E nderuar redaksi e gazetës “Intervista”! Po ju drejtohem me këtë letër jo vetëm për të treguar historinë e dashurisë sime, por edhe me shumë turp për atë që kam bërë. Shumë shpesh, kur i kthehem jetës sime, mendoj se edhe unë kam patur të drejtë të jetoj jetën e të dashuroj. Sot jam gjashtëdhjetë e pesë vjeçe dhe jetoj në shtëpi me bashkëshortin e djalin e vogël.
Jam martuar kur isha tetëmbëdhjetë vjeçe, me shkuesi, sepse në kohën time ky model ishte. Në familjen ku kam lindur jemi tre motra dhe tre vëllezër. Fati i mirë deshi që ne të jetonim të gjithë në të njëjtin qytet dhe t’i bëheshim krah njëri- tjetrit dhe vëllait të vogël i cili ka jetuar me prindërit. Babi im ka qenë komunist, por ishte njeri shumë i drejtë. Për faktin që ishte komunist ne u zhvendosëm shumë shpejt në qytet dhe ne tre vajzat kemi lindur në fshat, ndërsa të tre vëllezërit e mi, lindën në qytet. Mamja ime ka punuar shumë pak, sepse lindjet ishin shpejt e shpejt njëra pas tjetrës e derisa u bë për shkollë edhe vëllai i vogël, ajo qëndroi në shtëpi. Më pas, filloi punë si pastruese në spital, në pavionin e fëmijëve. Ka patur punë të qetë, edhe pse jo shumë komode, kurse babai kishte rrogë të mirë. Në kohën kur mbarova shkollën tetë-vjeçare, shkolla e mesme ishte luks dhe këtë luks, nga tre motrat e mia, e pata unë që isha më e vogla.
Vazhdova shkollën e mesme profesionale për ekonomiste dhe mbarova me rezultate të mira. Përveçse isha natyrë e ndrojtur, edhe urdhërat e mamasë për të mos dalë e për të mos parë, më kishin bërë që të rrija e veçuar nga jeta kolektive. Shoqet e mia të shkollës shkonin në kinema e në teatër që në kryeqytet në atë kohë ishin shumë në modë, ndërsa unë rrija e mësoja ose qëndisja. Por gjithsesi, kanë qenë vite të bukura. Kur u ktheva në qytetin tim, fillova punë menjëherë, jo vetëm sepse isha e bija e një komunisti të ndershëm e të devotshëm, por edhe sepse shkolla ime ishte degë shumë e mirë. Bashkë me punën e re, më filluan edhe propozimet për martesë dhe në atë kohë, në qytetin tim të vogël djemtë të shikonin në rrugë dhe nuk guxonin të të flisnin, por me dy-tre shikime, të çonin babain në shtëpi për të kërkuar dorën për nuse.
Kështu ndodhi edhe me mua. Një shok i babait ndërhyri për djalin e komshiut të tij. Ai ishte djalë shumë i mirë, i pjekur, njëzet e nëntë vjeç, me punë, familje të rregullt dhe mbi të gjitha, më kishte ndjekur e studiuar dhe priste vetëm miratimin tim e të familjes. Pa i mbushur akoma nëntëmbëdhjetë vjeçe unë u fejova dhe pas dy muajsh, u martova. Motrat e mia, që ishin edhe me fëmijë, më kishin folur aq shumë për marrëdhëniet, sa shumë i donin burrat etj., por unë kisha frikë nga çdo gjë.
Im shoq ishte djalë i mirë, por pak i sertë. Fliste shumë pak e aq më tepër në sy të prindërve të tij, motrave apo vëllait të tij, as që m’i hidhte sytë. Unë isha nusja e parë dhe më duhej të sillesha e të rrija për nuse, sipas zakoneve të asaj kohe. Në ishim tetë vetë nën të njëjtën çati dhe vetëm të mendosh që duhej t’u shërbeja të gjithëve me radhë ishte pak e lodhshme. Edhe në punë, në atë kohë, lodhesha. Vjehrri kishte menduar që sa për fillim, derisa të ndërtonim shtëpinë tonë, ngjitur me të tyren, të jetonim bashkë. Oborri ishte shumë i madh e shumë i bukur dhe kishte vend për dy shtëpi, kështu që derisa u bë shtëpia jonë, ne jetuam bashkë për pesë vite rresht. Kam patur tre kunata e vjehrrë shumë të mirë. Vjehrri ishte si im shoq që dukej sikur të hante vetëm kur të hidhte sytë, por me mua sillej goxha më butë sesa me fëmijët e tij.
Pas dy vitesh martesë, ne u bëmë me një djalë, por prapë ndihesha si e humbur në shtëpi. Kurrë nuk kam ndërruar një fjalë të keqe as me njerëzit e burrit e as me burrin tim, por ai qëndrimi i tij nursëz më jepte një ndjesi të ftohti gjithë kohën. Të vetmet përkëdheli që mbaj mend janë ato të fëmijëve të mi, që jo vetëm sa ishin të vegjël, por edhe më vonë, më kanë dashur e përkëdhelur jashtë mase, ndoshta sepse edhe ata e ndienin ftohtësinë e të atit. Nejse, ndërkohë që djali i parë po rritej, kisha filluar të flisja e qeshja ndonjëherë jo vetëm në shtëpi, por edhe në punë. Kisha shoqe në punë dhe fillova të dilja sepse me vete merrja gjithë kohën djalin. Dhe aq kohë sa kisha djalin me vete nuk ishte problem edhe pse shikimet e hidhura të vjehrrit për daljet e nuses ishin të vazhdueshme.
Ndërsa dilja me shoqet e mia, shikoja një nga kolegët e ndërmarrjes time që më fliste e buzëqeshte gjithmonë e më shumë. Ishte natyrë gazmore me të gjithë dhe në fillim nuk më ra në sy për keq shoqëria me të. Në punë filloi të më fliste gjithmonë e më shumë, filloi të më rrinte ngjitur gjithmonë e më shumë, por pa më thënë asgjë. Kjo kishte qenë strategjia e tij më e mirë, që e kishte përdorur edhe me shumë gra të tjera. Një ditë, m’u afrua dhe më tha:
– Ke dhëmbët më të bukur që kam parë dhe buzëqeshja jote duket si lindja e diellit…
Kaq tha dhe iku. Nuk më kishin thënë kurrë gjëra kaq të ëmbla dhe sa herë e shihja, zemra sa s’më dilte nga vendi. Ai edhe për tre muaj rresht më bënte ndonjë kompliment dhe zhdukej për dy-tre ditë. Kështu, rashë në dashuri, u çmenda fare dhe kur ai më kërkoi të shkoja me të, as që bëhej fjalë të kundërshtoja. Në shtëpi fillova të ndihesha nervoze, sepse kisha frikë se mos ndokush i thoshte burrit tim, por ndjenja që më tërhiqte drejt të dashurit ishte më e fortë se frika. Lidhja jonë vazhdoi për dy vjet rresht. Isha e lumtur derisa një ditë, mota ime e madhe, më tha:
– Dua të flas me ty në një vend ku nuk na dëgjon njeri. – E kuptova çfarë donte të më thoshte. Më iku gjaku dhe fillova të mallkoja veten se në ç’llum isha zhytur. – Gjithë qyteti thonë që ti ke dashnor Sh.-në. E vërtetë është? – më tha kur u takuam te shtëpia e prindërve tanë. E ç’mund të thoja?
– Po, e kuptoj. S’di ç’të them… – i thashë.
– Po ku do mbytesh moj e gjorë, po e mori vesh yt shoq? Si munde t’i turpërosh prindërit e vëllezërit tanë? Po djalin tënd, që do t’i thonë “djali i kurvës”, e ke menduar?
O Zot, më bombardoi me këto lloj pyetjesh sa jo vetëm qava, por nëse në ato momente do të kisha patur një armë, unë do të kisha vrarë veten. Qysh të nesërmen i dhashë fund lidhjes me Sh.-në, por problemi im nuk do të mbaronte këtu. Pas dy-tre javësh ndarjeje, mora vesh se isha shtatzënë. Kjo ishte e tmerrshme sepse nuk e dija i kujt ishte fëmija, i burrit tim apo i Sh-së. I tregova burrit tim që isha shtatzënë dhe me gjysëm zëri, i thashë:
– Sikur ta dështoj… se ne akoma nuk e kemi mbaruar shtëpinë…
– Ç’thua moj budallaqe, – më tha. – Ç’mendon ti se jam unë? Do zgjedh tulla e llaç para fëmijëve të mi?
– Po ne nuk kemi ku rrimë me dy fëmijë, nuk kemi mundësi ekonomike që edhe të mbarojmë shtëpinë, edhe të rrisim fëmijët. Puna është t’i rrisim një çikë mirë… – mora guximin dhe e çova fjalinë deri në fund. Në fakt, guximin e kisha nga frika se nuk e dija se i kujt ishte fëmija, nuk kishte lidhje me rritjen apo shtëpinë.
– Jo dhe ruaju se mos ngresh ndonjë gjë të rëndë kastile, se të piu e zeza. Apo mbetesh pa dalë në xhiro me shoqet po të jesh me bark të madh? – më tha dhe ktheu shpinën. –Dua të fle se nesër do të punoj deri në orën shtatë të darkës. Shoku im kishte një sebep e do ta zëvendësoj.
– Natën e mirë, – thashë dhe ndërsa duart më shkuan instiktivisht në bark, më zuri tmerri që po vazhdon të zgjasë pa fund.
Të nesërmen e mbrapa, im shoq më dukej sikur po sillej më butë me mua a për shkak të shtatzanisë apo se e shihte që gjithmonë isha në ankth, nuk di të përgjigjem as sot. Qysh pas bisedës me motrën time, dilja në mëngjes që shkoja në punë, mbyllesha në zyrën time, nuk flisja me askënd punoja sa për gjithë koleget e mia dhe në orën tre kthehesha me vrap në shtëpi, që askush të mos më shihte rrugës. Doja që njerëzit të më harronin që jetoja sepse e dija ç’kisha bërë. Pastaj, kisha frikë se mos fjala shkonte tek im shoq. Shtatzania shkoi mirë dhe linda një djalë tjetër. Sa ishte bebe, djali më dukej herë si unë e herë si im shoq. Shpresoja se mos Zoti nuk do të ma vinte vulën e turpit edhe në fytyrën e tim biri që ishte krejt i pafajshëm për budallallëkun tim. Ndërsa djali im rritej, vjehrra pyeste se kujt i ngjante ky kaq zeshkan. “Apo është nga dajat e tu?”, më thoshte. Çdo pyetje në këtë drejtim ishte një thikë në zemrën time, por të gjitha ishin për fajin tim. Pas djalit, linda edhe një djalë e një vajzë tjetër. Shtëpinë e ndërtuam dhe unë vazhdoj të jetoj po aty, por ankthi im s’ka të sosur.
Një ditë, ndërsa kthehesha nga kopshti me djalin për dore, në rrugë pashë Sh. E ndali hapin dhe menjëherë i hodhi sytë nga djali. – Mos më ngjan pak mua ky djalë, dielli im? – më tha.
– Të lutem, zhduku nga jeta ime dhe mos ma nxi më shumë, – i thashë. – I imi apo i yti ai do të rritet mes gjithë të mirash, por të lutem m’u largo dhe mos më përziej gjithë familjen. Ishte një budallallëk me brirë ajo kohë…
Ai u largua duke më përshëndetur sikur nuk kish thënë asgjë sepse edhe ai kishte grua e fëmijë e nuk donte të binte në sy. Me të vërtetë u tregua me mend, në fund të fundit, se nuk hapi gojë të fliste asgjëkundi për çka kishte ndodhur, jo si burrat e tjerë, që e kanë për krenari të tregojnë për dashnoret e tyre. Dashuriçka jonë u mor vesh nga të tjerët sepse na panë që rrinim bashkë, por jo nga fjalët e ndonjërit prej nesh. Fëmijët u rritën e vazhduan shkollën. I dyti vazhdoi fakultetin e inxhinierisë sepse me të vërtetë që është shumë i zgjuar. Një natë, kur djali sapo kishte fituar bursën e studimit, im shoq më tha:
– Se kujt i ngjau ky djalë, s’e kuptoj. Ne asnjëri s’jemi të gjatë e ai është si lis mali, ne asnjëri s’jemi aq të dhënë pas matematikës, ndërsa ai është gjeni. Ke ndonjë gjë për të më thënë, moj grua?
– Ç’thua more burrë, nga shtati e fytyra mendoj se është nga dajat e mi e sa për matematikë, mendoj se e ka nga unë, harrove që unë ekonomiste punoj? Tërë jetën me matematikë jam marrë, – i thashë, ama zemra sa s’më plasi nga frika.
Nuk e zgjatëm më tej muhabetin, por e pashë që edhe ai dyshonte për ndonjë gjë, por thjeshtë nuk besonte se unë mund ta kisha bërë këtë turp. Ditët në vijim u mata t’i tregoja për tradhtinë time, por ishte e pamundur. Zoti më ndihmoi sepse edhe vajza në matematikë ishte shumë e mirë dhe ajo fitoi bursën për Ekonomik. Kjo sikur më ndihmonte një çikë për të thënë që matematikën e kishin nga unë. Vajza ishte kopje si halla e saj, yll e bukur.
Sot fëmijët e mi janë të martuar që të katërt e unë jam bërë gjyshe. Tre djemtë janë në punë, janë sistemuar me shtëpi dhe Zoti deshi të kenë nuse të mira. Edhe vajza ime pasi mbaroi shkollën u martua në një tjetër qytet, por fatmirësisht, ra në familje të mirë. Çdo ditë e pyes veten se si të bëj. Im bir ka të drejtë ta dijë se cili është babai i tij i vërtetë, po edhe im shoq ka të drejtë të dijë që ka në krah një bashkëshorte që nuk është e denjë të meritojë respektin e tij. Po unë, kur isha njëzet e tre vjeçe, a kisha të drejtë të kërkoja ngrohtësi e përkëdheli? Nuk e di cila është më e drejtë… E vetmja gjë që di, është se e vuaj edhe sot, sikur kjo ngjarje të më ketë ndodhur dje, jo se ka ndodhur para dyzet e dy vjetësh…
Advertisement