Kam lindur në Përmet. Më saktë në fshatin Mbrezhdan. Fshati ka për “komshij” dy male: Trebeshinën dhe Golikun. Atje ku Vjosa ndan dy malet, është një rrip toke që quhet Fusha e Ftohtë. Fusha ishte në pronë të fshatit tonë. Ishte livadh. Kullosnin lopët, dhëntë dhe gomerët e fshatit. Në anën tjetër të lumit, në shpat të malit, janë Sarajet e Beut. Sot janë të shkretuara. Dikur: Bukuri dhe mister. Aty banonin stërgjyshët e Ali Bej Këlcyrës. Bejlerët ishin të pangopur. Kishin gjithë fushat, donin edhe livadhin tonë.
-Një ditë, Beu thirri kryeplakun e fshatit,- mw tregonte mamaja.- I tha: Hiqni lopët! Aty do të kullosin kuajt e mi. Do të hajë barë vetë Pela që e kam sjallë nga Stambolli për Zonjën time!
Kryeplaku, që ishte njeri me një barë mënd tha:
-Lepe! Po heqim lopët dhe po lëmë gomarët. Mbase, ndërhyn qoftlargu dhe ndonjë gomar i rracës sonë ia hipën Pelës së Zonjës dhe na del ndonjë mushkë e bukur si peri, sepse do të ketë trutë e gomarit tonë dhe bukurinë e Pelës së Zonjës!
Beu: Përjashta zuzar!
Qehajai i beut, në shenjë respekti e “gostiti” kryeplakun me disa shkopinj thane bythëve.
Për kureshtarët do të vazhdojmë historinë e vjetër. Fshati ynë kishte Zot! Kishte Kapedanin. Një ditë zbriti nga strofa ku jetonte. Në livadh kullosnin bagëtitë e Beut. Majën e barit e hante Pela e Zonjës. Kapedani i thotë qehajait:
-Kape Pelën e Zonjës dhe bjere tek shalët e mija!
-Të puthça atje ku nuk e thotë goja, – mjaulliste qehajai. – Po nuk e çova pelën në saraje, më vret Beu!
-Po unë, pse e kam Belxhikun, – se Kapedani mbante një pushkë që kishte ardhur nga Belgjika. E rëndë. E frikshme. Villte vdekje. Kuptohet, vetëm kur ishte në duart e Kapedanit.
…Dhe fap, ia vuri qytën mbi trurin e vogël! Qehajai u lag. Ashtu i qullur, mes erës së thartë, kapi pelën.
Hop kapërceu Kapedani dhe hipi mbi pelë. Ajo, sa nuk u këput në mes! Ishte mësuar të mbante zonjën që nuk peshonte më shumë se 45 okë. Kurse Kapedanit vetëm hallatet i peshonin 5 okë e gjysmë! Kështu tregonte Marua e Ç., që thonë se ishte e pangopur si buçja e Jarazit. Veçse një ditë Marua, pasi përlau një përshesh me ponç, në avull e sipër, tregoi një sekret:
-Burrë ziu, koqe vogli, koqe miu…Bole po kishte Kapedani, që kur ma vuri një herë tek rrota e mullirit, një javë më humbi thumbi!…Po ç’është ky thumb, moj Maro korba, që mos të tretë dheu!…Qyqja! Thumbi i qejfit, de dhe ha..ha… e ku…ku!
Pasi hipi, në kohën kur pela u drodh një herë rreth vetes, Kapedani përdrodhi mustaqet dhe tha:
-T’i bësh me shëndet Beut. Thuaj: Atje ku vendoste Zogun Zonja do të vërë Bilbilin Kapedani!
Të nesërmen, nga Sarajet doli një shtëllungë tymi. Pastaj një shpërthim tek shtëpia e Kapedanit. Beu qëllonte me top nga të Turqisë. Shumë shpejt shtëpia u rrafshua.
Por nuk e hante bukën thatë Kapedani! Beu çdo mëngjes pinte kafe në ballkon. Fresk! Poshtë – Vjosa. Përballë- mali i veshur me gjelbërim. Parajsë e shkuar parajsës. Rrufiste kafe e kulloste sytë Beu!
Por pamp! Dhe Beu vari kokën. Ne i themi hëngri bukë e fiq – e vdiq. U sulën qën e mace! Na iku beu!…Dhe zunë kujën graria. Kishte ngjarë hataja. Vdis të të dua! Po ç’ishte kjo hata?
Karshi Beut, në shpatin tjetër të malit kishte zënë pusi Kapedani. Në duar mbante belxhikun. Mori nishan. Tërhoqi këmzën dhe Beu na la shëndenë!
-Balta do të do të mbulojë baltën,- tha kapedan ,- dhe e flaku belxhikun në greminë, për të humbur gjurmët nga policia?…
Lajthitja ime! Në atë kohë ende nuk kishte lindur as gjyshi i ministrit tënë të Brendshëm, zotit Tahiri…
Advertisement