Ngjarjet zhvillohen pesë vjet pas vdekjes së Bajazidit. Selimi vjen ta urojë të atin për Bajram dhe i thotë se Murati është rrugës për të ardhur. Sokollu i thotë Sulejmanit se njerëzit po e presin për të shkuar në xhami.
Mihrimaja, në dhomën e së ëmës, pyet Zymbylin se ku është Selimi. Ai i përgjigjet se është me Sulltanin dhe Mihrimaja e siguron se megjithëse ai ka vite që përpiqet të mos përballet me të, për shkak të asaj që i bëri Bajazidit, do të vijë momenti kur ajo do t’ia përplasë të gjitha në fytyrë. Mihrimaja nis të kujtojë gjithë çfarë ka ndodhur me Bajazidin dhe me djalin e tij të vogël, Mehmetin, që ishte vetëm tre vjeç. Nurbanuja jep urdhër që Defne t’ia dorëzojë të birin agallarëve që kanë ardhur për ta marrë, por Defne, me një thikë në dorë, përpiqet që ta mbrojë. Burrat nisen ta marrin Mehmetin me forcë, por ndërkohë, Defne ka vrarë të birin dhe veten…
Në të tashmen, Nurbanuja urohet nga të bijat për Bajram. Njëra prej tyre, i prezanton të birin, Mehmetin dhe Nurbanuja zemërohet që ajo i ka vënë pikërisht atë emër fëmijës së saj. Që të treja vajzat e Selimit dhe të Nurbanusë janë martuar me burra që kanë pozicione të larta në shtetin otoman. Njëra prej tyre, Esmaja është martuar pikërisht me Sokollun…
Sulejmani është gjithmonë e më keq dhe Sokollu, që tashmë është Vezir i Madh, i thotë Selimit se dita kur ai do të bëhet Sulltan, është shumë e afërt. Selimi i thotë se tashmë nuk ka asnjë rrezik dhe asnjë nxitim, detyra e tij është të kujdeset për shëndetin e Sulltanit. Ky i fundit, nuk pranon që mjekët të vijnë ta vizitojnë, duke thënë se kjo do të thotë që shumë pak i ka mbetur për të jetuar, pasi askush nuk mund t’i shpëtojë shigjetës së Allahut.
Në Bursa, Mahidevrani është në gjumë dhe zgjohet e trembur. Fidani e pyet nëse është mirë dhe ajo i tregon se ka parë në ëndërr Sulltanin sikur po largohej nga pallati, i veshur me të bardha… Ajo thotë se kjo është një shenjë që tregon se fundi i Sulltanit është afër.
Në harem, të gjithë vijnë të urojnë Nurbanunë. Ndërkohë, vjen lajmi se në pallat ka arritur Murati. Nurbanuja gëzohet sepse ka dy vjet që nuk e ka parë. Sokollu dhe Selimi bisedojnë për problemet që kanë me shtetet e tjera. Selimi i jep urdhër që të nisin luftën, por Sokollu i thotë se ata kurrë nuk kanë shkuar në luftë pa udhëheqjen e Sulltanit, ndërkohë që ai nuk qëndron dot në këmbë. Selimi i thotë se tashmë ligjet kanë ndryshuar dhe se do të jetë pikërisht Sokollu ai që do ta drejtojë luftën.
Ferhati i thotë Zymbylit se në ditën kur Sulltani do të vdesë, ai do të largohet nga ai pallat sepse pas vdekjes së Gylfemit nuk e mban më asgjë aty. Ferhatit i kujtohet dita kur është vrarë Bajazidi. Gulfemi, kur merr vesh masakrën që është bërë me të, zemërohet aq shumë me Sulejmanin, sa shkon në dhomën e tij dhe nis të pyesë Ferhatin nëse Sulejmani ka në gjoks zemër apo një copë guri. Ajo i thotë Ferhatit të largohet sepse po e kërkon mjeku i Sulltanit dhe vetë, kur Ferhati largohet, i afrohet Sulltanit dhe nis t’i thotë se ka qenë ai që e ka vrarë Bajazidin. Ajo përpiqet ta vrasë, por në atë moment vjen Ferhati, që e ndalon dhe Gylfemi vdes.
Më në fund, Selimi përballet me Mihrimanë, pesë vjet pas vdekjes së Bajazidit. Ai i thotë se ka ardhur ta urojë për Bajram, por Mihrimaja ia përplas në fytyrë të gjithë mllefin që ka mbledhur për të që ishte në gjendje të vriste vëllain dhe të gjithë djemtë e tij. Selimi i thotë se as ajo nuk është shumë e pastër, përderisa në duar mban gjakun e Mustafait dhe e kërcënon se, nëse edhe një herë tjetër do t’i flasë Selimit me atë gjuhë, ai ka për ta qëlluar…
Murati vjen në pallat bashkë me të preferuarën e tij, Safijen. Ai shkon të takojë në fillim të ëmën dhe të motrat në harem. Më pas, aty arrin Mihrimaja, të cilën Murati e përqafon me mall. Ai i thotë Mihrimasë se e ka lumturuar shumë me dhuratën që i ka sjellë. Mihrimaja e pyet nëse i ka pëlqyer dhurata tjetër dhe Nurbanuja tronditet kur shikon se sa të afërt janë ata të dy dhe pyet se çfarë është kjo dhuratë kaq e çmuar që përmendin ata…
Murati i tregon së ëmës se Mihrimaja i ka bërë dhuratë Safijen, të preferuarën e tij, e cila tashmë është shtatzënë me një trashëgimtar. Ky lajm, që e gëzon Mihrimanë, e hidhëron pa masë Nurbanunë, e cila është e sigurtë se Mihrimaja nuk ia ka bërë pa qëllim atë dhuratë nipit të saj. Në të vërtetë, Safija, e cila i prezantohet Nurbanusë si vajza e një familjeje të njohur veneciane, është një vajzë shqiptare të cilën Mihrimaja e ka trajnuar që të qëndrojë pranë Muratit, për të marrë hak ndaj Nurbanusë dhe Selimit gjithashtu. Mihrimaja i rrëfen Zymbylit se, nëse Selimi mendon se ka hequr çdo pengesë nga rruga e tij drejt fronit, nuk e di se pengesa e vërtetë dhe më e keqe që do t’i dalë përpara, do të jetë pikërisht djali i tij, Murati…
Mihrimaja përpiqet gjithashtu ta afrojë Muratin me gjyshin e tij, duke i bërë një dhuratë që ajo e di se atij do t’i pëlqejë shumë dhe duke qenë i pranishëm në një mbledhje në Divan, gjë që nuk i pëlqen aspak Selimit, i cili vazhdon të qëndrojë i dehur… Për këtë arsye, Sulejmani urdhëron që të ndalohet prodhimi dhe shitja e pijeve alkoolike. Gjithashtu, Sulejmani shkon në treg, ku dëgjon fjalë shumë të këqija për veten dhe për Selimin. Ai i dëgjon njerëzit të thonë se tashmë, Sulejmani ka marrë fund dhe nuk ka më forcë të ngrihet nga krevati e jo më të luftojë…
Kjo gjë e zemëron aq shumë Sulejmanin, sa vendos që në luftën e fundit ta udhëheqë vetë ushtrinë, me gjithë kundërshtimet e të gjithë atyre që ka afër. Sulejmani thotë se do t’i bëjë të gjithë të shikojnë se Sulltani nuk ka vdekur ende…
Sokollu i kërkon Mihrimasë të ndikojë tek i ati që të mos shkojë në këtë luftë, pasi në kushtet e tij, kjo do të thotë të shkojë drejt vdekjes. Kur shkon tek i ati, Sulejmani i thotë se e di që ka shkuar ta pengojë, por nuk do t’ia kthejë dot mendjen. Mihrimaja i thotë se e ëma ia ka lënë amanet të kujdeset për të dhe ai e siguron se Hyrremi nuk ka qenë kurrë kundër luftës dhe se kurrë nuk e ka penguar të shkojë në të… Ai i thotë se kjo është lufta e tij e fundit dhe nëse Sulltanati nisi me fitore, duhet të përfundojë me fitore. Mihrimaja dorëzohet dhe Sulltani niset për luftë, me ushtrinë e tij, i gjithi i veshur me të bardha, ashtu siç e ëndërroi Mahidevrani…
Edhe ambasadorët e huaj habiten me lajmin e kthimit të Sulejmanit në fushën e betejës, ndërkohë që të gjithë po prisnin për funeralin e tij. I gjithë populli del në rrugë për të parë Sulltanin të drejtojë ushtrinë. Në luftë, Sulltani takohet me drejtuesit që ka vënë në toka të ndryshme dhe e tregon edhe një herë fuqinë e tij, duke ekzekutuar ata që sillen keq me popullin, apo që trajtojnë kristianët më keq sesa muslimanët… Pas një ekzekutimi, Sulejmani dërgohet me vështirësi në fron, ku bie pa ndjenja…
Mihrimaja, e sigurtë se i ati nuk do të kthehet më, i kërkon Zymbylit të largohen nga pallati për në Edrine, duke e pranuar se tashmë e ka humbur të gjithë luftën e saj. Zymbyli e pyet se çfarë do të bëhet tani me Selimin e Nurbanunë, por Mihrimaja i thotë se ata i ka lënë në dorë të Zotit dhe nën mëshirën e djalit dhe të nuses së tij… Zymbyli i thotë Mihrimasë se nuk mund të largohet nga pallati, ndaj Mihrimaja niset e vetme…
Nurbanuja dhe Selimi festojnë për afrimin e kurorëzimit të ëndrrës së tyre, ndërkohë që Sulltani i kërkon Sokollut t’i flasë për fitore dhe jo për humbje…
Nurbanuja kërkon një takim me Safijen, ndërkohë që mban në dorë unazën që i ka vjedhur Hyrremit. Ajo nis t’i flasë Safijes se si ka qenë vetë Hyrremi që e ka zgjedhur dhe se tani, pushteti është në dorën e saj. Safija ia bën të qartë se, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me të dhe me tjetrën, që do ta zëvendësojë. Kur Safija ikën, Gazanferi ia bën të qartë Nurbanusë se lufta e saj nuk ka mbaruar ende…
Në kamp, Sulejmani është shumë keq, por ai nuk dorëzohet dhe del para ushtarëve për t’u dhënë zemër për fitore. Më pas, Sulejmani dëgjon zërin e Ibrahimit, që i thotë se i ka ardhur koha. Ai sheh një kalë të bardhë në largësi dhe jep frymën e fundit.
Advertisement