– Përshëndetje Dr. Jashari! Ju lutem, më ktheni një përgjigje. Kam një ankth dhe nuk e di a është ankth apo stres. Deri para dy viteve nuk kam qenë kështu, por patëm një rast vdekjeje papritur në familje; humba babain dhe 5 muaj më pas kisha si shtrëngim në fyt. Edhe sot e asaj dite, më duket sikur më merret fryma, më mpihet trupi dhe më krijohet përshtypja sikur do të bie në tokë. Ndihem shumë e lodhur. Këto gjëra më ndodhin edhe kur vijnë mysafirë në shtëpi. Më mpihen duart, më bëhet sikur më ecin buburrecat në nofulla, fytyrë, më dhemb gjoksi në anën e majtë dhe qafa. Kam qenë te doktori vitin e kaluar. Pata bërë skaner në Zvicër, kam bërë edhe kontroll të përgjithshëm, eko zemre dhe për veshkat e të gjitha analizat më kanë dalë shumë mirë, por unë përsëri ndjej shtrëngim në anën e majtë të gjoksit dhe pas shpine. Më kanë thënë të bëj fizioterapi. Mendoj shumë keq, më duket sikur do të vdes dhe do t’i lë 3 fëmijët vetëm. Jam 32 vjeçe. Më kanë dhënë barna (temesta), por s’kam asnjë ndryshim dhe nuk më merr as gjumi. Tani po përdor Tranxilium 5 mg dhe ndihem pak më mirë, por përsëri jam në ankth, ndaj ju drejtohem juve: Si të veproj? Sa mund të më zgjasë kjo gjendje? Pres një përgjigje. Faleminderit.
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuara 32 vjeçare, mama e 3 fëmijëve! Të gjitha këto simptoma që ju i përshkruani hollësisht në letër, janë të ankthit dhe për këtë ju garantoj se i njoh mirë, duke qenë se kam shumë vite që i studioj e i trajtoj. Më vjen shumë keq për këtë gjendje tuajën, për rrethin vicioz ku jeni futur, pasi pa pasur asnjë sëmundje në trup ju vuani më tepër sesa të jeni e sëmurë. Ju tani sikur jeni vënë në “kërkim” të sëmundjeve, doni që t’i gjeni me patjetër, aq sa keni bërë analiza, vizita e skanera pa fund, keni harxhuar para e kohë pa kursim dhe të gjitha ju kanë dalë shumë mirë. Ju me mendje tani po kërkoni “armikun” e fshehtë brenda jush dhe po çuditeni që s’po e gjeni sepse atje në Zvicër ku jetoni, mjekësia është shumë e zhvilluar. Si ju, ka shumë njerëz, edhe këtu në Shqipëri. Këta të “gjorët”, duke u trembur për simptomat e ankthit, por duke mos e njohur realisht ankthin dhe problematikat e tij (pasi është si ai qeni që të tmerron, por nuk kafshon) tremben shumë dhe mendja u “shpik” lloj-lloj “shpjegimesh” e ndihmuar (për keq) edhe nga dezinformacioni, mitet apo interneti. Krijohet kështu një si “ngrehinë” e vërtetë supozimesh të frikshme e jorealiste dhe s’ka bir nëne që t’ua mbushë mendjen se nuk janë të sëmurë dhe se kërkojnë atë që në fakt është vetëm në “mendjen e tyre” te “rrethi vicioz”. Këta njerëz, në fakt, nuk janë fajtorë për gjendjen e tyre, pasi këto supozime gati ekstreme me lloj-lloj mendimesh katastrofizuese janë rezultat i vetë gjendjes, pasi trupi i “dëgjon” ato mendime dhe vepron sikur të jetë e vërtetë, edhe kur nuk është dhe jep dhimbje gati të padurueshme të shoqëruar me lloj-lloj reagimesh e dhimbjesh psikosomatike të lëvizshme, siç lëvizin mendimet. Ata sikur acarohen kur familjarët u thonë se s’kanë asgjë, se e kanë nervore (domethënë psikologjike) dhe familjarët nuk dinë se si të veprojnë. Këta tremben edhe më shumë po t’u thuash se nuk je mirë, aq sa edhe po t’i pyesësh se “si je?”, ata e shohin me dyshim, edhe këtë pyetje të zakonshme. Ata, ose nuk besojnë tek aftësitë e doktorëve dhe aparaturave, ose kujtojnë se u fshihet diçka “serioze”, kur në fakt asnjë organ nuk është i dëmtuar apo i sëmurë. Edhe kur qetësohen përkohësisht, mendojnë se pikërisht tani do të ketë filluar “diçka” e asnjë lloj fillese sëmundjeje nuk gjendet.
Një klientin tim, unë e pyeta nëse i kishte këto simptoma edhe natën. Ai m’u përgjigj se gjumin e flinte “top”. Atëherë, unë e sigurova atë me të drejtë se përderisa të gjitha dhimbjet dhe ndjesitë sikur “po vdes apo çmendem”, “po mbytem”, “po më bie të fiket”, “po më pushon zemra” etj. i ke vetëm kur je zgjuar dhe jo në gjumë, kjo tregon se ato nuk janë sëmundje, por reagimi i trupit tënd ndaj frikërave, se po të ishin sëmundje, sikur edhe një dhëmballë po të jetë e infektuar, ty ajo nuk të lë të flesh. Edhe ai e kuptoi se “sëmundja” e tij fillonte sa atij i fillonin mendimet dhe, edhe pse prej gati dy vitesh nuk e kishte gjetur asgjë e keqe nga ato që ai mendonte se do t’i ndodhnin përsëri nuk qetësohej e kurrsesi nuk sigurohej. Madje ndodhi edhe më e çuditshmja: meqenëse tani “vëmendja” dhe i gjithë vëzhgimi i tij u përqendruam te gjumi, iu prish edhe gjumi sepse flinte me merak të madh dhe, ose zgjohej për të matur tensionin natën, ose kishte frikë të flinte se mos i ndodhte diçka e keqe në gjumë. Me kalimin e kohës dhe me praktikat e vazhdueshme, ky klient, nëpërmjet psikoterapisë, nga “viktimë” u kthye në një “shkencëtar” menaxhues i ankthit të vet dhe u “çlirua” edhe nga “burgu shtëpiak”, shpëtuan edhe njerëzit e tij nga ankesat pa fund dhe nervozizmat e tij. Vërtet u deshën mbi 15 seanca, ama edhe sot e kësaj dite mamaja e tij dyshon se mos i biri ka patur ndonjë magji dhe më lutet mua që t’ia tregoj “sekretet” misterioze se si ia hoqa atë. Ajo dhe shumë njerëz të tjerë nuk e njohin dhe as nuk e kuptojnë rolin magjik të psikoterapisë konjitive e cila i shëron njerëzit duke i bërë që gradualisht të humbasin frikërat e t’i besojnë realitetit. Ata nuk e njohin rolin e pavetëdijes e vetëdijes, dhimbjet “fallco” me natyrë psikosomatike dhe pasi mësojnë ato, mësojnë edhe një set teknikash specifike, të cilat bashkë me mendimet realiste (pozitive automatike) nuk e lejojnë më atë “buton” paniku që dikur mbetej i aktivizuar, për të prodhuar adrenalinë e noradrenalinë te gjendrrat mbiveshkore sa herë kujtonin ndonjë ngjarje apo rrezik të jetuar apo imagjinar. Edhe ju drejtohuni sa më parë, për ta çaktivizuar me psikoterapi.