Përparim Gurin e njohin të gjithë artdashësit që ndjekin koncertet me këngëtarë shqiptarë në Athinë, pasi ai ka vite që këndon për ta. Është i pëlqyer nga të gjithë, sidomos nga emigrantët veriorë, sepse, duke qenë me origjinë nga Puka, këngët popullore të Veriut janë “specialiteti” i tij. Për t’ju njohur edhe ju me Përparimin, ne u takuam këto ditë me të në kafenenë e tij, në bulevardin “Aleksandras”, që, si emër, mban mbiemrin e tij “Guri”…
Elida Sopoti-Osmani: – Si do që ta bëjmë këtë intervistë, Përparim, si këngëtar, apo si pronar kafeneje?
Përparim Guri: – Natyrisht, si këngëtar, edhe pse jam krenar që ia arrita kësaj dite që në mes të Athinës, të kem kafenenë me emrin tim.
– E mendoje këtë, kur erdhe në fillim në Greqi?
– Të them të drejtën, jo. Dhe, besoj se jo vetëm unë, por asnjë shqiptari që ka ardhur këtu në Greqi në vitet ‘90 nuk i ka shkuar mendja se mund të ndodhte që të kishte në Greqi aktivitetin e tij privat.
– Paske kohë këtu…
– Kam ardhur nga të parët, në prill të vitit 1991, nga malet, duke bërë 4 ditë e net rrugë nga Kakavija në Filipiada (qytet midis Artës e Janinës). Ecnim rrugë e pa rrugë, pa ndaluar. Ndalonim vetëm për të fjetur gjumë, ku të na zinte nata. Ishim nëntë vetë…
– Arritët t’i shmangeshit policisë?
– Çuditërisht, herën e parë nuk më kapi policia. Herët e tjera, po.
– Pse, e ke berë shumë herë rrugën nga malet?
– Po, se ishim ilegalë, pa letra. Mbaj mend që një herë udhëtuam 16 ditë e gjysëm me këmbë deri në Mesologji. Ishim katër vetë. Sapo arritëm aty, na kapi policia e na ktheu mbrapsht.
– Ju keqtrajtuan?
– Jo, policia greke nuk më ka keqtrajtuar asnjëherë. Na ka kthyer mbrapsht dhe kaq.
– Po tani, je me dokumente të rregullta?
– Po, që nga viti 1997 i kam të gjitha letrat e rregullta.
– Ke bërë kërkesë për nënshtetësi greke, si shumë shqiptarë të tjerë?
– Jo, akoma, por them ta bëj se, në bazë të ligjit, më takon, pasi kam mbi 7 vjet i ligjshëm këtu.
– Dokumentet i ke bërë më emrin tënd, apo e ke ndërruar në emër ortodoks?
– Jo, jo, në emrin tim të vërtetë kam gjithçka, edhe lejen e qëndrimit, edhe dyqanin që e kam hapur para dy muajsh.
– Që në fillim, në Athinë je vendosur?
– Jo, në fillim ndenja aty ku përfundoi udhëtimi me këmbë nga malet. Filipiada ishte stacioni im i parë në Greqi. Punova tre muaj aty sa bëra ca para e pastaj shkova në Patra, ku punova kryesisht në pemëtari, punë të cilën e bëja mirë, se në Shqipëri kisha bërë shkollën e mesme bujqësore… Më pas, erdha në Athinë, ku fillova punë në ndërtim. Arrita të krijoja edhe brigadën time të ndërtimit me 30 e ca punëtorë dhe të merrja përsipër shumë punë jo të vogla, deri në ndërtime e rikonstruksione kishash.
– Nuk e ke ndjerë krizën greke, domethënë…
– E ku ka emigrant që nuk e ka ndjerë krizën?! Prej krizës, unë mbylla aktivitetin e ndërtimit. Nuk ka më punë në ndërtim këtu në Greqi. E ndjejmë krizën çdo ditë kur shkojmë në supermarket. Më përpara, me 50-60 euro mbushje gjithë karrocën, kurse tani mezi mbush një çantë. E ndjejmë se më përpara, 2-3 herë në javë, me gruan e me çunin dilnim e hanim jashtë në restorant. Tani, dalim një herë në dy-tre javë. Kjo është kriza… Por nuk po vdesim për bukë, jo! (Qesh)
– Dhe megjithëse krizë, sallat e koncerteve ku këndojnë këngëtarët shqiptarë janë plot…
– Po, po, sallat vazhdojnë plot. Shqiptarët nuk pyesin për krizën, edhe pse, po ta shohësh, tani nuk u hedhin më para këngëtarëve e orkestrës siç bënin më parë. (Qesh)
– E di që këngëtarët shqiptarë japin më shumë koncerte në Athinë, sesa në Tiranë?
– Po dhe është normale, emigrantët harxhojnë më shumë para për qejf sesa shqiptarët në Shqipëri. Është vërtet keq në Greqi, por më mirë se në Shqipëri është. Në Shqipëri këngëtarët nuk paguhen kurrë sa në diasporë. Veç kësaj, njerëzit këtu i frekuentojnë më shumë koncertet sepse i kanë edhe si vende ku takohen me njëri-tjetrin e ku nxjerrin mallin e vendit, sepse e ndjejnë veten si në Shqipëri.
– Këndon çdo javë?
– Po, çdo javë. Vetëm në Athinë, çdo fundjavë, ka 6-7 lokale ku këngëtarët shqiptarë këndojnë live, shqip.
– E përballon dot një koncert live?
– Unë kam nisur të këndoj që 7 vjeç, në qytetin tim të lindjes, në Pukë. Jam rritur me këngën dhe nuk e kam fare problem të këndoj live.
– Ç’lloj këngësh këndon më shumë?
– Këngë nga Veriu. Zakonisht, në çdo koncert, jemi dy-tre këngëtarë që këndojmë këngë të krahinave të ndryshme. Unë jam i specializuar për këngët e malësisë.
– Që ndryshe nga këngët e jugut, janë pak më epike, apo jo?
– Po, ashtu është, ne shquhemi për epizëm. Këngët që pëlqehen më shumë janë “Shqipëri, o nëna ime” dhe “Xhamadani vija-vija”. Këto këngë e ngrenë sallën në këmbë.
– Po për ndonjë album, ke menduar?
– Po, tani po përgatis videoklipet. Sapo kam përfunduar dy që po shfaqen tek Elrodi TV, një duet me potpuri të Veriut me Kita Caraoshin dhe një tjetër me titull “Flutur, moj flutur”, ku këndoj vetëm.
SHQIPTAR APO GREK?
– Përparim, ke 23 vjet këtu. A ke ndryshuar? Je bërë ndopak grek?
– Jo, aspak, as jam bërë e as do bëhem grek. Kam mbetur shqiptar në çdo qelizë timen.
– A e bëjmë një test? Do të të pyes e do të më përgjigjesh shkurt. Kur një turist të pyet: “Nga je?”, si i thua, shqiptar apo grek?
– Kurrë nuk kam thënë që jam as vorioepiriot, as grek. Gjithnjë kam thënë shqiptar.
– Preferon buzukun, si grekët, apo klubet në jetën e natës?
– Preferoj buzukun, jo sepse jam bërë grek, por sepse jam këngëtar dhe më pëlqen të shkoj ku këndojnë live.
– Kur shkon për t’u argëtuar, a kërcen si grekët sipër tavolinës, apo si shqiptarët, në pistë?
– Zakonisht, nuk lëviz fare. Dëgjoj muzikë e kënaqem.
– Do preferoje të kërceje zebetikon, apo vallen pukjane të Kabashit?
– Vallen e Kabashit, natyrisht.
– Në mëngjes, pi frape, apo kafe turke?
– Kafen turke nuk e pi kurrë. Pi neskafe në dimër e fredokapucino, në verë.
– Të pëlqejnë paidhaqet greke, apo fërliku?
– Fërlikun dhe mezi po pres që ta bëj për pashkë.
– Uzo apo raki?
– Raki, sidomos raki thane nga Shqipëria.
– Preferon musakanë greke, apo groshët shqiptare?
– Groshën e Pukës.
– Xaxiqi, apo thjesht, salcë kosi?
– Salcë kosi.
– Hamburger, apo sufllaqe?
– Nuk i preferoj fast-fudet.
– Salçice apo llukanik?
– As njërën, as tjetrën! Suxhuk Kosove; vdes për atë.
– Preferon t’i bësh pushimet në plazhet shqiptare, apo në ishujt grekë?
– Deti është më i pastër këtu…
– Të pëlqen të jetosh në Tiranë apo në Athinë?
– Në Athinë. Në Tiranë ka shumë pluhur e rrëmujë.
– Preferon të dëgjosh Ana Visin apo Vaçe Zelën?
– Vaçe Zelën, pa dyshim.
– Saki Ruvas, apo Ardit Gjebrean?
– Arditin.
– Kush të bën më shumë për të qeshur: Agron Llakaj apo Lakis Lazopoulos?
– Të dy janë numrat 1; Agroni në Shqipëri e Lakisi këtu, por Lakisi është edhe një analist i ngjarjeve politike, është, si të thuash, një analist që të bën për të qeshur.
– Në shtëpi shikon Top Channel apo Mega-n?
– Televizioni ynë në shtëpi rri vetëm te Topi.
– Do të të thonë “sagapao”, apo “të dua”?
– Me këtë fytyrë që kam unë, kush më thotë sagapo?! (Qesh)
– Kur nxehesh, thua “Sto dhjavolo”, apo “Në djall shkofsh”?
– Nuk shaj kurrë.
– Do të doje një karrierë në Shqipëri, apo në Greqi?
– Në Greqi. Në Shqipëri duhet të hedhësh shumë para që të bëhesh i njohur…