Në Sistemin tonë Diellor, Saturni është planeti i gjashtë nga Dielli dhe i dyti, për nga madhësia. Saturnin e ka parë për herë të parë në teleskop në vitin 1620 Galileo Galilei. Unazat e këtij planeti mbetën unikale deri në vitin 1977, kur u zbuluan unaza të tilla edhe në planetet Uran, Jupiter dhe Neptun. Anija e parë kozmike që shkoi deri në Saturn ka qenë “Pionier-11”, pastaj shkuan “Voyager 1” dhe “Voyager 2”. Tani po udhëton drejt tij aparati fluturues “Cassini”. Që nga Toka, mund të shikohen tri unaza të Saturnit, por në saje të ndihmesës së filmimeve të bëra nga “Voyager”, shkencëtarët arritën të shikojnë edhe katër të tjera. Unazat e Saturnit dallojnë nga ato të planeteve të tjera sepse janë më të qarta. Ato kanë një diametër prej 250 000 kilometrash dhe gjerësia e tyre arrin deri në një kilometër e gjysëm. Unazat e Saturnit janë të rrafshta dhe përbëhen prej grimcash të panumërta të akullit dhe të gurëve. Ato i mbajnë të bashkuara dy fuqi kryesore: Forca e gravitacionit dhe ajo centrifugale. Mjaft interesant është edhe fakti që unazat e Saturnit, gjatë ekzistencës së tyre kanë bërë në orbitat përkatëse një trilionë rrotullime, pra, më shumë sesa vetë planetet ose satelitët e tyre.
Advertisement