E keni pyetur ndonjëherë veten si është Toka nga brenda? Struktura e brendshme e planetit tonë, që shtrihet me mijëra kilomentra në brendësi të saj, është më e ndërlikuar nga sa mund ta imagjinojmë. Për këtë qëllim është krijuar një video e tipit të Zhyl Vernit modern. Ajo prezanton shtresat e shumta që përbëjnë strukturën e brendshme, që nga korja, e deri te bërthama, duke kaluar nga manteli. Korja është shtresa e sipërme e planetit tonë, mbi të cilën jetojmë dhe zhvillohemi. Ekzistojnë dy tipe, korja kontinentale, afro 35 km e trashë dhe ajo oqeanike, afro 6 km. Në një thellësi 60 km fillon pjesa e jashtme e mantelit, i cili zë më shumë se 80% të volumit të Tokës. Kjo pjesë ende ruan shumë mistere. Kohët e fundit, shkencëtarët kanë zbuluar në këtë shtresë një oqean të stërmadh, të vendosur në afro 700 km thellësi, që përmban afro 3 herë më shumë vëllim uji se ai që është i pranishëm mbi Tokë. Manteli është shtresa e ndërmjetme mes kores dhe bërthamës së jashtme, të vendosur afro 2900 km në thellësi. Kjo bërthamë është e lëngshme dhe temperatura e saj mesatare është afro 4000 gradë celsius. Ajo mbështjell bërthamën e brendshme, të quajtur edhe «farë», që dallohet për pamjen e saj të ngurtë, të shkaktuar nga presioni i madh dhe temperatura afro 6000 gradë celsius. Sigurisht, ky udhëtim në zemër të Tokës është thjesht fryt i imagjinatës sepse askush nuk ka shkuar më tutje se korja. Për të zbuluar sekretet që fsheh struktura e brendshme e Tokës, kërkuesit kanë përdorur shumë metoda, si ajo e tomografisë sizmike, që konsiston në analizimin e vibracioneve të lëshuara gjatë një tërmeti dhe që lejon të studiohen edhe materialet e fshehura nën sipërfaqe. Megjithatë, ajo mbetet shumë e kufizuar. Ja, përse, shkencëtarët vazhdojnë ta studiojnë planetin tonë nga brenda…
Advertisement