Familja e ish-bashkëshortit
– Kam parë në ëndërr familjen e ish-bashkëshortit tim. Shoh në ëndrra sikur e gjithë familja e tij më përkrah, vetëm ish-i im nuk më afrohet, por largohet gjithmonë nga unë. Tani, unë jam martuar me dikë tjetër, por dua të di, çfarë do të thotë?
– Do të thotë që ju nuk jeni shkëputur psikologjikisht nga ish-bashkëshorti juaj. E mendoni dhe njëkohësisht, njerëzit e tij ju mendojnë disi, duke qenë se tashmë ju në sytë e tyre keni vazhduar një jetë të re. Pra, ëndrra nuk ka ndonjë kuptim të veçantë, përveçse ju jep një mesazh që të shikoni përpara dhe të mos mendoni aspak se çfarë mendojnë ata. Tashmë, keni vazhduar një jetë të re dhe përkushtojuni totalisht asaj, pa menduar se çfarë thotë dynjaja. Kështu, edhe ëndrra të tilla, të jeni e sigurtë se nuk do të shihni më.
Te shtëpia e të dashurit
– Ju lutem, ma shpjegoni pak ëndrrën time. Po përgatitesha me familjen që të shkoja te familja e të dashurit. Shkuam atje dhe ata ishin shumë mikpritës, por familjen time nuk e pashë asgjëkundi, isha vetëm. Isha pranë të dashurit, i cili lumturohej për praninë time. Jam në merak. Çfarë kuptimi ka?
– Ëndrra ka dy anë të medaljes, varet se cila do t’ju prekë juve më shumë. Ndodh shpesh që ëndrrat tregojnë të kundërtën, por edhe dalin ashtu siç i shikoni. Në këtë rast, ëndrra juaj tregon marrëdhënien që keni me të dashurin, ndjenjat tuaja, që duken të forta. Mikpritja e familjarëve të tij është një lloj pranimi nga ana e tij dhe e juaja për këtë lidhje, që ta forconi akoma më shumë atë. Shkuarja në shtëpinë e tij është një lloj sfide që do t’ju paraqitet në ditët në vazhdim. Lumturia e tij tregon frymëzim e lidhje të fortë sensuale. Ana tjetër e medaljes është që nëse ju nuk jeni mirë në këto momente në marrëdhënien që keni, do t’ju duhet të sfidoni problemet që do t’ju paraqiten dhe të mposhtni shqetësimet tuaja. Uroj të dalë më e mira për ju.
Unazë argjendi me diamantë
– Në ëndërr kam parë sikur kisha një unazë argjendi, me një diamant të bardhë sipër e plot diamantë të vegjël jeshilë anash. Diamanti i bardhë ishte pak pis, por unë kisha një pajisje për pastrimin e tij dhe, kur e pastrova, diamanti filloi të shkëlqente shumë. Më duket se e gërvishta pak diamantin teksa po e pastroja, por nuk jam shumë e sigurtë për këtë. A mund të ma shpjegoni pak këtë ëndërr, ju lutem? Faleminderit.
– Unaza ka shumë kuptime dhe shpjegohet në varësi të përmbajtjes së ëndrrës. Në rastin tuaj, nuk na thonit nëse ishte unazë fejese apo thjesht, një unazë normale. Gjithsesi, ajo tregon angazhimin tuaj për një marrëdhënie, ose forcimin e asaj që keni. Po kështu, tregon që jeni shumë besnik dhe ndjeni përgjegjësi për çdo gjë që merrni përsipër. Gurët që keni parë, ju ftojnë në njëfarë mënyre të keni kujdes nga çfarë shkëlqen para jush, sepse edhe bora është e bardhë, por të djeg nga ftohtësia. Pra, kini kujdes! Përgjithësisht, ëndrra juaj është pozitive, sepse gurët me ngjyrë jeshile tregojnë që ju keni karakter romantik, paqësor dhe do të rrethoheni nga njerëz të tillë.