Ju dështojnë vazhdimisht qëllimet e mira për t’u dobësuar, edhe nëse jeni njerëz me shumë vullnet? Ka një seri faktorësh të jashtëm që e bëjnë këtë. Mund të jetë ai shoku që të shtyn të thyesh rregullat sepse… “e çfarë pastaj se ha një herë, një copë tortë?”, duke ju bërë kështu të ndjeheni në faj, sikur ta kishit ngrënë gjithë tortën, ose vendimi juaj për të eliminuar nga menuja grupe të tëra ushqimore, duke i shkaktuar kështu trupit mungesa ushqimore të rënda. Sido që të jetë, nuk duhet shumë për të sabotuar një dietë. Një sit interneti, në bashkëpunim me një grup ekspertësh, ka veçuar tetë faktorë të tillë. Kijini parasysh herën tjetër kur të vendosni të fitoni sfidën me peshoren, sepse është gjithmonë mirë të kujtosh se, njohja e armikut që ke përballë, është hapi i parë për ta mundur atë!
1. Të përqendrohesh te sasia e kalorive dhe jo te cilësia e ushqimeve
Nëse shqetësohesh më shumë për numrat, duke mos u interesuar për ushqimin, mund të mos hash ashtu si duhet, por vetëm të mësosh të bësh llogari. Duke bërë kështu, përfundon te zakonet e vjetra dhe rishton në peshë.
2. Eliminimi i grupe të tëra ushqimesh
Vendimi për të mos ngrënë disa lloje ushqimesh, qofshin ato karbohidrate, sheqerna, apo gluten, nëse nuk bazohet te vendimet e mjekut, është një mënyrë e garantuar për të mos rënë në peshë, bile për të shtuar. Kjo sjellje i shtyn njerëzit t’i kompensojnë kaloritë me mënyra të tjera, ose përkundrazi, ta ndjekin këtë derisa nuk munden më dhe pastaj t’i sulen të uritur asaj që u kishte munguar.
3. Të ndjehesh në faj
Për ata që duan të bien në peshë, nuk ka gjë më të keqe sesa ndjesia e fajit, sepse aktivizon një spirale të përbërë nga zgjedhje ushqimore të gabuara dhe ndjesi të këqija, që janë gjithmonë një kombinim i rrezikshëm. Ja, përse u duhet shpjeguar atyre që bëjnë dietë se, nëse gabojnë, ishte vetëm një vakt dhe nuk kanë pse të ndjehen gjithë kohën në faj.
4. Të mos hash sa duhet proteina, yndyrna dhe fibra
Në një vakt duhet të jenë të pranishme të gjitha këto ushqime, këshillojnë specialistët, në mënyrë që të ndjehesh mirë dhe të evitosh çekuilibrin e vakteve, gjë që na shtyn të hamë më shumë, pra, edhe të shëndoshemi.
5. Të gabosh porcion
Edhe nëse ha ushqime të shëndetshme, siç janë për shembull frutat e thata, vaji i ullirit apo avokadoja, teprimi me sasinë është i gabuar, sepse të bën të marrësh shumë kalori, pra, të shëndoshesh.
6. Të kesh një mentalitet: “Ose gjithçka, ose asgjë”.
Ndodh të hash më shumë, si për shembull, nëse je ftuar për darkë diku, por e rëndësishme është t’i rikthehesh dietës menjëherë ditën tjetër dhe jo javën tjetër, ose një muaj më vonë.
7. Të hash sheqerna të rafinuara
Këto ushqime janë shumë të përhapura dhe janë shpesh një mënyrë e shpejtë dhe e lehtë për t’u ngopur, pa llogaritur që kanë edhe një shije shumë të mirë, duke bërë që njerëzit ta kenë shumë të vështirë t’i refuzojnë.
8. Të ndikohesh nga shoqëria dhe të afërmit
Të jetuarit me dikë, i cili nuk do që personat të ndryshojnë zakonet e veta të të ushqyerit, ose që nuk mbështet një mënyrë të shëndetshme të të ngrënit, bile duke e kritikuar apo duke u tallur me tjetrin, i ndërlikon shumë gjërat dhe mund të bëjë të dështojë çdo lloj përpjekjeje për të rënë në peshë.