Ka ardhur për ta ndezur, me këngën e saj më të fundit. E freskët, energjike, plot ritëm dhe sharm, rikthehet Anjeza Branka në këtë klip i cili pritej prej kohësh dhe që e justifikon më së miri pritjen. Një rikthim i fuqishëm i këngëtares që bashkë me atmosferën përreth, ka ndezur edhe një valë reagimesh për formën e saj perfekte dhe performancën e veçantë. Por nuk mbaron me “Nizma”. Shumë shpejt pritet të vijnë dy këngë të reja, njëra prej të cilave bashkëpunim. Për më tepër se kaq, Anjeza ju tregon vetë…
Arjana Bregu: – Anjeza, pas disa kohësh shkëputjeje nga klipet, kënga “Nizma”, që kishte kohë që pritej, ndezi reagime dhe komente të shumta. Ishte ky rikthimi i duhur?
Anjeza Branka: – Po, ky mendoj se ishte pikërisht rikthimi i duhur. Ishte një projekt me të cilin kisha kohë që merresha dhe punoja intensivisht për të. Jam shumë e kënaqur nga komentet e deritanishme të fansave.
– Çfarë mendon veçanërisht Leanzo, për klipin?
– I pëlqen kënga dhe çdo ditë më tregon për komentet që merr nga shokët e klasës.
– Ka rëndësi se kur e publikon një klip apo nëse ai është i bukur, nuk ka rëndësi se kur e publikon atë?
– Normalisht, ka rëndësi sepse kot nuk thonë që reklama është shpirti i tregtisë. Gjithsesi, them se kam marrë vendimin e duhur që e kam nxjerrë tani. Këtu gjej rastin të falenderoj “Max Production” dhe Arkiva shqip.
– Çfarë nuk duhet të mungojë asnjëherë në klipet e tua…
– Kërcimi.
– Ke arritur të kuptosh se çfarë duhet bërë për të qëndruar në këtë biznes?
– E kam kuptuar me kohë. Mbi të gjitha, duhet shumë punë cilësore.
– Ti je ndër të paktat nëna me linja të tilla… Çfarë bën për këtë?
– E përsëris, është gjithçka gjenetike.
– Çfarë e ndez Anjezën?
– Muzika e mirë.
– Çfarë nuhat menjëherë te një njeri që e takon për herë të parë?
– Jam një psikologe e mirë në këtë pikë, e kuptoj direkt nëse dikush ia vlen për t’i dhënë mundësinë ta kem shok apo shoqe.
– Ajo që e bën joshës një mashkull për ty?
– Të jetë mashkull.
– Një çmenduri që ke bërë në shopping?
– Bëj gjithmonë çmenduri të tilla. Çfarë më pëlqen, nuk e lë pa e marrë.
– Me çfarë krenohet Anjeza Branka?
– Me karrierën, familjen dhe vetëm me djalin.
– Me ngjarjet që kanë ndodhur së fundmi, kemi kuptuar që jeta është kaq e shkurtër! Ti, çfarë kërkon prej saj?
– Besoj se e kam kuptuar si duhet jetën. Është shumë e bukur për ta jetuar. Unë i pres gjërat si të vijnë.
– Diçka prej së cilës ke hequr dorë…
– Shumë gjëra.
– Çfarë bën për t’i bërë të bukura ditët e tua?
– E shijoj çdo moment të jetës.
– Cili ka qenë mendimi i fundit mbrëmë, para se të flije?
– Sa herë shtrihem, falënderoj Zotin dhe ndjehem e lumtur çdo ditë, çdo sekondë.
– Zakonisht, ke tendencën të jesh e mirë me të tjerët?
– Nuk shtirem. Unë jam e mirë me të gjithë sepse në fund fare, nuk fitoj gjë duke qenë e keqe.
– Cila ishte gjëja e fundit që bëre?
– Kam shumë gjëra që nuk kanë fund. Sapo mbaroj një gjë, filloj një tjetër.
– Në çfarë lagjeje jeton, Anjeza?
– Te Vilat Gjermane.
– Për çfarë do ta lije Tiranën?
– S’do ta lija kurrë. Mund ta lija për pak kohë për ndonjë projekt të rëndësishëm artistik apo diçka tjetër, por përgjithmonë, kurrë!
– Çfarë ke në plan për në vazhdim?
– Së shpejti, publikoj edhe një klip të ri në bashkëpunim.
– Çfarë do të doje të ishin duke bërë fansat e tu tani?
– Duke dëgjuar “Nizmën”.
– Cila është pjesa më e vështirë e të qenit nënë?
– S’e shoh aspak të vështirë.
– Vargjet e preferuara nga këngët e tua?
– Nizma senin, ta djegim venin, nizmi këta e ke me pa.
– Nëse do të bëje një duet me kë do, me cilin do të ishte?
– Me Jay Z.
– Dhurata më e mirë që ke marrë ndonjëherë…
– Çdo dhuratë ngelet e bukur për mua.
– Cili është vendi i fundit që ke vizituar?
– Prishtina, një nga qytetet që e dua më shumë.
– Si do të ishte Anjeza në versionin mashkull?
– Do të isha një burrë shumë i mirë, perfekt. (Qesh)
– Nëse do të doje të kishe një superfuqi, cila do të ishte ajo?
– Të isha e padukshme.
– Mund të më përshkruash një eksperiencë në të cilën je ndjerë më e lumtur se kurrë?
– Ardhja në jetë e djalit, ka qenë momenti më i bukur i jetës sime.
Kur ndizet Anjeza…
E ndez një cigare kur… ma do qejfi.
Më ndizet gjaku vetëm nëse… ka muzikë të bukur.
Nëse makina nuk më ndez në mes të rrugës, atëhere… e lë në mes të rrugës dhe marr taksi.
Për të ndezur atmosferën në skenë, unë… ndizem përpara vetë. (Qesh)
Me drita fikur… Asnjëherë! (Qesh)