Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Indrit Çela: Bleri u tregua i mençur, unë jam më tradicional

Nga kuzhina e shtëpisë, në finalen e Master Chef-it, fare pranë çmimit të madh. Edhe e pritshme, por edhe një surprizë e bukur për të… Indritin e takova pranë restorantit të sapohapur në “Hotel Diplomat 1” në Tiranë, ku ai dhe Alfio, janë bërë së bashku për të nisur një tjetër aventurë kulinare, tashmë, si një pasion i kthyer në profesion… Duket interesante të shohësh dy shefa së bashku! Po aq interesante, pa dyshim, do të jenë edhe gatimet e tyre, por ndërkohë, le të flasim pak më gjatë me Indritin, për udhëtimin e tij gjer në finalen e Master Chef Albania 2…

Blerina Çizmja: – Indrit, çfarë gatove sot, ti dhe Alfio?
Indrit Çela: – Taliatele të bëra në shtëpi, me ragu lepuri, supë peshku, në mënyrën veneciane.
– Sepse ke jetuar në Venecia…
– Po. (Buzëqesh) Atyre që më kanë mirëpritur, gjatë gatimeve, u vidhja disa receta, shijet. Kuzhina italiane ka bazë. Ata arrijnë të modifikojnë recetat e vjetra, pa ua ndryshuar shijen dhe kjo është shumë interesante.
– Është e mundur të bëhet kjo me kuzhinën shqiptare?
– Edhe mund të bëhet, sepse siç e shoh unë, kuzhina shqiptare është shumë e rëndë, me shumë kalori, që organizmi i përpunon me vështirësi. Shqipëria ka shumë produkte të mira, të freskëta e bio dhe ne mund ta ruajmë kuzhinën me shijen e produkteve që kemi, por me më pak kalori…
– Në Master Chef bie në sy jo vetëm që vijnë shumë djem nga Italia dhe sjellin me vete kuzhinën italiane, por edhe ata që banojnë këtu, janë shumë të ndikuar prej saj… Nuk ekziston mundësia që shefat t’i japin pak më shumë rëndësi edhe kuzhinës shqiptare?
– Kjo është edhe pak si shkollë… Për mua, për shembull, rikthimi im në Shqipëri do të thotë t’i jap një kulturë ndryshe, më të modernizuar, gatimit shqiptar.
– Me pak fjalë, pas u solle vërdallë nëpër botë, vendose të ktheheshe përfundimisht në Shqipëri, apo jo?
– Po, në të gjitha udhëtimet e mia e kisha një ëndërr, që të kthehesha një ditë në Shqipëri, por nuk e dija se kur. Në Master Chef shpreha një pasion, një talent dhe ia arrita qëllimit, sepse pavarësisht se nuk dola i pari, isha finalist dhe ky ishte një rezultat shumë i madh. Këtë gjë prisja, që të merrja konfirmimin e duhur për të ardhur në Shqipëri; ishte rasti më i mirë dhe unë po e shfrytëzoj!
– Mendoje se do të arrije deri këtu?
– Sinqerisht, jo. Deri te gjashtëshja, ose në gjysëmfinale e mendoja, por jo që do të arrija në finale, sepse konkurrentët ishin vërtet shumë të fortë. Avantazhi im është se gjysëmfinalistët vinin nga Italia, ndërsa unë kam shëtitur në vende të tjera dhe i kam dhënë më shumë kuzhinës në këtë aspekt. Tek unë, çdo pjatë ishte një temë, një udhëtim, një shije, si një ëndërr e përsëritur, për çfarë kisha vizituar nëpër botë…
– Çfarë do të të mungojë më shumë nga Master Chef?
– Emocionet, ankthi, që mund t’i gjejmë edhe diku tjetër, por jo aq të forta sa i patëm aty. Do të më mungojnë, natyrisht, sfidat me konkurrentët e tjerë, sepse çdo sfidë e kaluar ishte një lehtësim kur ia dilje dhe të jepte forcën për të ecur përpara.
– Pse mendon se fitoi Bleri dhe jo ti?
– Mendoj se Bleri u tregua i mençur sepse bëri më shumë pamje, më shumë paraqitje sesa produkt. Mbase në Master Chef këtë kërkonin, ndërkohë që unë i qëndroj mendimit tim dhe jam më shumë te shija. Jam më tradicional, më origjinal te shija…
– Çfarë do t’u thoje fansave të tu, që u dëshpëruan kur fitorja nuk shkoi te ti?
– Më e bukura është se nuk janë zhgënjyer, pasi më mbrojnë akoma, më japin akoma forca. Gjëja më e bukur ka qenë kur më kanë thënë: “Ato emocione që transmetove, na kanë ardhur”.
– Je gjithmonë aq i qetë sa dukeshe në sfida?
– Kam edhe 5 minutëshin tim, si çdo njeri (buzëqesh), por në 95 për qind të rasteve e kam ruajtur qetësinë. Sigurisht, nëse do të punosh në restorant, nuk mund të jesh i qetë sepse duhet të ecësh më shpejt, por në bazë të minutazhit dhe produkteve që kishim në Master Chef, unë e realizoja në mendjen time gjithçka e pastaj punoja. Kur dua të bëj një pjatë, e kam idenë të qartë.
– Ti nuk ke punuar më parë në kuzhinë, apo jo?
– Kam bërë një kurs kuzhine dy javor në Venecia, por kam një karakteristikë, siç i thonë në Itali, jam “shijues i mirë”. Provoj shumë dhe diçka që më pëlqen, e gatuaj dhe vetë. Me pak fjalë, e vjedh zanatin me sy.
– Cili nga gatimet që ke provuar, të ka lënë më shumë mbresa?
– Pjata që më çoi në finale! Edhe unë që e krijova vetë, u mrekullova. Për momentin, nuk dija çfarë po bëja se kishim 30 minuta kohë dhe duhet të jepnim maksimumin tonë. E kisha një ide, por nuk dija ç’rezultat do të jepte. Në momentin që kishte ngelur edhe një minut, pjata ime ishte bosh dhe s’dija nga t’ia filloja, por avash-avash, në dhjetë sekondat e fundit, kur pashë pjatën, u emocionova dhe i thashë vetes: “Po s’e mora me këtë pjatë, unë nuk gatuaj më në Master Chef!”. Doli si një pikturë e vogël, jo me shumë ngjyra të theksuara, me shumë shije…
– Menjëherë pas spektaklit, u punësove në një restorant në Tiranë… Domethënë, jo vetëm e hodhe hapin për t’u kthyer në Shqipëri, por erdhe tamam!
– (Qesh) Po, kjo ishte një zgjedhje interesante, e mendova shumë dhe me Alfion, sikur ishim i njëjti person, i ndarë në dy pjesë…
– Si u bëtë bashkë ju të dy?
– Alfio më kontaktoi me mesazhe, siç më kanë kontaktuar shumë persona të tjerë, por Alfio, qe i drejtpërdrejtë dhe mesazhi i parë i tij, qe: “Do punë?”. (Qesh) Më pëlqeu kjo… Biseduam shumë gjëra, tani do të bisedojmë për gjithçka që mund të realizojmë dhe, për momentin, jam këtu!
– Në një të ardhme, e imagjinon dot veten në rolin e shefave? Cili do të ishte profili yt…
– Them se po. E shoh veten më shumë te Gëzimi, pak te Sokoli, gjithashtu…
– Po te Renatoja?
– Te Renatoja… Mbase nuk kam karakterin e duhur që të bërtas. Unë isha përballë tyre si konkurrent dhe e di çfarë emocionesh ke kur të bërtasin, kur i mungon diçka pjatës, ndërkohë që ti mendon se është perfekte… Nuk e kam kurajon që, kur të tjerët japin shpirtin për diçka, t’ua hedh poshtë. Te Gëzimi, po, e gjej veten, sepse ai e vlerësonte shumë pjatën dhe besoj se jam i aftë ta bëj.
– Më thuaj një mendim për secilin nga shefat…
– Gëzimi ka shumë njohuri, është shumë i edukuar dhe di të shprehet. Duke parë çdo situatë të konkurrentëve, ai i gjen fjalët e duhura për të zbutur dhe për të vlerësuar punën që është bërë.
Sokoli, mendoj se tek ëmbëlsirat është fantastik dhe e shoh të qetë, të buzëqeshur. Edhe kur bëjmë gabime të vogla, i merr me lehtësi, nuk u jep rëndësi të madhe, sepse janë gabime të vogla teknike që gjithkush mund t’i rregullojë në të ardhmen e tij dhe kjo është ideja e Master Chefit që ne të japim gjithçka, por edhe të mësojmë.
Renatoja… Edhe po mungoi diçka e voglël një pjate, mund të mos e shohë shumë negative sepse në situatën tonë, një reagim i tillë të pret këmbët, të ndal. Do të doja të mos kritikonte aq shumë, por të sugjerojë, të bëjë një balancë mes sugjerimit dhe kritikës.
– Çfarë do t’u thuash atyre që duan të të takojnë?
– Në radhë të parë, të vijnë të shijojnë gatimet e mia dhe të Alfios te Diplomat 1 dhe së dyti, nëse kanë një pasion ose një ëndërr, të mos ndalen dhe ta shprehin, ashtu siç m’u dha mundësia mua në Master Chef, të shfaqja një pasion që nuk e dinte askush, përveç familjes sime…

Në kuzhinën Master Chef
– Cili është produkti yt i preferuar?
– Produkti i detit, peshku. Mbase sepse më pëlqejnë vendet e ngrohta, me det dhe sikur jam i asaj natyre.
– Cilën pjatë do ta gatuaje më me qejf?
– Pjatën e finales! Atë natë isha shumë në tension dhe do ta gatuaja më me qejf, me më pak tension dhe emocione…
– Cilën pjesë të menusë do të mbaje ti, nëse do të të pyesnin a të pëlqen të gatuash pjatë të parë, të dytë, apo ëmbëlsirë?
– Mund të zgjidhja edhe pjatën e dytë, por më shumë antipastën, sepse do të bëja një hyrje shumë të mirë. Nëse bën një hyrje të bukur, gjithçka lehtësohet edhe po të bësh gabime te të tjerat. Pjata e parë është shumë e rëndësishme.
– Gatuan gjithçka, apo ka ndonjë gjë që nuk e gatuan dot?
– Nuk i gatuaj dot kafshët e shpendët e egër… Më vjen shumë keq, t’i gatuaj ata… nuk e di pse…
– Po ndonjë gjë që nuk e ha dot?
– Djathin! (Qesh)
– Shijet e tua të degustimit ku anojnë…
– Më pëlqen shumë kuzhina mesdhetare, erëzat e Siçilisë, borziloku, speci djegës, pak pikant, domatet e vogla, kaperi. Çdo shije e kësaj kuzhine, më inspiron.

Advertisement

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Gjyste Vulaj: Kur i them vetes: “Shiko si je bërë, moj dreq!”

Next Post

Si të ngel shtatzënë?

Advertisement