Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Krijova dy familje dhe mbeta pa asnjërën!

E di që kam mëkatuar dhe se pendimi im tani nuk më vlerë. E di edhe që do të më gjykoni, por edhe kjo nuk ka vlerë sepse nuk e kthen kohën pas. Jam Ari, 52 vjeç, nga Tirana, i martuar e me tre fëmijë. Kisha një familje model ku shumë të tjerë mund të merrnin shembull. Silvën, bashkëshorten time, e njoha që në gjimnaz dhe që atëherë më kishte pëlqyer më shumë sesa ta kisha thjesht shoqe. E ngacmoja shpesh, madje edhe ulesha posaçërisht në bangën pas saj, që ta kisha para syve dhe ta ngacmoja. “Silva, si e ke zgjidhur këtë ushtrimin?”, e pyesja sa për të hyrë në muhabet me të, por ajo e kishte kuptuar se e pëlqeja dhe bënte të vështirën. “Do më lësh të qetë apo të iki në drejtori?”, më thoshte. E dija që nuk e kishte me të vërtetë dhe buzëqeshja.
Tani që i kujtoj ato kohëra, i mendoj ndryshe shumë gjëra. Sa herë që ajo ulej diku me shoqet, unë merrja shokët dhe i shkoja nga pas. Ajo buzëqeshte fshehurazi dhe unë dashurohesha me buzëqeshjen e saj. “Pse nuk pranon të takohemi vetëm ne të dy? Dua të flas me ty”, i thashë një ditë teksa e gjeta vetëm, pa shoqet. “Për çfarë do flasim? Atë që ke për të më thënë, ma thuaj tani shpejt se duhet të iki në shtëpi, jam vonë”, ma ktheu. Kur ndodhesha para saj, gjunjët më priteshin dhe as fjalët nuk më dilnin. “Do flasësh apo të iki?”, ishin fjalët që më tha dhe që më sollën në vete. “Je shumë e bukur”, i thashë. “Ti po tallesh? Këtë doje të më thoje?”, tha me nerva dhe bëri të largohej. E kapa për krahu! “Më lësho”, tha dhe iku. Ajo ishte fjalia e vetme që më erdhi ndërmend t’i thoja dhe e mori për keq. Megjithatë, unë nuk i kisha hequr ende shpresat. E dija që një ditë Silva do ishte bashkëshortja ime, isha shumë i bindur për këtë. Edhe pse ajo më shmangej, unë, pak nga pak, arrita t’ia fitoja zemrën dhe meqë në atë kohë nuk mund ta quanim njëri-tjetrin të dashur, shkova bashkë me babain në shtëpinë e saj për t’i kërkuar dorën. Ata, për fat të mirë, pranuan dhe unë e Silva u fejuam.
Më pas erdhi martesa dhe fëmijët. Ajo ishte dashuria ime e parë dhe ne vazhdonim ta dashuronim njëri-tjetrin çdo ditë e më shumë. Ardhja e fëmijëve, përveçse e zgjeroi familjen tonë, e mbushi atë edhe me më shumë lumturi, por ndonjëherë, edhe nëse i ke të gjitha, monotonia të mbyt e të shtyn të provosh diçka të re, për të ndjerë emocione të reja. Në lokalin ku pija çdo ditë kafen e mëngjesit, kamarierja më kishte tërhequr si femër, edhe pse vetëm kaq. Edhe ajo më buzëqeshte sa herë që vija këmbën në derën e lokalit. Ndoshta kjo ishte arsyeja pse unë e pija gjithmonë aty kafen. Quhej Lindita dhe ishte brune, shumë simpatike. Përveç kësaj, kishte edhe një trup që të linte pa mend. Ashtu si në çdo familje, edhe unë, kishte momente kur grindesha me Silvën dhe në të tilla momente, e gjeja ngushëllimin te Lindita. Pak nga pak, ajo filloi të mësonte më shumë seç duhet për mua, familjen time dhe marrëdhënien që kisha me time shoqe. Tregohesha shumë i dobët dhe gjeja mbështetje te Lindita. Kjo e fundit filloi të afeksionohej edhe më shumë pas meje dhe unë, pas saj, gjithashtu. Pak nga pak, si pa e kuptuar asnjëri prej nesh, ne nisëm një romancë bashkë. Pasi ndodhi puthja e parë, thashë me vete se nuk do të ndodhte më, por isha gabuar. Lindita ishte aq e aftë sa arriti atë që deshi. Kishte gjetur pikën time të dobët dhe sa herë që unë i kisha marrëdhëniet jo mirë me time shoqe, përfitonte e më qëndronte shumë afër, gjë për të cilën në ato momente kisha shumë nevojë. Dhe kështu, pak nga pak, Lindita u bë pjesë e jetës sime, e përditshmërisë sime; ajo u bë gruaja ime e dytë. Do mendoni se pas kësaj, u ndava nga bashkëshortja e parë, por jo… Unë mbajta dy martesa, dy familje njëkohësisht, edhe pse kjo nuk është e ligjshme. Me gruan e dytë nuk bëra celebrim, por bashkëjetoja. Nuk e di as vetë se si munda të isha bashkëshorti i dy grave dhe babai i fëmijëve me nëna të ndryshme. Në fillim, kur Lindita më dhuroi fëmijën e parë, isha shumë i lumtur dhe as që e mendoja se kjo do të kishte pasoja më vonë. Lindita kishte ardhur në momentnin e duhur në jetën time, më solli gëzim, lumturi, më ndryshoi jetën. “Do të të jap një lajm, por nuk e di nëse do gëzohesh apo hidhërohesh”, më tha një ditë. “Çfarë lajmi? Thuaje…”, i thashë, se më bëri shumë kureshtar. Pasi më pa gjatë në sy, si për të studiuar reagimin tim të mëvonshëm, më tha: “Jam shtatzënë. Pres një fëmijë nga ti”. Instiktivisht “m’u vesh” një buzëqeshje në fytyrë. “Po, sigurisht që ky është një lajm i gëzuar! Si mund të jetë lajm i hidhur ardhja e një fëmije në jetë?!”, i thashë dhe e përqafova. Ndryshe nga lidhja me Silvën e cila erdhi shumë ngadalë, me Linditën gjithçka ndodhi shumë shpejt. Edhe baba më bëri më shpejt nga ç’isha bërë me time shoqe. Pesha e përgjegjësisë m’u shtua, duhet të kujdesesha për dy familje që prisnin vetëm nga unë. Po jetoja një jetë të dyfishtë për të cilën u pendova më pas. Silva filloi ta kuptonte se sjellja ime kishte pësuar shumë ndryshime, madje tani kisha filluar që edhe gjatë festave të shkoja sa nga njëra familje te tjetra.
“As për festat nuk qëndron më me familjen tënde? Çfarë po ndodh me ty?”, më thoshte Silva dhe kështu nisnim diksutimet që përfundonin me daljen time nga shtëpia. Në fakt, këtë doja sepse në këtë mënyrë përfitoja për të kaluar pak kohë edhe me familjen tjetër. “Erdhe?”, më thoshte Lindita sapo hapte derën dhe më përqafonte. Dukej që ishte dashuruar marrëzisht me mua, por për çudi, edhe unë vetë ndihesha më mirë kur isha me Linditën. Ajo më qetësonte e m’i largonte të gjitha streset, ndonëse për të dashuruar, dashuroja time shoqe. Silva ishte dashuria e jetës sime dhe nuk më bënte zemra t’i kërkoja divorcin, kështu që e vazhdova jetën time mes dy familjeve. Kjo jetë e dyfishtë po bëhej gjithnjë e më e vështirë për mua dhe me siguri, do të vinte një moment që gjithçka do të zbulohej. Isha babai i tre fëmijëve për të cilët duhet të kujdesesha njëlloj e po ashtu, kisha dy bashkëshorte. Ndryshe nga Lindita, Silva nuk ishte në dijeni të ekzistencës së saj dhe kjo i vështirësonte shumë gjërat. Por edhe me Linditën fillova të kisha diskutime të tipit: Mungesa e përkushtimit ndaj saj dhe fëmijës, të ndahesha nga gruaja etj. Këto fjalë më mërzisnin shumë, prandaj edhe diskutonim ashpër me raste. Lindita arriti deri aty sa të më kërcënonte që nëse nuk ndahesha nga bashkëshortja, do t’i tregonte gjithçka asaj. “Nëse vazhdon kështu, do të ndahemi. Nuk mund të vazhdoj të qëndroj me dikë që ma bën jetën të mërzitshme dhe nuk e kupton gjendjen në të cilën jam”, i thashë një ditë në nerva e sipër dhe ajo m’u kthye më egër: “Nëse ti po mendon të ndahesh nga unë pikërisht tani që jam bërë me fëmijë, ta dish që bashkëshortja jote do marrë vesh gjithçka”. “Kërcënim është ky?”. “Merre si të duash, por mendohu mirë para se të bësh ndonjë veprim”.
Ajo e kishte kuptuar që unë nuk doja të divorcohesha nga ime shoqe dhe tani më kërcënonte. Faji ishte i gjithi i imi sepse të gjitha këto ishin pasojat e veprimeve të mia dhe nuk e kisha menduar se diçka e tillë do të ndodhte herët apo vonë. Nuk doja kurrsesi që Silva të merte vesh për familjen time të dytë sepse ky do të ishte fundi për mua, prandaj u mundova t’i rregulloja marrëdhëniet me Linditën. Detyrimisht, fillova t’i përkushtohesha më shumë asaj dhe fëmijës. Daljet mundohesha t’i shmangia sepse nuk doja të kisha ndonjë surprizë të hidhur, të takoja ndonjë mik apo më keq, time shoqe, por kjo ishte thikë me dy presa sepse duke qëndruar më shumë me Linditën, po e lija shumë pas dore Silvën dhe fëmijën. Jeta ime tani po bëhej shumë e padurueshme sepse zënka me Silvën, zënka me Linditën… Ndonjëherë më kaplonte dëshira për të qenë beqar, më merrte malli për qetësinë dhe jetën e lirshme që bëja atëherë. Nuk e kisha menduar ndonjëherë që jeta ime do të merrte këtë rrjedhë dhe do të përballesha me të tilla vështirësi. Të kisha dy familje, ishte ajo që nuk e kisha menduar kurrë, por ja që jeta të përplas me të papritura para të cilave duhet të dorëzohesh, ose të përballesh me to. Desha, s’desha, unë u përballa me pasojat e veprimeve të mia, nuk iu shmanga atyre, edhe pse fundi ishte i hidhur. Kjo jetë e dyfishtë që bëja, po kthehej gjithnjë e më shumë në një ferr. Po afronin përsëri festat e fundvitit dhe sikur e ndjeja se këto do të ishin të fundit që do të kaloja në ambient familjar. Fillova të blija dhuratat dhe të gjitha gjërat e nevojshme për një festë të tillë, qysh herët.
Nuk doja t’ia dija për shumat e harxhuara, doja vetëm t’i bëja ata të ndiheshin mirë. Arrita ta organizoja ditën dhe t’ua çoja dhuratat në shtëpi. Përjetoja dy gëzime, por në mënyra të ndryshme, megjithatë, fëmijët për mua ishin njësoj, nuk bëja dot dallime mes tyre. Sa shumë u lumturuan kur morën dhurata nëpër duar! Unë arrita që mes shumë vështirësive e diskutimeve, të programoja edhe kohën që do të qëndroja te secila familje, në natën e ndërrimit të viteve. Ndihesha i sigurtë për veprimet e mia, deri në momentin që u zbulua gjithçka…
Pasi kaloi ora 00.00, u nisa për tek ime shoqe, por Lindita më kishte ndjekur dhe, sapo u futa në shtëpi, ra zilja. “Kush mund të jetë?! Nuk presim njeri”, tha Silva dhe iku të hapte derën. Diçka më shqetësonte në atë moment. Sapo dëgjova zërin e Linditës, m’u prenë gjunjët. “Kush je ti?”, e pyeti Silva dhe unë dola menjëherë me shpresën se do ta rregulloja situatën, por çdo gjë shkoi si mos më keq! Lindita, pa iu dridhur aspak qerpiku, i tregoi gjithçka Silvës, para syve të mi dhe të fëmijëve. U krijua një situatë në të cilën nuk do të doja kurrë të isha i pranishëm. Atë moment, kur sapo kishte ardhur Viti i Ri, unë humba të dyja familjet e mia. Silva reagoi shumë keq dhe nuk ma fali kurrë këtë. U mundova me shpirt ta shpëtoja martesën time, por nuk munda dot. Ishte e pafalshme!
Përveç Silvës dhe Linditës, humba edhe fëmijët e mi, të cilët nuk i kam parë më që prej asaj dite. Ishte vërtet ngjarja më e hidhur e jetës sime. Më ka marrë shumë malli të shoh përsëri gruan dhe fëmijët e mi, ndërsa Linditës nuk ia fal kurrsesi sepse me atë që bëri, më largoi edhe ato pak ndjenja që kisha për të. Më vinte keq vetëm për fëmijën, të cilin nuk më lë ende ta shikoj. Kërkova nga jeta më shumë nga ç’më kishte caktuar Zoti dhe mbeta pa asgjë. Nuk do t’ia fal kurrë vetes, por tani është tepër vonë dhe asgjë nuk ka më kthim pas…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (5) View Comments (5)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Lidhje vetëm për qejf...

Next Post

NDRYSHIMI I VIP-ave: ÇILJETA

Advertisement