Shoh të njëjtën grua
– Shoh shpesh në ëndërr sikur kam dy nuse. Një herë pashë sikur një zonjë më vështronte me kujdes, gjersa më bëri për vete. Kjo zonja më dilte edhe përpara, por tani filloi të më dalë përsëri në ëndërr. Ruaj disa copëza ëndrrash të veçanta me të, sikur asaj i ra gjilpëra përjashta, unë ia jepja dhe ajo e mbante në gojë. Më pas kam parë sikur isha në fshatin tim, po në shtëpinë time, sikur kjo më dha bukë thatë nga ato të bëra vetë. Unë ia mora e ia dhashë prapë dhe i thashë “nuk e dua”. Pashë sikur shisja edhe paketa me diamant dhe çdo gjë ishte blu. Ajo vazhdon të më ngacmojë. Si ma shpjegoni ju? Tahipi
– I nderuar Tahip, këtu kam shkruar thelbin e ëndrrës suaj, sepse ju e kishit shkruar më me hollësi, por po ju them që ëndrra shpreh një gjendje konfuze në jetën tuaj, sidomos në atë private. Ndjeni tërheqje për dikë, ose ndjeni nevojën edhe për një femër tjetër, por nuk e pranoni me veten tuaj. Ju nuk ndiheni i plotësuar në jetën private. Ëndrra të tilla shprehin mungesë intimiteti, mungesë afeksioni, por që ndoshta e ndjeni vetëm ju, sepse nuk është se ju mungon realisht. Nga ana tjetër, jeni një person që bëheni pak me fiksime, sidomos pas kësaj zonjës që keni parë shpesh në ëndërr. E mendoni shpesh dhe në njëfarë mënyre ushqeni ndjenja të çuditshme për të, por në të njëjtën kohë, ju duket absurde kjo ndjesi. Prandaj edhe e shikoni kaq shpesh. E mendoni ditën dhe e shikoni në ëndërr natën, kjo është e gjitha. Ju jeni në luftë me veten dhe dëshironi ta jetoni jetën tuaj siç dëshironi ju, por nga ana tjetër, diçka ju pengon, ndoshta pjekuria që keni apo familja. Pra, ju ndjeni një lloj përgjegjësie dhe e frenoni veten në çdo gjë. Këtë shpjegim ka ëndrra, nuk parashikon ngjarje në veçanti. Gjithë të mirat!
Advertisement