Mos e merrni seriozisht, ju lutemi!
Donald Lu: “Do të plotësoj pengjet e zotit Arvizu”
Zotin Donald Lu, ambasadorin e ri të SHBA-së në vendin tonë, e takuam kur sapo ishte kthyer nga një takim me zotin Lulzim Basha…
Kaso Kosa: – Zoti ambasador, dëshirojmë që intervistën e parë me të huajt për vitin 2015, ta nisim me ju, sepse sapo keni shkelur në tokën tonë dhe shpresojmë të jeni këmbëmbarë.
Donald Lu: – Ju falënderoj shumë që ende pa mbushur një javë në vendin tuaj të skiponjave, të më merrni intervistë. Por tani po e kuptoj atë që më thanë zoti Uidhers dhe zoti Arvizu, se ju jeni vërtet aq shumë mikpritës, sa ende pa hyrë në zyrën time, më keni ftuar e respektuar, sa jam tepër i lumtur që do të shërbej këtu.
– Këtë javë, ju keni patur shumë takime dhe dukeni i lodhur…
– Kisha problem të madh Kaso: Kë duhej të takoja të parin? Kisha ftesa shumë. E di, ende pa u nisur nga SHBA, kryetari i opozitës suaj zoti Lu Li, më njoftoi se donte ta takoja të parin. Kur isha ende në fluturim e sipër, më erdhi mesazhi i Presidentit tuaj të nderuar që kërkonte të më takonte ai i pari. Në aeroportin tuaj, kur më priti trupa e ambasadës, njëra nga punonjëset më futi një letër nën dorë të cilën e hapa dhe e lexova vetëm gjatë rrugës për në Tiranë. Ishte zoti Berisha që më kërkonte ta takoja me çdo kusht që të sfidonte kundërshtarët e tij politikë… Të them të drejtën, u vura në siklet se kë duhej të takoja të parin, se politikanët tuaj donin të ishin të gjithë të parët…
– Ju besojmë… Po si e zgjidhët?
– Miku im Aleksandri, më këshilloi që të mësoja gjuhën e bukur skipe me qëllim që të futem më mirë në psikologjinë e politikanëve tuaj, sepse këtu, politikanët skipëtarë, kanë tjetër psikologji në krahasim me populin, më tha. Ndaj unë i thashë vetes: Do veproj ngadalë e ngadalë që heli të piqet e mishi të mos digjet…
– Nuk është tamam kështu, po s’ka rëndësi. Cilat ishin impresionet e para nga takimi me politikanët tanë, zoti ambasador?
– Të mrekulueshme! Takimi i parë ishte me Presidentin tuaj që më impresionoi me paraqitjen e tij. E kisha parë në foto dhe video me mustaqe dhe isha dashuruar pas mustaqeve të tij për faktin e thjeshte se unë, meqë jam me origjinë kineze, nuk i kam mustaqet as të dendura, as të zeza, as të bukura si ato të zotit Nishani. Kur u ndesha ballë përballë me të, u hutova, por ai me një mprehtësi të jashtëzakonshme, e kapi situatën dhe m’u prezantua me një humor të natyrshëm: “Jo vetëm mustaqet janë shenjë burrërie, ndaj i hoqa, që t’u tregoj shqiptarëve se burrëria ime qëndron në fjalën dhe veprat e mia e jo te mustaqet e mia”.
– Jam i sigurtë që biseda ka qenë e bukur, sepse Zoti Nishani është krenaria jonë si inteligjencë, si oratori, si kryetar shteti…
– Ishte një bisedë e shkurtër dhe e qartë. Ai, pasi më uroi për detyrën, m’u ankua për kryeministrin Rama: “Është treguar i padrejtë që nuk më mori në marshimin e paqes në Paris bashkë më baba Mondin, me pretekstin se nuk mund të ecja me hap rreshtor e do turpëroja Shqipërinë. Më është kundërvënë dhe kërkon të më heqë para se të përmbush mandatin, ndaj të lutem, thuaja dy fjalë për mua se ju amerikanëve ai ju dëgjon shumë!”, më tha me lot në sy. I premtova se do flas me zotin Rama.
– Tani, sa po ktheheshit nga takimi me zotin Basha. Si kaloi takimi i parë?
– I mrekulueshëm. Në filim, nga emri Lu Li, e mendova se ishte i një gjaku me mua, por kur ma sqaruan se Lu Li ishte shkurtim i emrit të tij shumë të bukur Lulësime, u kënaqa shumë se m’u duk shumë emër poetik. Edhe nga pamja, i tilë m’u duk kryetari juaj i opozitës, luluzonte i tëri, qeshte si ditë pranvere.
– Zoti ambasador, doja të dija edhe për objektivat tuaja për këtë vit që sapo hyri…
– Unë do vijoj në rrugën e të gjithë ambasadorëve që kanë qenë përpara meje, por do kem parasysh edhe këshillat e zotit Arvizu, i cili qëndroi në vendin e skiponjave më gjatë se cilido tjetër. Dhe, të them të drejtën, këshillat dhe përvoja e tij ishin të mrekulushme. Veç që kishte edhe nja dy-tre pengje nga jeta që kaloi mes jush, mikpritsave skiptarë.
– Mund të na tregoni ndonjë nga këto pengje të tij?
– Arvizu më dha disa porosi që brenda gjashtëmujorit të parë të vitit të bëja të pamundurën të takoja që në fillim të mandatit Olta Gixharin, pasi i kishte ngelur peng që nuk mundi ta takonte për katër vjet që shërbeu këtu, sepse edhe ajo ishte e preokupuar, por as ai nuk kishte patur guximin t’ia kërkonte takimin. I dhashë fjalën se do bëj ta pamundurën të takohem më këtë artiste të madhe skipëtare.
– Mendoj se kjo realizohet lehtë, pasi edhe Olta vetë ka qenë e predispozuar të takohej me atë diplomat të shquar.
– Por atij i kishte ngelur peng edhe zogu i Tunës dhe ma la amanet që ta shikoj atë zog, për të cilin flitet edhe në Amerikë. Edhe mua më ka bërë kurioz sepse unë i dua shumë zogjtë, kam qejf t’i shikoj ata. Por unë kam edhe një merak timin që krahas zogut të Tunës, të njoh edhe zogun e një gazetari pa flokë Vevozo apo Fevozo, më duket e quajnë, që paska lënë nam me zogun e tij.
– Zoti Lu, duket se jeni keqkuptuar… Nuk janë njësoj këta dy zogj!
– Ju lutem, mos më fyeni se unë kam një vit që e mësoj intensivisht shqipen tuaj të bukur dhe fjala zog, në gjuhën tuaj, quhet një shpend i vogël tipik për Ballkanin. Zogu i Tunës, mund të mos jetë si zogu i Fevzos, por ama në thelb, zogj janë të dy!… Gaboj?
– Gaboni, por nuk keni faj. Është një lojë fjalësh… që nuk ka fare lidhje me shpendët… Fevziu ka shkruar një libër për ish-mbretin tonë Zog dhe shkurt i themi zogu i Fevzos, kurse Tuna…
– Atëhere, të më falin edhe Fevzo, edhe Tuna sepse në asnjë nga të dy rastet nuk flitet për shpend… Ha, ha, ha, ha, ha, e kupëtova. Ju skipëtarët keni shumë lojra fjalësh të bukura dhe unë nuk jam theluar sa duhet në to! Po ju jap fjalën se vitin e parë të ushtrimit të detyrës, krahas punëve si ambasador, do t’i futem me themel edhe studimit të këtyre lloje fjalësh që të mundem të bëj edhe unë si ju skipëtarët, lojëra fjalësh.
Bisedoi me shaka: Kaso KOSA