Një grup entomologësh grekë, pedagogë të Univesitetit “Aristotel” të Selanikut, në bashkëpunim me kolegët e tyre francezë dhe anglezë, kanë vënë re gjatë studimeve se bletët i paralizojnë insektet parazitare që hyjnë në kosheret e tyre, duke i “kafshuar” ato. Rezultatet e studimeve të tyre, ata i botuan muajin e kaluar në revistën “Plos one”. Shkencëtarët grekë studiuan në radhë të parë substancën e quajtur 2-heptanon, që përpunohet nga bletët, të cilat ngarkohen me detyrën e ruajtjes së kosheres nga parazitët. 2-heptanoni shërben si një feromon, sprucimi i të cilit në koshere paralajmëron bletët e tjera për rezikun që i kërcënon. Entomologët bënë disa eksperimente dhe doli se me të vërtetë, pas spërkatjes së kosheres me 2-heptanon, bletët nuk dalin nga kosherja dhe nuk ushtrojnë asnjë aktivitet mbrojtës. Njëkohësisht, shkencëtarët konstatuan se kjo substanncë ka aftësi hipnotizuese dhe paralizon sidomos llallëzat e futura në hojet e bletëve, për t’i shkatërruar ato. Larvat e llallëzave janë të vogla, s’ke se si t’i thumbosh, prandaj, bletët i kafshojnë ato me mandibulat (nofullat) e tyre dhe, gjatë kafshimit, bletët injektojnë në trupin e llallëzave substancën 2-heptanon, që paralizon jo vetëm llallëzat, por edhe parazitët e tjerë si, bie fjala, morrat varroa. Gjatë kësaj kohe, bletët pastrojnë kosheret e tyre, duke i nxjerrë jashtë parazitët e paralizuar. Veç kësaj, shkencëtarët kanë zbuluar se me të njëjtën mënyrë, bletët paralizojnë edhe minjtë apo parazitët e tjerë që u hyjnë në koshere. Ndërkaq, ata vunë re se 2 heptanoni është një substancë anestezike e ngjashme me lidokainën dhe substancat e tjera anestezike, të cilat mund të përdoren për të hequr dhimbjet gjatë ndonjë ndërhyrjeje kirurgjikale lokale, prandaj ua rekomanduan atë kirurgëve. Duket qartë se ky zbulim ka për të gjetur në mjekësi një përdorim të gjerë…
Advertisement