsesi, për asgjë nuk do ta quaja veten të humbur nga kjo pjesëmarrje, përkundrazi, pasi dikur më dukej e pamundur që një ditë të garoja edhe unë, ndërsa sot, ëndrra është drejt rrugës për t’u bërë realitet.
– A mendon se ke arritur gjithçka ke dashur në jetë?
– Të thuash se ke arritur gjithçka në jetë është një fjalë e madhe. Mendoj se deri tani jam te 15 përqindëshi dhe besoj se tani nis rruga për të arritur më tej. Nëse një njeri thotë se ka arritur gjithçka, do të thotë se ai nuk ka më motiv për të jetuar.