Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Emre Aslan: Jam gjys shqiptar!

Hëm… ta takosh Emrenë në realitet, është njësoj si ta shohësh në televizion; po ajo fytyrë e qeshur, po ajo energji, po ai humor… E vetmja gjë që ndryshon, është përparësja e kuzhinës, e cila në ambientin e tij të punës, shndërrohet në uniformën e mjekut. Është vërtet e këndshme të bisedosh me një njeri si ai, ndaj edhe ju ftoj të na ndiqni në këtë bashkëbisedim, pas natës së tij në fundit në Master Chef Albania…

Blerina Çizmja: – Përshëndetje Emre! Ke gatuar gjë për mua sot?
Emre Aslan: – (Qesh) Të më falësh, kam qenë gjithë ditën në punë, por herën tjetër, të premtoj, do të të gatuaj një ëmbëlsirë!
– Sa do të të pyesja se çfarë mendon se do të më shijonte më shumë…
– Oh, jam i sigurtë se një ëmbëlsirë do të ishte shumë mirë.
– Emre, tani që eksperienca jote në Master Chef përfundoi, a mund të më thuash, çfarë ishte ky spektakël për ty?
– Për mua, Master Chef ishte si një lloj prove. Gjithmonë më ka pëlqyer të gatuaj dhe gatuaj për miqtë e mi, por komentet prej tyre janë përherë pozitive dhe, duke qenë se ata janë miqtë e mi, nuk isha asnjëherë plotësisht i sigurtë nëse ishin të vërteta apo jo. Kisha nevojë të provoja këtë, ndaj thashë me vete: “Ok, po e provoj njëherë”. Kështu, aplikova për shoun. Nuk e prisja që ata të më telefononin, por ata më kërkuan dhe, ëndrra u bë realitet. Ishte diçka shumë e këndshme.
– A ka ndryshuar ndonjë gjë në jetën tënde tani?
– Gjithçka ka ndryshuar në jetën time tani. Më përpara shkoja në punë, në shtëpi dhe isha një njeri i zakonshëm. Nuk është se jam ndryshe tani, por njerëzit më njohin në rrugë dhe më thërrasin në emër. Më bën shumë të lumtur kjo gjë dhe përpiqem t’u përgjigjem të gjithëve. Ndjej se më duan më shumë tani…
– Mos ndihesh edhe më shumë shqiptar tani?
– Po, unë e kam thënë gjithmonë se jam gjys shqiptar! (Qesh)
– Si vendose të bëheshe pjesë e Master Chef?
– Herën e parë që e pashë Master Chef më pëlqeu që edhe në Shqipëri kishte ardhur ky spektakël, sepse në Turqi nuk pati shumë sukses dhe pas një edicioni, nuk e përsëritën më. Këtu, që në sezonin e parë e mendova të merrja pjesë, por kisha frikë, për shkak të gjuhës. Këtë herë po flisja me një shoqen time dhe ajo më tha: “Duhet ta bësh”. Kështu, aplikova online…
– Nuk është se shohim përditë veterinerë që marrin pjesë në një shfaqje gatimi… Është paksa e pazakontë, apo jo?
– Unë mendoj se gjëja e zakonshme është se të gjithë ata që merren me mjekësi, me veterinari, në njëfarë mënyre, prekin artin. Nuk di të them për në Shqipëri, por në Turqi, ata me siguri merren me diçka tjetër, luajnë në kitarë apo në ndonjë instrument tjetër, ose pikturojnë, kurse unë mund të gatuaj… Kështu që unë them se është e zakonshme në Turqi. Këtu, në fakt, nuk është edhe aq e zakonshme… (Qesh)
– Ke thënë se përbërësi më i mirë i një gatimi është dashuria. Pse nuk arrite të fusje aq dashuri sa ishte e nevojshme në natën e fundit, kur edhe u eleminove?
– Dashuria është një gjë që vjen nga brenda dhe unë nuk e di se përse atë natë nuk doli jashtë. (Qesh) Nuk mund të vendosësh të futësh dashuri në një pjatë… ndonjëherë, nuk funksionon.
– E mendove se mund të eleminoheshe?
– E kisha një ndjesi… Kam thënë gjithmonë se kam ardhur në këtë spektakël me ëmbëlsirë dhe nëse do të më duhej të ikja nga ajo kuzhinë, do të ishte mirë të ikja në kohën e ëmbëlsirës (Buzëqesh)
– Ashtu është, “djali i ëmbëlsirave”…
– Dëgjo, unë u bëra i famshëm për ëmbëlsirat për shkak të fasuleve! (Buzëqesh) M’u desh të bëja diçka ndryshe, që shefat të më fiksonin. Qe momenti i duhur, kur ata na dhanë si përbërës fasulet dhe unë bëra një ëmbëlsirë me to, ndaj edhe më ngeli emri “djali i ëmbësirave”.
– E mendove ndonjëherë se mund të ishe ti fitues i Master Chefit, qoftë në fillim, qoftë në një moment tjetër të spektaklit?
– Jo, nuk e kam menduar këtë gjë. Unë mendoj se jam një kuzhinier i mirë, por për të qenë i sinqertë, nuk jam personi i duhur për të qenë Masterchef…
– Arrite të tregoje gjatë spektaklit se ti nuk mund të gatuash vetëm ushqim turk?
– Oh, po. Unë kam gatuar vetëm dy herë kuzhinë turke, një herë qofte dhe herën tjetër Mante, pasta turke. Herët e tjera ishte kuzhinë ndërkombëtare ose gatim i momentit…
– Mendon se ekziston ndonjë kuzhinier turk që nuk di t’i gatuajë si duhet ëmbëlsirat?
– Jo, nuk mendoj se ekziston. Ëmbëlsirat janë karakteristike e kuzhinës turke dhe më duket se në vitin 2008, një kek turk fitoi çmimin e parë në botë. Është e vërtetë, ëmbëlsirat janë një pikë e fortë e kuzhinës turke dhe pastiçeritë turke janë shumë të famshme, megjithatë, mos harroni se çokollata nuk është turke, por belge… (Buzëqesh)
– Janë turqit aq të ëmbël sa ëmbëlsirat që gatuajnë?
– Shpresoj që po. Shpresoj të jenë po aq të ëmbël sa shqiptarët. (Qesh)
– Dhe në fakt, pyetja tjetër që desha të të bëja ishte se çfarë shijeje kanë shqiptarët…
– Mendoj se edhe shqiptarët janë si ëmbëlsirat…
– Po Master Chefi, çfarë shijeje kishte për ty?
– Sheqer! (Qesh)
– Çfarë ke vënë re në kuzhinën shqiptare?
– Kuzhina juaj ka shumë ndikime nga kultura italiane, për shembull pastat, picat… Unë mendoj se pica më e mirë në botë është në Shqipëri dhe jo në Itali.
– Vërtet?
– Po, dhe u them gjithnjë miqve të mi se nëse duan të hanë pica duhet të vijnë në Shqipëri e jo në Itali.
– Ke thënë se ke shumë arsye për të qëndruar në Shqipëri. Cilat janë këto?
– Dashuria është e para. E dyta është mikpritja dhe e treta, natyra dhe njerëzit. Sigurisht, çdo vend ka probleme të vogla, siç është për shembull trafiku, që në Tiranë është i çmendur, por jo se në Turqi ka trafik më të mirë…
– Kur the dashuri, mos kishe në mendje ndonjë vajzë?
– Jo! Thjesht, dashuri, në përgjithësi…
– Unë kam një shoqe që është fansja jote… Ç’t’i them asaj për ty?
– Thuaji se mund të gatuajmë së bashku… (Qesh) E di, shumë fansa të mitë më thonë se kanë dëshirë të provojnë gatimet e mia, por unë nuk kam ndërmend të hap ndonjë restorant, kështu që zgjidhja më e mirë besoj se është t’i ftoj një nga një në shtëpinë time… (Qesh)
– Jam shumë kurioze të di se si erdhe në Shqipëri…
– Punoja si veteriner në Ankara, kur një ditë më telefonuan nga Spitali Ndërkombëtar i Tiranës dhe më thanë se po kërkonin një veteriner. Ata panë referencat e mia dhe më ftuan të vija të punoja këtu. Pasi biseduam, vendosëm të punonim së bashkë dhe kështu, unë erdha në Shqipëri.
– E njihje Shqipërinë para se të vije këtu?
– Jo, nuk e njihja, në Turqi kemi më shumë se tre milionë shqiptarë dhe unë kisha komshinj shqiptarë, por nuk e kisha shumë idenë për këtë vend.
– Të pëlqeu kur erdhe?
– E dashurova!
– Dhe cila qe fjala e parë shqip që mësove?
– Ah, jo, s’mund ta them këtë! (Qesh) Në çdo vend që shkojnë, si turqit ashtu edhe shqiptarët, në fillim mësojnë fjalët e këqija…
– Lugën e gjyshes e mban gjithmonë me vete?
– Po! Një ditë mendova se e kisha humbur dhe e kërkova gjithandej, por e gjeta dhe e mbaj gjithmonë me vete…
– Më jep të lutem një mendim për të tre shefat…
– Gëzimi…
– Baba.
– Sokoli…
– Mësues.
– Renato…
– Qerrata…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Përmendore dashurie

Next Post

Abela Lami: Mbetem partizane e Amosit Shokët mbahen gjithnjë përdore...

Advertisement