Forcë e fuqishme
– Çfarë do të thotë të shikosh në ëndërr sikur flet për Perëndinë? Unë isha bashkë me një shokun tim dhe ai sikur po më predikonte. Unë, me tallje, i thoja që Zoti nuk ekziston dhe në ato momente, një forcë e fuqishme që nuk e di se nga mbiu, më ngriti përpjetë dhe mua sa s’më pushoi zemra. Më pas, poshtë një pemë m’u shfaq një person që ngjante si ata të budizmit dhe më qeshi. I tmerruar, u zgjova nga gjumi. Çfarë kuptimi ka, ju lutem?
– Një ëndërr e tillë ka shumë kuptime. Në rastin konkret, paraqet dyshimet që keni ju për gjithçka që ju rrethon. Ju ka humbur besimi në çdo drejtim dhe mendoni se asgjë nuk është e vërtetë nëse nuk është e dukshme. Ndoshta ju bëni pjesë te personat paganë dhe forca që ju ka ngritur, është pikërisht ai besimi që ju e keni humbur. Pra, ekziston në të vërtetë Perëndia dhe ju duhet të keni besim në të. Buda që ju është shfaqur është përsëri një shenjë e Perëndisë dhe buzëqeshja është një ftesë për t’ju bërë të ditur se ekziston dhe nuk duhet të keni dyshim për këtë gjë. Duhet ta luftoni këtë lloj dyshimi që keni në vetvete dhe të keni më shumë besim. Do t’ju bëjë mirë tani dhe në të ardhmen tuaj.
Heqja e dhëmbit
– Kam parë në ëndërr sikur hoqa një dhëmb shumë të prishur. Nuk ishte te dhëmbët e parë, por te të tjerët, brenda, i futur thellë. Nuk ndjeva dhembje, ama e dija që e kisha të infektuar dhe sikur po më dilte gjak. Shkova te doktori për t’u mjekuar dhe aty nuk ishte asnjë nga ata të shtëpisë time. Dua të di kuptimin e kësaj ëndrre…
– Shpesh, dhëmbët përfaqësojnë pjesëtarët e familjes, por edhe vetë personin që e shikon këtë ëndërr. Duke qenë se ju nuk keni pasur dhimbje, do të thotë që keni hedhur pas krahëve një shqetësim që e keni pasur kohët e fundit. Edhe infeksioni dhe gjaku kanë të bëjnë me problemin që keni kaluar. Ky shqetësim ju ka prekur vetëm juve; familja juaj nuk di asgjë për këtë. Çdo gjë e keni kaluar tashmë dhe ditë më të mira ju presin.