– Përshëndetje, doktor Demiri! Jam prej 8 vjetësh e martuar, kam dy fëmijë; një vajzë dhe një djalë, 7 dhe 4 vjeç. Bashkëshortin e kam njohur që në gjimnaz, por jemi lidhur në shkollë të lartë. Ai ka qenë tip rebel, moskokëçarës, por student me nota shumë të larta. E di që s’mund të quhet problem, por ai ka ca vite që është konvertuar në islam, falet 5 herë në ditë, agjëron. Gradualisht, ai ka ndryshur në shumë gjëra për mirë dhe në ca të tjera, që mua nuk më duken mirë. Më përpara dilte shpesh me shoqërinë e tij, gjithashtu edhe me mua, çdo fundjavë konsumonte alkool, por ka qenë gjithmonë i mirë me mua, kurse qëkur u konvertua, nuk konsumon më alkool dhe është më i përkushtuar ndaj familjes. Edhe kur dalim bashkë, nuk pranon alkool në tavolinë, megjithëse mua më pëlqen vera. Ai bile braktisi edhe punën e mëparshme në shtet, që e kishte shumë të lakmuar, me justifikimin e përzierjes së asaj pune me gjëra të ndaluara në fenë islame. Arriti të gjente një punë me pozicion të mirë pak më vonë dhe në kohën që ishte në kërkim të punës, punoi në ndërtim. Unë ndihem në ankth kur ai më flet për fenë. Nuk e kuptoj pse, por është më e fortë se mua. Problemi tjetër është edhe te vajza, që ai e edukon me frymë islame. Mendoj gjithmonë hixhabin (mbulimin me shami) dhe ndihem keq. Ia kam shprehur edhe atij, por ai e merr shumë qetë dhe fillon të m’i shpjegojë gjërat. Nga ana logjike, unë i jap të drejtë, por ca gjëra s’i pranoj dot, nga ana e ndjenjave. Ndonjëherë e kam zili që është aq i qetë dhe buzagaz, kur e mendoj që s’ka qenë kështu, por ndonjëherë kam frikë se mos kërkon divorcin, ngaqë unë nuk jam besimtare, megjithëse s’ma ka shprehur gjë. Shikoj ëndrra të frikshme, më duket sikur do të më braktisë. Për ca gjëra s’mund t’i hapem se më vjen keq ta lëndoj sepse e dua shumë dhe ai ma ka shprehur shumë dashurinë, por shumë gjëra s’i konceptoj dot. Ai më ka ftuar disa herë në xhami, por duke parë mohimin tim, s’ka ngulur këmbë për ca kohë. Jam shumë konfuze dhe me ankth. Kam një si ndjenjë që më terrorizon, pa ndonjë kuptim. Kur e kam pranë, ndihem mirë, por kur ai largohet, më kap ankthi. Kur i kam thënë që kam ankth, më recitoi ca sure dhe për çudi, ca ditë isha mirë, por më vonë filloi çdo gjë nga fillimi. Më tha që nëse do kisha probleme prapë, të shkonim te psikologu, por i thashë se isha mirë. Më vjen keq se ai mund të lëndohet nga burimi i shqetësimeve të mia, që është feja e tij, se normalisht do të më çonte në një psikolog që e njihte. Edhe të shkoj vetë te psikologu, pa i thënë atij, ndihem akoma më keq. Jam në një gjendje të vështirë. Çfarë të bëj?
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuar zonjë, letra juaj është shumë e qartë. Për një përgjigje më të mirë, unë ia dhashë atë psikologes holistike Anila A. dhe përgjigjja e saj për ju është kjo që do t’ju përshkruajmë më poshtë: E lexova me vëmendje letrën tuaj, zonjë e nderuar dhe po qe se do të mirëkuptohemi, ky “halli” juaj nuk do të jetë më një “hall”, madje duke e parë problemin ndryshe, do të jetë mbase diçka e gëzuar. E kuptoj shqetësimin tuaj. Nuk jeni e vetmja që po e përjetoni këtë situatë, por siç themi ne psikologët, nuk janë ngjarjet apo fenomenet ato që na shqetësojnë, por mënyra se si i mendojmë ato. Mos paçi të tjera “halle”, por vetëm të tilla! Shumë burra, gjatë apo pas martese, janë konvertuar në islam dhe të tilla mospërputhje mendimesh deri diku janë normale që të ndodhin, aq më tepër kur vetë ju, ende nuk jeni e hapur me fenë. Ju në letrën tuaj thoni që pas bërjes besimtar, ai ka ndryshuar për mirë në disa gjëra si për shembull, është më i përkushtuar ndaj familjes etj. Pa mendo sot se sa shumë gra po vuajnë duke mos e ndjerë kurrë ndjenjën e përgjegjësisë dhe dashurinë e bashkëshortit apo qoftë edhe një fjalë të mirë nga ai. Mendo sa fëmijë presin me padurim të ndjejnë puthjen e të atit, sepse ai rri deri vonë në lloto e lojëra fati. Apo, edhe më keq… sa e sa burra e kërkojnë kënaqësinë jashtë shtëpisë… Atëhere, pra, a nuk është rasti i burrit tuaj për t’u pasur zili? Në daçi thoni jo, por besimtari as nuk të tradhton, se më shumë se të tjerët, ai ka frikë Zotin. Ju thoni që ai e braktisi punën e parë, por mendoni faktin se ai nuk e braktisi atë si “dembel” apo neglizhent, por shpejt e zëvendësoi përsëri punën dhe nuk ju nxori ju që të punoni e të rrinte vetë si parazit. Dil nëpër klube e shih kapardisjen e disa burrave që hanë e pinë në kurriz të gruas. Dil e shihi dhe më thuaj atë këngën e Çajupit “çe do burrë-zinë”… Dhe a e dini, o zonjë e dashur, se vetë Zoti ia ka lënë detyrë burrit që të kujdeset për bashkëshorten e fëmijët e tij sepse ai do të përgjigjet para Zotit për mbarëvajtjen e familjes dhe jetën e tyre, deri në detajin më të vogël, ashtu si dhe gruaja do të përgjigjet për burrin e saj e për fëmijët e saj. Ju do të keni përgjegjësi të dy për fëmijët dhe mendojeni pra si një gjë shumë të mirë që burri juaj i kultivon vlerat dhe moralin e fesë te vajza juaj. 3 janë shtyllat e moralit:
– 1. Familja. 2. Shkolla, 3. Xhamia apo kisha, domethënë, besimi.
A do dëshironit një vajzë të edukuar që respekton prindin dhe të afërmit e tjerë, të jetë e denjë, besimtare dhe jo e pafe, se siç thotë populli s’ka më keq se kur të thonë “i pafe”? A doni që fëmijët tuaj të jenë larg imoralit, drogës, alkoolit dhe veseve të këqia apo varësisë, abuzimeve? Dëshironi ju një vajzë që të rrijë natën pabeve, të dëfrehet me alkool e me pije të tjera deri te seksi i parakohshëm, te droga etj.? A do dëshironit ju, zonjë, që vajza juaj të kënaqte epshet e meshkujve çdo natë, apo do të donit të kishit një vajzë të shëndetshme, të përmbajtur, të “imunizuar” nga e keqja, prej besimit? Epo, dijeni mirë se vetëm një njeri që ka frikë dhe besim te Zoti, do t’u qëndrojë larg këtyre veseve e të këqijave pa “doganë” të civilizimit të sotëm. Çfarë të keqeje shihni te besimi? Asgjë! Fëmija, apo më mirë, adoleshenti, është i aftë që t’i ruhet syrit të prindit, të vëllait, të afërmve, por vetëm kur e di që nuk i fshihet dot Zotit, do të tërhiqet nga të këqijat, pasi nuk ka si këshillat hyjnore, mbajeni mend këtë gjë. Ndërsa përsa i përket frikës së veshjes si hixhabit, ajo gjë nuk bëhet me imponim, madje as vetë konvertimi në islam, nuk ndodh me imponim. Dëgjojeni me shumë respekt burrin tuaj, se nuk është ai i vetmi musliman i tillë, janë më shumë se gjysma e botës dhe vetëm nëse dëshironi, zbatojini ato që thotë ai, sepse feja nuk është intolerante dhe imponuese e ato që ai thotë, nëse nuk dëshironi, mos i zbatoni, por t’i dëgjoni, nuk ju kushton gjë. Ju thoni që i frikësoheni divorcit. Unë po ju them që vetë Zoti ka lejuar edhe shumë besime e jo më të shkojë puna deri aty. Do t’ju këshilloja të lexoni disa libra sa për informacion në lidhje me shenjtërimin që ka familja në islam. Dhe, dijeni, zonjë e dashur, se kushdo që beson në Zot, nuk është i aftë t’i bëjë keq dikujt që as nuk e njeh e jo më familjes së vet, bashkëshortes së vet, nënës së fëmijëve të tij. Burri ju do me të vërtetë, ndaj edhe po mundohet të fusë në zemrën tuaj vlerat e besimit dhe këtë po e bën në mënyrë perfekte, me komunikim e me butësi. Edhe ju vetë e pohoni kur thoni se habiteni me qetësinë e maturinë e tij, aq sa ai dëshiron që t’ju çojë edhe te psikologu. Çfarë kulture e fisnikërie! Islam do të thotë paqe dhe jo dhunë, prandaj sikur të lexonit një herë, madje dhe t’i dëgjonit ligjeratat në xhami çdo të premte (që quhen hytbe), nuk ju kushton asgjë e keqe. Aty gjen edhe profesorë besimtarë që mbajnë edhe shënime dhe atje do t’i kuptonit vlerat e besimit. Edhe fjala e parë që Zoti ka zbritur në tokë, ka qenë fjala: Lexo. Pra, lexo, mëso, studio, pastaj ke mundësi për veprim. Gjithsesi, vetë Zoti nuk i kërkon asgjë dhe askujt tej mundësive të tij. Ju uroj gjithë të mirat dhe mirëkuptim për këtë përgjigje. Me dashuri, Anila A.
Advertisement