– Jam një mama e re nga Vlora, që punoj si kuzhiniere, profesion me të cilin mbaj familjen, pasi edhe burrin e kam të papunë. Kohët e fundit më kanë kapur ca frikëra të çuditshme që më vjen edhe turp t’i tregoj, më duket sikur do t’i dëmtoj njerëzit me ato thikat dhe sendet aq të mprehta të kuzhinës dhe nuk guxoj të vete në punë. Çfarë janë këto? Dua të më përgjigjeni sa më parë, se tani që nuk po shkoj në punë, këto frikëra po më kapin edhe në shtëpi, kam frikë se mos dëmtoj fëmijët, siç kam dëgjuar lajmet e fundit… Dona.
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuara Dona, më vjen mirë që më jeni drejtuar mua si psikolog dhe do t’i përgjigjem letrës suaj me kënaqësi, duke dashur që t’ju vij në ndihmë. Këto frikëra që ju e kuptoni se janë krejt të paarsyeshme, të pakuptimta e shumë të çuditshme deri të tmerrshme e në fund të fundit ato janë frikëra dhe frikërat nuk janë sëmundje. Të garantoj unë që janë thjesht mënyra të të menduarit në lidhje me “mundësi” jo reale dhe probabiliteti për të ndodhur ato është zero. Ti mos e harro këtë, një zero të madhe dhe se duhet të dish se nuk ke përse të “grindesh” me veten për këto fantazi dhe mos u mundo që t’i largosh, thjesht, po të erdhën, anashkaloji pa u kushtuar vëmendje. Mos u bëj “sulm”, por thjesht, thuaju atyre se “ju jeni një tekë e shejtanit që doni të më mërzisni mua, ndaj edhe ejani e ikni sa herë të doni”.
Çdo njeri, në çdo moshë, ka fantazi të mirë e të keqe, deri edhe absurde e perverse, por me to veprojmë siç fshijmë pluhurat apo shkarkojmë VVC-në. Pra, mos u dorëzo, por bëj “vëzhguesen” e papërfillshme ndaj tyre, jo me forcë e as me inate dhe po ashtu, fillo të përballesh. Për shembull: Keni frikë thikën? Me atë direkt filloni të punoni ose me çdo frikë tjetër që ju vjen duhet të përballeni, edhe pse kjo si fillim shkakton pak ankth, por nuk do të krijoni keqpërshtatje ose reflekse të gabuara duke ikur prej tyre. Pra, përballja të ndihmon të shikosh më konkretisht frikërat e tua, t’i njohësh ato dhe t’i menaxhosh si shkencëtare e jo si “viktimë”.
Psikoterapia me disa seanca ndoshta edhe hipnoterapia do të të ndihmojnë që të ndërgjegjësohesh dhe të kthehesh në normalitet. Pra, që ti të mos i besosh mendimet irracionale, të cilat quhen stërzmadhime të mendje ose katastrofizime. Ato janë ca mendime të cilat i jep pavetëdija, gjë që ne nuk mund ta parashikojmë se ç’do të na thotë dhe nga ana tjetër, as nuk e komandojmë dot. Ajo që kemi ne në dorë është të mos ia “vërshëllejmë”, me qëllim që ajo të mos na prishë cilësinë e jetës e të ketë sa më pak ndikime në jetën tënde të përditshme. Mos u ndiko nga lajmet që dëgjon apo lexon, pasi bota është aq e madhe dhe ti je krejt ndryshe sepse në fund të fundit, ti jo vetëm që nuk i bën dot këto veprime, por ke frikë edhe t’i mendosh… Ti që nuk ther dot një pulë, si paska mundësi që të përdorësh thikat e kuzhinës për të vrarë njerëz? Të rekomandojmë që të kesh një jetë sa më të bukur, produktive, të qetë, me punë e optimizëm, me bamirësi të larmishme, pra punë, shëtitje, sport, ushqim i mirë. Pra, zëre kohën në mënyrë të dobishme dhe guxo të bësh gjëra të cilat nuk ke besuar se mund t’i bësh. Merr iniciativa duke mos e lënë veten kot që të futesh në rreth “vicioz”, shfrytëzoje çdo moment e mos e lër mendjen pa punë, pasi edhe truri, ashtu si çdo organ tjetër, po ta lësh pa punë, të “çel” punë. Mundohu t’i krijosh vetes rregullsi, aq sa të mos kesh mundësi t’u japësh kohë dhe rëndësi mendimeve të tua ose frikërave. Nuk mund ta luftosh mendjen me mendje, por ta vesh në lëvizje mendjen tënde. Kur t’i kushtohesh një detyre që kërkon zell e përkushtim, do të ndjehesh se nuk të futin frikërat obsesive në honin e errët.
Advertisement